Kërko

 Martirio di San Giovanni Battista Martirio di San Giovanni Battista

Me 29 gusht Kisha kremton Martirizimin e Shën Gjon Pagëzuesit

Martirizimi i shën Gjonit, pararendësit të Jezu Krishtit, tek populli shqiptar njihet si festa e shën Gjonit Kryepre. Si profet i vërtetë, Gjoni bëri dëshmi për të vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet e urdhrave të Zotit, edhe kur ata që nuk i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm. Kur akuzoi Herodin e Herodiadën për shkelje të kurores së martesës, Gjoni e pagoi me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij ndaj Krishtit, që është vetë e Vërteta.

R.SH. - Vatikan

Mё 29 gusht Kisha katolike romake kremton martirizimin e Shёn Pagёzuesit, personaliteti për të cilin Jezusi tha: “Asnjë profet nuk qe më i madh se Gjoni”.

Gjon Pagëzuesi e vulosi misionin e tij si pararendës, ‘zë’ i dërguar për të kumtuar Krishtin, Fjalën e mishëruar tё Hyjit,  me martirizim. Herodi Antipa, pasi e burgosi në fortesën e Makerontes, në Lindje të Detit të vdekur, në Jordaninë e sotme, ia preu kokën në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e tij.

Shën Gjon Pagëzuesi u martirizua sepse pati ngritur zërin e gishtin kundër Herodiadës, kunatës së Herodit, që bashkëjetonte me të. E ishte pikërisht ajo që, duke shfrytëzuar bukurinë e së bijës, Salomesë, i kërkoi Herodit kokën e kundërshtarit, duke menduar se kështu do t’ia mbyllte gojën përgjithmonë.

Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë. Së bashku me Virgjërën Mari, Gjon Pagëzuesi  është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe lindja.

Gjithsesi ai mbetet vetëm një gisht tregues, i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Isenhaimit, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grunevald, që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516, e vendos Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit, me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.

Gjoni, i biri i Zakarisë dhe i Elizabetës, kushërirës së Virgjërës Mari, predikoi pendesën dhe kthimin e zemrave, për të përgatitur kështu ngjarjen e madhe të mbretërisë mesianike, tashmë krejt të afërt. Në shenjë spastrimi nga mëkatet e lindjeje për një jetë të re, i zhyste në ujërat e Jordanit ata që e pranonin predikimin e tij. I pagëzonte. Prej këndej vjen emri i tij: Shën Gjon Pagëzuesi. Ai është profeti i madh, që e quajti Krishtin: Qengji i Zotit, ai që shlyen mëkatet e botës” dhe e pranoi si Mesinë e shumëpritur.

Shën Gjon Pagëzuesi, figurë e pasqyruar ndër të gjitha llojet e arteve, është dëshmitari i parë martir i krishterimit. Paraardhës i Krishtit me fjalë e me vepra, na kujton se Zoti na thërret në shërbim të tij që nga kraharori i nënës. Nuk ka ndryshuar, për njerëzimin e shekullit XXI rruga e treguar mëse dymijë vjet më parë nga Shën Gjon Pagëzuesi, përmes së cilës arrihet qetësia e paqja. Është rrugë që na kujton drejtësinë e britmës së lartuar nga pararendësi në shkretëtirë: "Përgatitjani rrugët Zotit, drejtoni shtigjet e tija!.

Kjo britmë profetike vijon të dëgjohet në rrjedhë shekujsh. E dëgjojmë edhe në epokën tonë, ndërsa njerëzimi vijon ecjen në histori. Ai u tregon rrugën që duhet të ndjekin njerëzve të mijëvjeçarit të tretë, në kërkim të qetësisë e të paqes . Prandaj Kisha i fton gjithë të krishterët ta ndjekin shembullin e Shën Gjon Pagëzuesit, sepse feja kërkon nga ne ta shpallim qartë të vërtetën e dashurisë ungjillore, pa frikë e pa iu nënshtruar kurrë kushtëzimeve të botës.

Në historinë e Kishës nuk ka munguar e nuk do të mungojë kurrë persekutimi, por pikërisht persekutimi bëhet burim i misionit të të krishterëve të rinj të cilët, si Shën Gjon Pagëzuesi, e kumtojnë të vërtetën pa frikë.

Si profet i vërtetë, Gjoni bëri dëshmi për të vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet e urdhrave të Hyjit, edhe kur ata që nuk i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm. Kështu, kur akuzoi Herodin e Herodiadën për shkelje kurore, e pagoi me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij ndaj Krishtit, që është vetë e Vërteta. T’i lutemi të ndërmjetësojë për ne, së bashku me Zojën e Bekuar, që edhe në ditët tona Kisha t’i qëndrojë gjithnjë besnike Krishtit e ta dëshmojë me guxim të vërtetën e tij e dashurinë e tij për të gjithë”. (Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot, 25 mars 2007)

Gjithsesi Gjon Pagëzuesi nuk e kërkoi martirizimin. Martirët e të gjitha kohëve duan vetëm të dëshmojnë se dashuria e Krishtit Zot është më e fortë se dhuna e se urrejtja. "Ata nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit.  Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit ". ( Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot 25 mars 2007).

T’i falësh persekutorët, t’i duash armiqtë: ky është revolucioni i krishterë, që mund të bëhet realitet vetëm në se njeriu e lë veten të formohet nga Shpirti Shenjt që, në bashkim me Krishtin, e shndërron vdekjen në jetë: "Martiri i krishterë aktualizon fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen. Të lutemi për ata që vuajnë për shkak të besnikërisë ndaj Krishtit e Kishës së tij. Zoja e Bekuar, Mbretëresha e Martirëve, na ndihmoftë për të qenë dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit, duke iu përgjigjur armiqve me forcën çarmatosëse të së vërtetës e të dashurisë ". ( Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot, 26 dhjetor 2006).

Një figurë tejet e veçantë kjo e Shën Gjon Pagëzuesit, që shprehej qartë, pa menduar se e vërteta paguhet shtrenjtë…Ai është shumë i vetëdijshëm për misionin që i është besuar: përgatitjen e ardhjes së Jezusit. Shprehet bukur Shën Agostini, kur thotë se Shën Gjoni është vendosur në kufirin ndërmjet dy Besëlidhjeve: së Vjetrës e së Resë. Është urë lidhëse. Ai është zëri, Krishti-Fjala. Janë dy figura, që kujtojnë njëra-tjetrën e plotësojnë njëra-tjetrën. Gjon Pagëzuesi, që simbolizon Besëlidhjen e Vjetër, plotësohet nga Krishti, simbol i Besëlidhjes së Re.

Sot njerëzit nuk duan mësues, por dëshmitarë. Gjon Pagëzuesi është dëshmitar i vërtetë. Ai e paguan me gjak pranimin e besimin në Krishtin. Nuk e humbet kohën me shumë fjalë, me sofizma. Shkon drejtpërdrejt tek themelorja. E tregon me gisht Krishtin si qengjin, që shlyen mëkatet e botës. Ai i drejton dishepujt nga Krishti. Ndërsa veten e shikon si njeri, që nuk është i denjë t’ia zgjidhë Zotit as lidhëzat e sandaleve. Është ashtu, si duhet të jetë secili prej nesh: dëshmitar, që tregon Krishtin; prani e pranisë së Zotit. E kështu mund të jetë vetëm kur e jeton atë që beson, atë që mëson. Ja, pra, mesazhi është se kemi nevojë për dëshmitarë!

 

29 gusht 2024, 09:07