Më 13 gusht kalendari kishtar kujton Shën Poncianin, papë e martir
R.SH. - Vatikan
Ponciani, nga familja e lashtë e fisnike Kalpurni, u zgjodh papë në vitin 230, gjatë sundimit të urtë e të butë të Aleksandër Severit, toleranca e të cilit i krijoi Kishës mundësitë të riorganizohej. Por pikërisht në këtë kohë të shkurtër paqeje, në Kishën e Romës ndodhi përçarja e parë, gjatë së cilës Papës së ligjshëm iu kundërvu një antipapë, e pikërisht Hipoliti.
Meshtar i kulturuar e i rreptë, që kishte frikë se reformat mund ta shtynin në rrugë të gabuar, Hipoliti çoi krye e pranoi të zgjidhej papë nga ndjekësit e tij, në sa në fronin e papnisë ishe i ulur Papa Ponciani, duke hapur plagë të rënda ‘në orën e provës, në kohën kur shpata përshkonte përmbrendcat e Kishës Nënë, në sa ajo, besnike ndaj Krishtit, ecte drejt mbretërisë së shenjtorëve”, siç shkruan papa Damasi në një epigram të kohës.
Ndërkaq, vendin e perandorit Aleksandër Severi, që u mbyt në Gjermani nga legjionarët e tij, e zuri Masimini, i cili rifilloi të nxirrte edikte kundër të krishterëve. E duke parë se Kishën e kryesonin dy papë, i kapi të dy e i çoi në punë të detyrueshme ndër minierat e Sardenjës, ku edhe vdiqën të martirizuar.
Ponciani është papa i parë i internuar. Ishte një problem krejt i ri e i panjohur për Kishën e kohës, të cilin Papa e zgjidhi me urti. Që besimtarët të mos mbeteshin pa bari, dha dorëheqjen nga papnia, edhe ky fakt krejt i ri, që vërtetohej për herë të parë në historinë kishtare. E pasoi në fronin e Shën Pjetrit greku Antero, që e drejtoi Kishën vetëm për 40 ditë.
Gjesti kaq fisnik i Poncianit e preku thellë Hipolitin, i cili e pati keqkuptuar zellin në shërbim të Kishës. U pajtua, prandaj, me Kishën dhe vdiq si martir, në thellësitë e minierave, pranë e pranë me Poncianin. Në vitin 230 trupat e të dy martirëve u sollën në Romë ku u varrosën me nderime të mëdha: Hipoliti në rrugën Tiburtina, Ponciani në katakombet e Shën Kalistit