Shën Domeniku Guzman Shën Domeniku Guzman

Më 8 gusht, kalendari Kishtar përkujton Shën Domenikun (Dedën) e Guzmanit, meshtar e themelues i Predikatarëve

Shën Deda Guzman, meshtar, themelues i Urdhrit të Predikatarëv, shembull nxitës e inkurajues në shërbim të Krishtit e të Kishës, jetoi ndërmjet shekullit XII e XIII. Dy aspiratat më të mëdha të shën Domenikut janё ungjillëzimi i atyre që nuk e njihnin Krishtin dhe riungjillëzimi i atyre që kishin dalë nga rruga e drejtë e fesë. Qe “i ëmbël si nëna, i fortë si diamanti”

R.SH. - Vatikan

Më 8 gusht, Kisha katolike përkujton Shën Domenikun (Dedën) e Guzmanit, meshtar, rregulltar, themelues i Domenikanëve, predikatar i Ungjillit, shembull nxitës e inkurajues në shërbim të Krishtit e të Kishës, i ëmbël si nëna, i fortë si diamanti, jetoi ndërmjet shekullit XII e XIII.

Shën Domeniku (Shën Deda) i Guzmànit, predikatar i Ungjillit, meshtar, themelues i Urdhrit të Predikatarëve, shembull nxitës e inkurajues në shërbim të Krishtit e të Kishës, i ëmbël si nëna, i fortë si diamanti, jetoi ndërmjet shekullit XII e XIII.

Të flasë me Jezu Krishtin, ose të flasë për Jezu Krishtin, asgjë tjetër. Ky është thelbi i të krishterit, gati-gati një ideal i paarritshëm. Në të vërtetë, historia njeh një person, që e jetoi mrekullisht këtë ideal, gjatë 51 vjetëve të jetës së tij. Person i rëndësishëm për Kishën, për të cilin, mund të thuhet se e ndau kohën më dysh: para e pas tij. Ky shenjt i madh është shën Domeniku apo Deda Guzman, i cili qe “i ëmbël si nëna, i fortë si diamanti”.

Një i ri fisnik kastilian, që shkëlqente në studime, por që nuk hezitonte t’i shiste librat për të ndihmuar ndokënd në fatkeqësi. Më vonë, një meshtar brilant, i cili kur u zgjodh në detyra të rëndësishme për Kishën e shoqërinë, nuk e konsideroi këtë si privilegj personal, por si shërbim që u duhej bërë të tjerëve me përkushtim e përvujtëri. Këto janë veçoritë e Shën Dedës së Guzmanit, të cilat do të përvijonin stilin e një Urdhëri të rëndësishëm fetar, siç është ai i domenikanëve.

Një nga figurat më të mëdha të historisë së Kishës, shën Domeniku (Shën Deda) themeloi Urdhërin e Fretërve Predikatarë, të njohur si domenikanët. Ishte, para së gjithash, apostull i përvuajtur e i palodhur i Ungjillit.

Kur vdiq, i rrethuar me dashurinë, të cilën e meriton vetëm ai, që e ka flijuar jetën e vet për të tjerët, shtrati ku dha frymën e fundit nuk ishte i tij. Sepse Domenik Guzmàn nuk kishte qelë të vetën në kuvend. S’është për t’u çuditur kur ke të bësh me një njeri 51-vjeçar, që s’mbajti asgjë për vete, përveç Ungjillit, të cilin e kumtonte kudo shkonte.

 Kur fëmijë – ai, me origjinë nga një fshat spanjoll nëpër male, në Castiljen e Vjetër – shkon për të studiuar në Palencia, nga fundi i vitit 1200, e sheh pasojat e luftës e të zisë së bukës, nuk mendon dy herë dhe shet objektet e dhomës e madje, edhe pergamenat e tij të çmuara, për t’u dhënë diçka të varfërve. Natyrisht, ky gjest shkandulloi, por jo më pak edhe përgjigjja e Domenikut: “Si mund të studioj mbi lëkura të vdekura, ndërsa vëllezërit e mi vdesin nga uria?”. Kështu i sheh Domeniku, si “vëllezër”, ato hije njerëzish, që luftonin kundër mjerimit e atyre do t’u shërbejë gjithë jetën.

Bëhet meshtar në moshën 24-vjeçare dhe zgjidhet nga Ipeshkvi i Osma-s për ta shoqëruar në një mision delikat diplomatik në Danimarkë. Në ato udhëtime, Domeniku zbulon thirrjen e tij: t’u kumtonte Jezusin atyre, që s’kishin dëgjuar për Të. Papa Inoçenci III i thotë se ku: në Francë, në zonën e Albigeze-s, teatër i herezisë së katarëve. Ndërmjet bisedave intensive private dhe debateve publike, negociatave, pendesave e punës së palodhur me të varfërit, kalojnë rreth 15 vjet.

Stili bujar, guximi dhe feja e patundur e Domenikut tërheqin si magnet. Disa miq i kërkojnë ta ndajë me ta këtë lloj jete dhe në shenjtin e ardhshëm piqet ideja, që ka për zemër prej kohësh: t’i japë predikimit një strukturë, një organizatë. Në tetor 1215 ia nënshtron planin gjykimit të Papës Inoçenci, i cili e miraton. Lind kështu, Urdhëri i Fretërve Predikatarë, të cilët, nga gushti i dy vjetëve më vonë, fillon të përhapet në gjithë Evropën.

Bolonja qe qyteti, ku zhvillohen dy kapitujt e parë të përgjithshëm të Urdhërit, në të cilat përcaktohen pikat kryesore të karizmës: predikimi, varfëria – ashtu si e Shën Françeskut të Asizit – por një varfëri prej lypësi, aspekt ky, i lidhur për herë të parë me një Urdhër kishtar, pastaj studimi e natyrisht, misioni. E Bolonja është edhe vendi i mbramë i Domenikut të Guzmàn-it, që aty shuhet më 6 gusht 1221. E më 3 korrik 1234, Papa Gregori IX e shpall shenjt këtë apostull, të cilin, rregulltari domenikan i ‘800-ës, Lacordaire, e quajti “të ëmbël si nëna, të fortë si diamanti”.

Kujtojmë se Etërit Domenikanë kanë qenë në Shqipëri qysh në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me të cilin kanë bashkëpunuar nga afër deri me largimin e tyre me pushtimin osman dhe kthimin në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist, në Durrës.

08 gusht 2024, 09:53