114-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, ikonës shqiptare të dashurisë së Zotit
R.SH. - Vatikan
Sot mё 26 gusht kujtojmё 114-vjetorin e lindjes së Shenjtës Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiu, ikonës shqiptare tё dashurisë së Zotit, kёsaj shërbëtoreje tё madhe të më varfërve ndër të varfër, që me shërbimin e pakursyer e plot dashuri dhe me buzëqeshjen e saj, e shndërroi botën e mjerimit.
Sot më 26 gusht bie 114-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiut. Përvjetori i lindjes së Shenjës shqiptare u festua sot paradite në Shtëpinë e Nënës, në Kolkata (Bengali Perëndimor) [Indi] nga Motrat Misionare të Bamirësisë. Me këtë rast Kryeministrja e Bengalit Perëndimor Mamata Banerjee bëri homazhe për Nënën e Dashurisë.
Shenjta Nënë Terezё, Ganxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, asokohe nën pushtimin osman, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë, u shpall e Lume në Vatikan nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003, u shpall Shenjte në Vatikan nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.
Nënë Tereza e përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".
E gjithë jeta dhe vepra e Shën Nënë Terezës qe një dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria ndaj madhështisë e dinjitetit të çdo njeriu, ndaj vlerësimit të gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, ndaj vlerës së pakrahasueshme të miqësisë personale e të thellë me Zotin Jezus, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, meditimit të Fjalës së Zotit, adhurimit të të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, të Jezu Krishtit të Kryqëzuar e të Ngjallur. Këtu Nënë Tereza gjente ushqimin e saj shpirtëror dhe fuqinë për të kundruar njeriun, posaçërisht të varfrin e të nëpërkëmburin, në dritën e dashurisë së Zotit.
Jeta e saj është vërtetë dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur ofruar skamnorëve. Për Nёnё Terezёn, të varfërit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që kishin dhe kanë ende sot uri për bukë. Të varfërit ishin e janë edhe miliona të njerëz të përjashtuar nga shoqëria, të braktisur nga komuniteti, njerëz pa familje, që kanë etje për dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë. Ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.
Nënë Tereza na ka treguar se nuk ka varfëri më të dhimbshme në jetë se sa kur njeriu ndihet i pa dashur. Për ta shëruar këtë dhimbje, Zoti thërret secilin prej nesh të bëhet dashuria e Tij, prania dhe mëshira e Tij ndër më të varfërit e të varfërve, ndër të varfër materialë e shpirtërorë. E kujtojmë Nënën Terezë për gëzimin e buzëqeshjes së saj, për ngrohtësinë e prekjes së saj. Një ditë, një i moshuar pa strehë iu afrua Nënës Terezë dhe i shtrëngoi dorën, pastaj i tha: “Prej kohësh nuk kam ndjerë ngrohtësinë e një dore njerëzore".
Edhe ne mund të sjellim një gëzim të pashprehur, shpresë dhe guxim në jetën e atyre njerëzve që kemi përreth, që vuajnë për mungesë pranie njerëzore, për mungesë ushqimi, për mungesë ilaçesh, veshjesh, shtëpish, por edhe për mungesë të një buzëqeshjeje, të një fjale të ngrohtë, të pranisë së një miku. E sot, mënyra më e mirë për të kremtuar e uruar 114-vjetorin e Lindjes së Nënës e Shenjtes sonë të dashur, Ganxhe Bojaxhiu, është të vazhdojmë ta ndjekim dhe imitojmë shembullin e saj, të jemi gjithkund mjete të dashurisë së Zotit.