Kërko

Procesion në Managua Procesion në Managua 

Nikaragua dëbon 7 priftërinj në Romë

Pas arrestimeve të ditëve të fundit, qeveria e Nikaraguas i internoi rregulltarët në Itali.

R. SH. - Vatikan

Të mërkurën e kaluar, më 7 gusht, shtatë priftërinj të arrestuar në Nikaragua u internuan dhe u dërguan në Romë, ku mbërritën dje pasdite, më 8 gusht: janë priftërinjtë Víctor Godoy, Jairo Pravia, Silvio Romero, Edgar Sacasa, Harvin Torres, Ulises Vega, Marlon Velázquez. .

Lajmi u pohua nga qeveria e Nikaraguas në një komunikatë për shtyp: "Shtatë priftërinj nikaraguanë u larguan nga Nikaragua, për në Romë". Priftërinjtë, që i përkasin dioqezave të Matagalpa dhe Estelí, u ndaluan në Seminarin e Zojës së Fatimës, në Managua. Sipas mediave Nikaraguane, administratori i dioqezës së Estelí, Don Frutos Valle, i arrestuar më 26 korrik, nuk është në mesin e të dëbuarve nga vendi.

Ky ishte largimi i pestë i grupeve të priftërinjve nga Nikaragua: dy grupe u transferuan në Shtetet e Bashkuara në tetor 2022 dhe shkurt 2023 dhe dy grupe të tjera në Romë, në tetor 2023 dhe janar 2024, së bashku me dy ipeshkvij, Rolando Álvarez dhe Isidoro Mora. Të enjten, më 8 gusht, grupi i pestë i shtatë priftërinjve mbërriti në Romë.

Ndërkohë, ish-ambasadori i Nikaraguas pranë Organizatës së Shteteve Amerikane, Arturo McFields Yescas, konfirmoi të mërkurën se qeveria e kryesuar nga Daniel Ortega dha urdhër për dëbimin e ambasadorit brazilian në Nikaragua, Breno de Souza Brasil Días da Costa, për mospjesëmarrje në kremtimi i 45-vjetorit të Revolucionit Sandinist, më 19 korrik, në të cilin kishte qenë i ftuar.

Nga ana e saj, qeveria braziliane vendosi të enjten të dëbojë ambasadoren e Nikaraguas, Fulvia Castro, në "përkim", me masën e ngjashme të miratuar nga autoritetet në Managua.

09 gusht 2024, 13:22