Më 9 gusht, kremtohet Shën Tereza Benedikta e Kryqit, Pajtore e Evropës
R.SH. - Vatikan
Kisha kremton sot festën e shën Terezës Benedikta e Kryqit, e cila para se të bëhej murgeshë, mbante emrin Edit Shtajn e pasi u bë karmelitane e u martirizua për Krishtin, u shpall shenjte dhe bashkëpajtore e Evropës. Filozofja gjermane e fesë hebraike u kthye në fenë e krishterë në vitin 1921, pasi lexoi autobiografinë e shën Terezës së Avilës. Si sot, në vitin 1942, vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit së bashku me të motrën Roza.
Përshkoi kohët e errëta të Luftës II Botërore, pa e humbur kurrë nga sytë shpresën, Zotin e jetës e të dashurisë. Edith Stein lindi më 12 tetor 1891 nga prindër hebrenj, në Breslau të Gjermanisë. U shkollua në qytetin e lindjes, në Gëtingen e në Fraiburg. Studioi filologji e filozofi, duke u doktoruar me rezultate të shkëlqyera.
U bë shumë shpejt asistente dhe bashkëpunëtore e profesor Husserl, themelues i famshëm i fenomenologjisë, i cili e vlerësoi jashtëzakonisht për mendjen e saj të ndritur. Ajo vijoi të studionte, gjithnjë e shqetë, gjithnjë e pakënaqur nga vetvetja e nga shkenca. Kërkonte të vërtetën, shpjegimin e enigmës së jetës. E gjeti vetëm në fenë katolike, pas leximit të autobiografisë së Shën Terezës së Avilës. U pagëzua ditën e vitit të ri 1922.
Pas pagëzimit vendosi të hyjë në Karmel, duke ia paraqitur Zotit jetën e vet si flije në elter për shpëtimin e njerëzve të saj. E ndërsa jetonte në vetminë e kuvendit të klauzurës, duke shkruar, duke medituar e duke prodhuar vepra të shkëlqyera, filozofike, që hapnin një faqe të re në historinë e filozofisë botërore, ndikimi i saj në botën plot zhurmë, që ziente përjashta mureve të Karmelit, rritej çdo ditë. Ajo kishte veshur zhgunin e rregulltares më 14 tetor 1933: bashkë me veshjen e re, kishte marrë edhe një emër të ri: Shën Tereza Benedeta e Kryqit.
Kur shpërtheu persekutimi nazist kundër hebrenjve, motrat e transferuan në Holandë. Kaloi kufirin më 31 dhjetor 1938 dhe u strehuar në Karmelin e Ehtit, ku u prit me dashuri të madhe e ku shkroi edhe veprën e saj të fundit: "Shkenca e Kryqit". Ndërsa vijonte të krijonte, nazistët kishin pushtuar Holandën e ipeshkvijtë holandezë kishin botuar një letër baritore, përmes së cilës protestonin për mbylljen e hebrenjve ndër kampet famëkëqija dhe përjashtimin e fëmijëve të tyre nga sistemi shkollor katolik. Nazistët, pa pyetur fare për këtë protestë, nisën të arrestojnë dhe të internojnë të gjithë katolikët holandezë me origjinë hebraike, që u ranë në dorë.
Më 2 gusht 1942 nuk ngurruan të hynin në qelinë e heshtur të rregulltares-filozofe. E nxorën prej Karmelit të rënduar me pranga dhe e flakën në një nga trenat e bagëtive që shtegtonte drejt Aushvicit. Ishte një udhëtim tragjik që vijoi katër ditë. Shumë nga ata që udhëtonin në këtë shtegtim vdekjeje pranë Rregulltares, dhanë shpirt rrugës. Ajo arriti paksa gjallë, për të dhënë frymën e fundit në dhomat famëkëqija të gazit në Birkenau, më 9 gusht 1942. Flijimi ishte kryer. Zoti e kishte pranuar sakrificën e asaj që Papa Gjon Pali II do ta shpallte të lumtur më 1 maj 1987, shenjte më 11 tetor 1998, bashkëpajtore qiellore të Evropës më 1 tetor 1999.
Nga vendi ku dikur ngrihej kampi i tmerrshëm, nuk ka mbetur më asgjë që të kujton mizoritë e kryera një gjysmë shekulli më parë. Mbi hirin e të vdekurve, lulëzon një pyll ku, si shenjë kujtimi, është ruajtur vetëm baza e një furre krematore me një mbishkrim në hebraisht e polonisht për të kujtuar mijëra viktimat. Nga trupi i Edith Stein nuk ka mbetur asnjë relike. Hiri i saj është i shpërndarë nëpër pyll, shenjë e flijimit të plotë për Zotin e për popullin e vet.
Fillimisht, ideali i saj ishte liria. Përshkoi udhën e mundimshme të filozofisë me pasion të zjarrtë. Duke e parë këtë periudhë të jetës së saj, si karmelitane, shkroi: ‘Kush kërkon të vërtetën, me vetëdije ose jo, kërkon Zotin’.
Me martirizimin e saj ka pohuar e shpallur arsyet e Zotit e të njeriut duke hedhur një urë me harqet filozofike e mistike. Tri gjurmët që e shpien tek Kryqi janë: përkatësia e saj popullit hebraik; eksperienca e saj kulturale, etja e së vërtetës e për të vërtetën dhe përqafimi i katolicizmit më 1922, me hyrjen e saj në rregullin e Karmelit.