Shën Gjoni Berkmans Shën Gjoni Berkmans

Më 13 gusht kalendari kujton shën Gjonin Berkmans

Një nga veprat në prozë të dom Ndre Mjedjes – natyrisht të ndaluara nga komunizmi, pasi fetare – është edhe “Jeta e shejtit Sh’Gjon Berkmans”, të cilin kalendari liturgjik e përkujton sot, 13 gusht. Motoja e tij ishte “Bëje mirë atë që po bën dhe jep maksimumin, duke bërë gjërat më të përvuajtura”. Është shenjt pajtor i rinisë studentore

R.SH. – Vatikan

Një veprat në prozë të dom Ndre Mjedjes – natyrisht të ndaluara nga komunizmi, pasi fetare – është edhe “Jeta e shejtit Sh’Gjon Berkmans”, të cilin kalendari liturgjik e përkujton sot, 13 gusht. Motoja e tij ishte “Bëje mirë atë që po bën dhe jep maksimumin, duke bërë gjërat më të përvuajtura”.

I pari nga pesë vëllezërit, Gjoni u lind në një familje modeste të një regjësi lëkure fiaming. Kur ishte vetëm 10 vjeç, nëna iu sëmur rëndë, prandaj, ai iu besua kujdesit të dajave e, më pas, u dërgua në konvikt. Por Gjoni i kishte idetë e qarta: dëshironte të bëhej prift. Kështu, filloi studimet latine në shkollën Diest, por nuk kishte para, prandaj, iu desh të largohet për të mësuar një zanat. Ia kërkoi këtë i ati, i cili nuk e shikonte me sy të mirë thirrjen e tij, por kontakti me atë djalë shenjt do ta ndryshonte deri në atë pikë sa të bëhej edhe ai meshtar, pas vdekjes së gruas, në vitin 1616. Për hir të Provanisë Hyjnore, Gjoni hyri në shërbim në shtëpinë e kanonikut Froymont, në Malines, ku si mësues kujdesej edhe për fëmijët e vegjël të fisnikërisë së vendit, duke fituar kështu çka ishte e nevojshme për të vazhduar studimet.

Në gjurmët e Luigj Gonzagës

Jemi në vitin 1615. Jezuitët hapin një kolegj në Malines, pikërisht në periudhën kur Gjoni ishte i pavendosur për formën, që duhej t’i jepte thirrjes së tij. Duke lexuar, për kuriozitet, biografinë e shenjtit të ardhshëm Luigj Gonzagës, i cili kishte vdekur disa vite më parë, ai kuptoi se ku e dëshironte Zoti dhe hyri në Shoqërinë e Jezusit. Ishte nxënës i shkëlqyer, që ndiqte të gjitha rregullat, të cilat, atëherë, ishin të ndryshme në varësi të bashkësisë ku bëje pjesë. Vetëm pas një viti, u emërua prefekt i rishtarëve, të cilët ishin më se njëqind. Pasi bëri kushtet përfundimtare, më 1618, Gjoni u dërgua në Romë për të vazhduar studimet, por këtu u sëmur rëndë dhe vdiq në vitin 1621, në moshën 22 vjeçare. Varri i tij ndodhet pikërisht në Romë, në kishën e jezuitëve, kushtuar themeluesit të tyre, Shën Injacit të Lojolës, ndërsa një relike e zemrës së tij gjendet në Leuven, në kishën jezuite të Shën Mikelit.

Përshpirtëria e Gjonit: Frati Ilaro

Duke gjykuar nga pseudonimi, që i dhanë në jetën e tij të shkurtër komunitare - Frati Ilaro - mund të thuhet se Gjoni është shenjtori i buzëqeshjes, tregues i një udhe drejt shenjtërisë, që përshkohet me gëzimin dhe jetën e përditshme. Realizmi i tij shpirtëror është i shëndoshë dhe i sinqertë dhe i vjen sigurisht nga origjina e tij e varfër dhe nga shkolla asketike belge, por diti të hapet për mësimet injaciane. Shembull për të gjithë se si mund të jetohet me gëzim në Zotin, Gjoni Berkmans ka pasur përvoja mistike dhe është prekur nga hiri hyjnor, por ajo që e karakterizonte më shumë ishte mëshira për të tjerët dhe përkushtimi i zjarrtë për Eukaristinë e për Virgjërën Mari. U shpall shenjt nga Papa Leoni XIII në vitin 1888, së bashku me shenjtorët Stanislao Kotska dhe Luigj Gonzaga. Është shenjt pajtor i rinisë studentore.

13 gusht 2024, 10:06