Kërko

NICARAGUA NICARAGUA

Qeveria e Nikaraguas shpërndan 169 OJQ të tjera

Arriti në mbi 5600 numri i institucioneve të shoqërisë civile, personaliteti juridik i të cilave u shlye nga ekzekutivi i Presidentit Daniel Ortega, i cili dërgoi në Asamblenë Kombëtare edhe një projekt-reformë të Kodit Penal, që synon të ndëshkojë ashpër krimet kundër shtetit dhe administrimit publik.

R.SH. / Vatikan

Një mbyllje e re masive e organizatave joqeveritare u dekretua orët e fundit në Nikaragua, pasi qeveria e presidentit Daniel Ortega u hoqi statusin ligjor 169 institucioneve jofitimprurëse, që veprojnë në vend. Njëmbëdhjetë ditë më parë e njëjta procedurë u krye edhe ndaj 1500 OJQ-ve të tjera. Kjo e çon numrin total të organizatave të shoqërisë civile të jashtëligjshme, që nga fillimi i protestave antiqeveritare, në 2018-tën, në mbi 5600.

Bashkëpunim i detyruar me shtetin

Nëse deri tani këto masa shtypëse ushtroheshin kundër institucioneve që i përkasin Kishës Katolike, kanalet e pavarura raportojnë se këtë herë të prekurit janë sidomos subjekte që u përkasin ungjillorëve, pentekostalëve dhe baptistëve, e edhe organizatave si Save the Children Canada. Në përgjithësi, organizatat akuzohen se nuk i bëjnë buxhetet e tyre transparente dhe i devijojnë paratë, për të dobësuar regjimin sandinist. Prandaj, që tani e tutje, nëse duan të vazhdojnë të veprojnë, duhet ta bëjnë këtë në bashkëpunim të ngushtë me organet shtetërore dhe qeveritare.   

Reforma e Kodit Penal

Ortega, në mandatin e tij të katërt, në vendin e Amerikës Qendrore, dërgoi   në Asamblenë Kombëtare një projektligj, që synon reformimin e Kodit Penal, duke shtuar, ndër të tjera, krimet e financimit të terrorizmit, krimet kundër administratës publike, krimet kundër shtetit, apo institucioneve të tij si dhe krimet kompjuterike. Këto kanë qenë deri tani akuzat më të përsëritura nga qeveria ndaj kundërshtarëve të saj dhe për konfiskimin e pasurive të institucioneve të ndryshme, edhe pse nuk janë përcaktuar qartë në Kodin Penal.

Nisma e Ortegës synon edhe ndryshimin e nenit 410, i cili dënon njerëzit ose institucionet që cënojnë integritetin kombëtar, duke rritur dënimet nga 15 - në 30 vjet burg për ata që organizojnë, financojnë ose sponsorizojnë krime të tilla në çfarëdo mënyre. Reforma e kodit penal synon të zgjerojë parimin e universalitetit të kryerjes së krimeve në mënyrë që këto t'u atribuohen nikaraguanëve ose të huajve, drejtpërdrejt ose nëpërmjet një OJQ-je, edhe nëse kryhen jashtë territorit kombëtar. Për më tepër, dënimet për krimet më të rënda mund të shtrihen deri në burgim të përjetshëm.

30 gusht 2024, 15:50