Shën Gjovana Shantal Shën Gjovana Shantal

Më 12 gusht kalendari kujton Shën Gjovanen Shantal, rregulltare

Gjovana Frémiot lindur konteshë, martuar lumturisht me një baron, që i hapi dyert e njërës nga kështjellat më të famshme të Francës, të cilën ajo e shndërroi në spital për të varfrit, na lë trashëgim moton: “Gjithçka bën, bëje për dhe me dashuri”. E këtë moto e dëshmoi deri sa dha frymën e fundit, duke shqiptuar tri herë emrin Jezus

R.SH. - Vatikan

Më 12 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Gjovanen Shantal, rregulltare. Jeta e Gjovana Fremiòt lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me shën Françeskun e Sales, drejtuesi e udhëheqësi i saj shpirtëror, për të cilin më pas u bë frymëzuese e bashkëpunëtore e ngushtë.  Gjovana di Shantal jetoi me moton: Të bësh gjithçka me dashuri, asgjë me dhunë!. 

Zhanë Fransua Fremiòt lindi në Dizhon të Francës më 28 janar 1572. Mbiemrin e ri e mori pas martesës me baronin Shantal. Zoti e bekoi ketë martesë me shtatë fëmijë. Si mbeti e vejë, Gjovana nisi të ndjente gjithnjë më tepër nevojën të largohej nga bota e t’i kushtohej plotësisht Zotit e kështu ia besoi veten Zemrës së Krishtit, duke e shkruar emrin e Zotit në kraharorin e vet, pranë zemrës, me hekur të skuqur. Kujtojmë se ishte gjyshja e Mari de Rabutë-Shantal, markezë dë Sévinjé, autore e veprës së famshme ‘Lettres’, që zë një vend të rëndësishëm në letërsinë epistulare franceze.

Nën udhëheqjen shpirtërore të Shën Françeskut të Sales, themeloi bashkëvëllazërinë e Vizitës së Virgjërës Mari tek Shën Elizabeta. Bijat e saj rregulltare njihen me emrin Vizitantine. Vdiq në kuvendin që kishte ngritur vetë, në Moulë të Borgonjës, më 13 dhjetor 1641. Para se të vdiste, kishte arritur të themelonte 75 shtëpi, shumë prej të cilave vijojnë edhe sot të strehojnë “Engjëjt e bardhë” të spitaleve, që shërbejnë ditë-natë tek koka e njerëzve të sëmurë, të varfër e të vetmuar.

Grua me amësi të dyfishtë, i ndoq të vetët hap pas hapi, në sa i vdisnin njëri pas tjetrit. Mort pas morti! E në një ditë të zezë të jetës, me dhimbje të thellë në shpirt, shfreu me fjalët: “O Zot, sa shumë të vdekur!”. Por e korrigjoi menjëherë veten: “Sa shtegtarë shpejtojnë të kthehen në Shtëpinë e amshuar; pranoi, o Zot, në krahët e mëshirës sate!”. Në një botë, ku amësia vihet keqas në diskutim, ajo, me amësinë e saj të dyfishtë, bëhet shembull i madh për Kishën e për njerëzimin. Para nesh parakalojnë ditë për ditë figura të diskutueshme, që na propozohen për t’i admiruar, për t’u përngjarë. Që shuhen pa ndritur. E figura mbi të cilat nuk ka pushtet as vdekja. S’na mbetet tjetër, veçse të zgjedhim.

Shën Gjovana Shantal na lë trashëgim moton: “Gjithçka bën, bëje për e me dashuri”. E këtë moto e dëshmoi deri sa dha frymën e fundit, duke shqiptuar tri herë emrin Jezus. Në Parriz e prisnin shumë njerëz, që i patën paraprirë. Të tjerë do ta pasojnë. E ne nuk mund të mos shpresojmë të jemi, një ditë, mes tyre…  Njeriu që ushqehet vazhdimisht me fjalën e Zotit, bëhet i përvujtë e i dëgjueshëm, si fëmijët: prandaj Ati qiellor nuk e lëshon kurrë dore, e ruan, e ushqen e ia mbush shpirtin me gëzimin, që vetëm Ai di ta japë. Ky reflektim buron pikërisht nga liturgjia e festës së Shën Gjovana Françeska Shantal, rregulltare.

Gjovana Frémiot, lindur konteshë, martuar lumturisht me një baron, që i hapi dyert e njërës nga kështjellat më të famshme të Francës, të cilën ajo e shndërroi në spital për të varfrit. Na lë trashëgim moton: “Gjithçka bën, bëje për e me dashuri”. E këtë moto e dëshmoi deri sa dha frymën e fundit, duke shqiptuar tri herë emrin Jezus.

12 gusht 2024, 11:13