Kërko

Shndërrimi i Krishtit Shndërrimi i Krishtit

Më 6 gusht kremtohet Shndërrimi i Jezu Krishtit

Në solemnitetin e Shndërrimit të Jezu Krishtit Kisha na tregon cakun e udhës së kthimit, pjesëmarrjen tonë në lumninë e Krishtit Zot e Shëlbues. Fjala e Zotit e kësaj feste, na fton të ndalemi tek episodi i Shndërrimit të Jezusit para Pjetrit, Jakut e Gjonit, që morën porosinë hyjnore: Dëgjojeni! Ta dëgjojmë Jezusin. Ai është Shëlbuesi: ndiqeni!

R.SH. - Vatican News

Më 6 gusht Kisha katolike romake kremton festën e Shndërrimit të Krishtit mbi malin Tabor. Transfigurimi apo Shndërrimi i Jezu Krishtit është ndër festat teologjikisht më të pasura, dëfton fytyrën e Jezu Krishtit Zot, Birit të dashur të Atit Qiellor dhe cakun drejt të cilin dishepujt dhe ne të gjithë njerëzit, jemi të thirrur të shkojmë, duke zbuluar e duke pranuar të vërtetën e Krishtit e të mbarë njerëzimit, siç tregon Shën Marku: “Gjashtë ditë pas, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre” (Mk 9,2).

Në këtë dritë, mund ta kremtojmë Shndërrimin si festë në të cilën Kisha e shpall vizionin e vet të njerëzimit integral. Të kundrosh bukurinë e Krishtit të Shndërruar, do të thotë që dishepulli e çdo besimtar, të dëshirojë që e tërë bota të përqafohet e të mbështjellët nga drita shndërruese dhe të jetojë sipas kësaj dëshire e këtij synimi të shenjtë.

Pra, liturgjia e këetij solemniteti na fton ta ndjekim Jezu Krishtin mbi Tabor, mbi malin e heshtjes e të kundrimit, përvojë të cilën Kisha ua këshillon të gjithë besimtarëve, në forma të ndryshme, që u përshtaten thirrjeve e kushteve të posaçme të jetesës, në mënyrë që bashkësitë e krishtera të bëhen shkolla të vërteta lutjeje, ku të na ngadhënjejë në shpirt misteri i dritës dhe i dashurisë së Hyjit.

Ishte viti i largët 1457, kur Papa Kalisti III e shtriu këtë festë në mbarë Kishën universale. Data 6 gusht u caktua duke u nisur nga një traditë, sipas së cilës Zoti u shndërrua para syve të mrekulluar të Apostujve dyzet ditë para kryqëzimit, festë e cila, si në kishën lindore, ashtu edhe në atë perëndimore, kremtohet më 14 shtator me Lartimin e Kryqit të Shenjtë.

Mbi Malin Tabor

Më 6 gusht, Kisha katolike dhe ortodokse kremtojnë Shndërrimin e Zotit, siç tregohet në Ungjijtë. Jezusi zgjodhi disa nga dishepujt e u ngjit me ta mbi malin Tabor për t’u lutur. Gjashtë ditë më parë u kishte thënë dishepujve të vet: “Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit   bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre. Përnjëmend po ju them: Disa nga këta të pranishëm nuk kanë për të vdekur, pa e parë Birin e njeriut duke ardhur me mbretërinë e vet”(Mt 16.28). Zgjodhi, pra, Pjetrin, Jakobin e Gjonin për ta shoqëruar. E para tyre u duk me Korpin e tij të lumnuem.

Shndërrimi

“Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima. Dhe ja se u dukën dy njerëz e nisën të bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. Rrethoheshin me lumni e bisedonin për kalimin e tij nga kjo jetë, së shpejti, në Jeruzalem. Pjetrin dhe shokët i kish lodhur gjumi, por e mundën, nga dëshira për të parë, çka s’e kishte parë asnjeri: lavdinë e Tij dhe ata dy burra, që po bisedonin me të! E, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë”. E, pa e kryer ende mirë fjalën, ja se i mbuloi një re e shndritshme e nga reja u dëgjua një zë, që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” 

 Ngjarja tregohet në Ungjijtë: tek Mateu 17: 1-8; Marku 9: 2-8 dhe Luka 9: 28-36.

Cili Papë vendosi ta shtrijë festën në Kishën universale?

Liturgjia romake e lexonte këtë fragment të Ungjillit kushtuar  Shndërrimit të Zotit, të Shtunën e katërt të Kohës së Kreshmëve, duke e lidhur me Ungjillin e Mundimeve. Vetë Mateu ungjilltar e nis tregimin me fjalët: “Gjashtë ditë më vonë (domethënë pas rrëfimit solemn të Pjetrit dhe shpalljes së parë të mundimeve), Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij dhe i çoi në një mal të lartë, mënjanë. E u shndërrua para tyre: fytyra e tij shndriti si dielli e petkat e tij u bënë të bardha si drita”.

Në këtë episod ka një kontrast të qartë me agoninë në Kopshtin e Gjetsemanit. Shndërrimi, pjesë e misterit të shëlbimit, ishte shumë i denjë për një festë liturgjike që Kisha, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje,  nisi ta kremtojë në mënyra dhe data të ndryshme. Derisa Papa Kalisti III, në vitin 1457, e shtriu festën në mbarë Kishën universale. Për përhapjen e gjithmbarëshme të festës, dhanë ndihmesë të shquar Pjetri i Nderuar dhe Kluni.

Ç’na kujton Mali i Shndërrimit?

Një traditë e vërtetuar që në shekullin IV nga Qirili i Jeruzalemit e dhe nga Jeronimi e identifikon vendin, ku duhet të ketë ndodhur Shndërrimi, me malin Tabor, në arabisht Gebel et-Tur (mali). Një kodër e rrumbullt dhe e izoluar, rreth 600 metra e lartë mbi nivelin e luginave përreth. Pikërisht në këtë kodër bizantinët do të ndërtonin, më pas, tri kisha të përmendura nga Anonimi Piacentin, i cili do t’i vizitonte në vitin 570. Një shekull më vonë Arculfo do të gjente atje një numër të madh murgjish dhe në veprën “Commemoratorium de Casis Dei” (shek. IX) do të përmendte ipeshkvninë e Taborit, me tetëmbëdhjetë murgjër, që u shërbenin katër kishave. Më vonë benediktinët do të ndërtonin  një abaci, duke i rrethuar ndërtesat me mur të fortifikuar.

Pse festohet më 6 gusht?

 Sipas disa historianëve të liturgjisë, festa e Shndërrimit të kujton kushtimin e bazilikave të malit Tabor. Nisi të kremtohej nga Kisha Nestoriane që në fund të shekullit të pestë, gjë që u dokumentua në shekullin VII, në Sirinë perëndimore. Data e festës, 6 gusht, përkon me traditën që, ashtu si Ungjijtë, na kujton se Shndërrimi duhet të kishte ndodhur dyzet ditë para kryqëzimit të Krishtit.

Në Lindje festa e Lartimit të Kryqit të Shenjtë kremtohej më 14 shtator, prandaj data e Shndërrimit u caktua në përkim me rrëfimin ungjillor.

Në Perëndim, dëshmitë e para të festës nisin që nga mesi i shekullit IX (në Napoli, vendet gjermanike, Spanjë). Më pas, në shekullin X, në Francë, e, në shekujt XI dhe XII, edhe në Romë, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Në trojet tona, asokohe ende ilire, duhet të ketë nisur menjëherë pas shtegtimit të Shën Palit e pagëzimit të ilirëve të parë….Pinjollët e të cilëve më vonë u quajtën  shqiptarë!

06 gusht 2024, 09:40