Poezi e Eric Pearlman: Ma ruaj vendin e fundit, o Zoti im!
R.SH. / Vatikan
Poeti Eric Pearlman, njeri i Zotit, që këndon për Zotin, është Poet me gjak gjerman e italian. Gjak ati e nëne. E në kërkim të përhershëm, poetik e njerëzor, të Atit qiellor. Poezia e tij "Ruaje këtë vend për mua, Zoti im" pasqyron përvujtërinë dhe dëshirën e tij për një vend modest në praninë hyjnore.
"Ruaje këtë vend për mua, Zoti im":
Ma ruaj vendin e fundit, Zoti im!
Atë që s’bie në sy,
në fund të tryezës,
më pranë kamarierit, se të ftuarve.
Sepse nuk di të rri
pranë njerëzve të rëndësishëm,
nuk di të fitoj!
Nuk jam i aftë të bëj festa:
si i bëjnë të tjerët!
Lëshoma vendin e fundit, o Zot,
atë që askush s’e do!
Atje ku mbaron rreshti
në fund të autobusit të rrënuar
që transporton udhëtarët e mëshirës
ditë për ditë:
nga mëkati - në falje.
Më lërë vendin e fundit, o Zot
Për mua do të jetë i përkryer,
mbasi ma zgjodhe Ti!
Do të jem tejet i qetë
e s’do të më turpërojnë më
gabimet e mia!
Do të jetë vendi im,
vendi i njerëzve si unë,
që mbërrijnë të fundmit
e gati gjithnjë vonë,
po mbërrijë veç
edhe n’u shembtë bota.
Këtë vend ma ruaj
O Zoti im!
Jetëshkrim i shkurtër i Poetit endacak
Eric Pearlman, bir i një ati gjerman dhe i një nëne italiane, poet e shkrimtar, lindi në Budapest, më 22 prill 1955. Familja e tij, duke ikur nga tirania e tmerrshme sovjetike, u zhvendos fillimisht në Vjenë, më pas në Venecia e, më në fund, zu vend në Torino. Pearlman nuk ndoqi shkollat tradicionale: me edukimin e tij kulturor u mor e ëma, që e shoqëroi në shkolla, në biblioteka, teatro, kinema. Duke e pajisur kështu me kulturën e madhe të botës.
Në moshën 16-vjeçare u transferua në Mynih për të jetuar me gjyshërit e tij nga babai, ku, megjithëse nuk u regjistrua, ndoqi leksionet në universitet. Mynihu i hapi para syve botën e pafundme të kulturës dhe të artit derisa, në vitin 1975, një krizë ekzistenciale e shtyu të kthehej në Torino.
Prej aty, nisi të endej pa cak me një grup romësh, përvojë të cilën nuk deshi ta komentonte kurrë. Aq më pak ta këndonte në art! Në vitin 1980, pas kthimit në Mynih, mblodhi disa nga poezitë e tij në një antologji, e cila nuk u botua.
Poezia e tij "Ruaje këtë vend për mua, Zoti im" pasqyron përvujtërinë dhe dëshirën e tij për një vend modest në praninë hyjnore, temë prekëse për çdo pendë poetike, që ndihet 'e fundit' në jetë, por që këmbëngul në arritjen e qëllimit më të lartë: amshimit”. Ndaj i lutet Zotit t’ia ruajë vendin pranë Tij, në fund të shtegtimit në udhët pa fund të botës, që të çojnë të gjitha drejt fundit…