Më 10 gusht kalendari kishtar kujton Shën Lorencin, diakon e martir
R.SH. - Vatikan
Lorenci qe diakoni i parë i Kishës së Romës, dhe kishte për detyrë , ashtu sikur Shtjefni, të ndihmonte e t’u shpërndante të varfërve ndihmat që mblidhnin të krishterët e qytetit, sipas porosisë së Ungjillit.
Për jetën e Lorencit dihet shumë pak, ndërsa njihet fare mirë vdekja e tij. Në vitin 258, perandori Valeriani nisi persekutimin kundër të krishterëve. Në gusht të vitit 258 martirizohet me prerje të kokës vetë Papa Siksti II.Tregohet se Lorenci e pati takuar derisa po shkonte në martirizim. Me këtë rast Prefekti i perandorisë e ndali Lorencin, të cilit i kërkoi t’i dorëzonte “thesaret e Kishës”. E Lorenci, pasi u shpërndau të varfërve lëmoshat e Kishës, e paraqiti para prefektit turmën e të sëmurëve e të skamnorëve dhe brohoriti: “Ja, këto janë thesaret e Kishës. Nuk pakësohen kurrë e gjithmonë japin fryte të reja dhe mund t’i gjesh kudo”.
Sipas traditës, të një “Passio” (Akti të martirizimit) të lashtë gjetur nga Shën Ambrozi, Lorenci është djegur për së gjalli përmbi një skarë e thëngjij të ndezur. Po sipas gjasës, në ditët e para të gushtit të vitit 258 për shkak të fesë së tij në Krishtin Zot, në kohën e perandorit Valerianit, iu pre koka, si papës Sisktit II, në rrugën romake Tiburtina, ku më vonë Kostandini do t'i ndërtojë një bazilikë madhështore, e cila është restauruar pas bombardimeve amerikane mbi Romën gjatë luftës së II botërore. Ishte 19 korriku i vitit 1943.
Pajtori qiellor i të varfërve
Shën Lorenci është pajtori qiellor i të varfërve, e pasi si diakon i ruante librat e shenjtë, është edhe pajtor i bibliotekarëve, i bibliofilëve e librashitësve. Martirizimi i Shën Lorencit ёshtё njё profeci, Shenjti diakon, mbarështues i pasurive të Kishës për t’iu shpërndarë të varfërve, nuk përkulet para urdhërave të perandorit Valerian, që i kërkon t’i dorëzojë thesaret e tij, në se do të jetojë. Thesaret, o jetën! “Ja këto janë thesaret e Kishës” përgjigjet, pa kurrfarë frike, Lorenci, duke treguar të varfërit, të sëmurët e të flakurit në rrugë të madhe nga perandori e perandoria. Me ta merrej ditë për ditë, atyre ua dorëzonte gjithçka kishte. Nuk donte të mbronte pasuritë e Kishës, por lirinë e Kishës për misionin e shëlbimit.
Martiri është njeri plotësisht i lirë; i lirë përballë pushtetit të botës. Është njeri i lirë, i cili në një akt përfundimtar, ia dhuron Zotit gjithë jetën e vet; e në një akt feje, shprese e dashurie, e lëshon krejtësisht vetveten në duart e Krijuesit e të Shëlbuesit të vet; flijon jetën, për t’u bërë një me Flijimin e Krishtit mbi Kryq. Me një fjalë: martirizimi është vepër e madhe dashurie, që i përgjigjet dashurisë së pamasë të Zotit.
Nata e yjeve të Shën Lorencit
Jemi më 10 gusht e është nata e Shën Lorencit. Natë yjesh, natë dëshirash romantike, edhe pse nata e valë e gushtit të kujton një nga torturat më mizore ushtruar mbi martirët e krishterë: pjekjen mbi skarë. Pësoi mundimin më të zgjatur, më të keqin, sepse më të ngadalshmin. Me shpresë se më në fund do të fliste. Po ai, shakaxhi i madh, nga skara e skuqur u tha persekutuesve të tij: “Më ktheni nga ana e majtë, se nga e djathta u poqa”. Është Pajtor i diakonëve, kuzhinerëve, zjarrfikësve (që aso kohe nuk mundën ta shuanin zjarrin mbi të cilin piqej). E që aso kohe, sipas legjendës, Lorenci qan sa herë shikon tokën e lotët e tij bien nga lart në trajtën e yjeve të arta, që këputen nga kupa blu e qiellit të gushtit. Legjenda i quan meteorët e 10 gushtit “Lotët e Shën Lorencit”, duke kujtuar fundin e martirit. E tregon se Lorenci, kur i erdhi fundi, i fali fajtorët e mbeti me sy të hapur fort, që shprehnin atë dhimbje, të cilën zëri tashmë nuk mund ta shprehte. Sy pa lot, të tharë nga zjarri. Prandaj qan vit për vit me lot yjesh, natën kur bota vijon ta kujtojë!