Shën Kjara e Asizit Shën Kjara e Asizit

Më 11 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Kjarën e Asizit

Shën Kjara e Asizit na fton t’ia dhurojmë jetën Krishtit. Kisha e kujton shёn Kjarёn si Virgjër që digjej nga dashuria hyjnore, në sa ia dhuronte Zotit vetveten ditë për ditë në lutje e në jetën e zakonshme

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike përkujton më 11 gusht shën Kiarën e Asizit, virgjër, themeluese e klariseve. “Filiz i Françeskut”, pemë që u rrit e lulëzoi mbi rrënjën e mbjellë nga Shën Françesku, mbi dashurinë për Krishtin e varfër e të kryqëzuar, që na dhuron gjithë vetveten. Kështu edhe Kjara e dhuroi plotësisht vetveten, duke u bërë nënë e motër jo vetëm për simotrat e veta të varfra të Shën Damianit, por edhe për Shën Françeskun e fretërit e tij. Provoi, kështu, përvojën rregulltare të amësisë. 

Ishte vetëm 12 vjeç Kjara, lindur më 1194 në familjen e pasur fisnike të Ofreduçëve, kur Françesku i Asizit zhvishet nga të gjitha rrobat e nga gjithçka kishte për t’ia kthyer të atit, Bernardonit. Ky shembull i shenjtit të ardhshëm do t’ia fitonte zemrën e shtatë vjet më vonë, në një mbrëmje të bukur Pashkësh, Kiara e re ikën nga shtëpia për t’u bashkuar me të në Porciunkola.

Shenjti i pret flokët dhe i vesh thesin e françeskanëve, për ta çuar më pas në kuvendin benedektin të Shën Palit, në Bastia Umbria, ku i ati u përpoq më kot ta bindte të kthehej në shtëpi. Kiara strehohet në ndërtesën e vogël pranë Kishës së Shën Damianit, ringritur nga Shën Françesku, ku themelon Urdhërin femëror të “vetmitareve të varfëra”, që më vonë do të quheshin klarise. Me të u bashkuan fillimisht motrat, pastaj shoqet e shumë të tjera, duke arritur menjëherë në 50 vetë. Më vonë, do të hynte murgeshë edhe e ëma, Ortolana.

Kiara qe abatesha e parë e urdhrit, për të cilin shën Françesku hartoi Rregullën e parë. Më vonë, ishte vetë Kiara, që shkroi Rregullën përfundimtare, duke i kërkuar e duke nxjerrë nga Papa Gregori IX të ashtuquajturin “privilegj të varfërisë”. Privilegj, sepse Papës iu dukën tepër të ashpra rregullat e varfërisë së Shën Kiarës dhe deshi t’ia lehtësonte, por abatesha e re nuk pranoi e Papa u detyrua t’ia lejonte këtë “privilegj”. Shën Kiara dëshironte që secila prej vetmitareve të veta të ishte e varfër e të ishte i tillë edhe kuvendi, të jetonin me punën e tyre e me ndonjë ndihmë nga françeskanët, por sidomos të luteshin për të gjithë, t’u shërbenin të gjithëve e të shqetësoheshin për të gjithë. “Privilegji i varfërisë” u miratua përfundimisht nga Papa Inoçenci IV me një bulë solemne papnore në vitin 1253, që iu dha shën Kiarës pak ditë para vdekjes.

Kur ishte e sëmurë (praktikisht gjysmën e jetës e kaloi me probleme shëndeti), nuk mundi të merrte pjesë në meshën e Natës së Krishtlindjes, kremtuar nga Shën Françesku në kishën pranë. Tregohet se në muret e qelës së saj u duk betlehemi dhe ritet e funskionit solemn, që po kremtoheshin në kishën e Shën Marisë së Engjëjve. Për këtë, Papa Piu XII e zgjodhi si Pajtore të televizionit.

E mbrutjur me frymën françeskane, që e ka qendrën në Eukaristi, u kujdes ta përhapte këtë përshpirtëri edhe pas vdekjes së shën Françeskut në vitin 1226. Në vitin 1243, ajo e shpëtoi kuvendin nga sulmi i saraçenëve, duke u treguar nga dritarja ostensorin me Osten Shenjte, që i verboi armiqtë, të cilët u larguan të frikësuar. Dy vjet pas vdekjes, Papa Aleksandri IV e shpalli shenjte të Kishës.

11 gusht 2024, 09:18