Më 7 gusht kalendari kishtar kujton shën Gajtanin e Tienës
R.SH. - Vatikan
Buenos Ájres kremtoi sot festën e Shën Gajtanit të Tienës, i njohur nga argjetinasit me emrin Shën Cayetano, figurë shumë e dashur për njerëzit e varfër, banorë të shtëpive të mjerimit. Çdo vit, më 7 gusht, shtegtarë të shumtë nisen drejt Shenjtërores së Shën Gajtanit, në rrethinat e kryeqytetit argjentinas.
Kush është Shën Gajtani i Tienës?
Lindi në Viçencë, në gjirin e një familjeje fisnike të Tienës, në vitin 1480. U pagëzua me emrin Gaetano, në kujtim të xhaxhait të tij të famshëm, që quhej kështu, sepse i lindur në Gaeta.
Si u diplomua në Padovë, në drejtësi, kur ishte vetëm 24 vjeç, iu kushtua jetës kishtare, por pa u shuguruar meshtar, sepse nuk e ndjente veten të denjë për një mision kaq të lartë. Pikërisht në këtë kohë, në fermën e familjes, në Rampaco, ngriti një kishë kushtuar Shën Marisë Magdalenë, që vijon të jetë kisha famullitare e vendit. Pronoter apostolik i Papës Juli II, nën papninë e Leonit X u largua nga oborri papnor, për të jetuar në Oratorin e Dashurisë Hyjnore, në lutje e në shërbim të të varfërve.
Njihet si riorganizues i jetës meshtarake e rregulltare, frymëzuar nga Fjalimi i Malit, sipas modelit të Kishës Apostolike. Në shtator 1516, në moshën 36 vjeçe, pranoi të shugurohet meshtar, por meshën e parë e kremtoi vetëm në Krishtlindjen e këtij viti, në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. Në një letër, drejtuar motrës Laura Minjani, me të cilën e lidhte devocioni bijnor, Gaetano tregon se gjatë meshës, iu duk Zoja e Bekuar e i lëshoi në krahë Krishtin Fëmijë. Prej këndej, ikonografia.
Plot devocion për djepin e për kryqin e Zotit, themeloi më 1524, së bashku me don Pjetro Karafën, ipeshkëv i Kietit, më pas, Papa Pali IV (1555-1559), Klerikët Rregulltarë Teatinë. Veprimtaria e tij shumëformëshe vijoi në Napoli, derisa ndërroi jetë: themeloi strehë për pleqtë, fuqizoi spitalin për të sëmurët e pashërueshëm, krijoi Bankat e Mëshirës, nga të cilat, më 1539, lindi Banka e Napolit, Instituti më i fuqishëm bankar i Italisë së Jugut; edukoi popullin me dëshirën për t’i marrë sakramentet, i qëndroi tepër pranë, në çaste urie, sëmundjesh epidemike, kryengritjesh të përgjakshme.
Sheshi para Bazilikës së Shën Palit të Madh, por edhe vetë bazilika, për shekuj seli e urdhërit të treatinëve, tashmë thirren nga të gjithë Sheshi e Bazilika e ‘Shën Gajtanit’. Në këtë shesh, si në zonat e tjera të Napolit, ngrihet një shtatore e Shenjtit, që u lumnua më 23 nëntor 1624, nga Papa Urbani VIII e u shenjtërua më 12 prill 1671, nga Papa Klementi X. Për besimin e pakufishëm në Zotin, nderohet si shenjt i Provanisë Hyjnore. Në Argjentinë, si Pajtor i bukës e i punës!