Shenjtorët e javës 11 -18 gusht
R.SH. - Vatikan
Sot, 11 gusht, Kisha katolike kremton të Dielën 19-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 11 gusht, kalendari kujton shën Kjarën e Asizit, virgjër, e shën Suzanën e shën Tiburcin, martir. Ungjilli i kësaj së diele na fton të jemi vigjilentë, të jemi të vëmendshëm, jo vetëm për të mësuar si ta presim kur Jezu Krishti do të vijë e do të trokasë në portën e jetës sonë, por për ta njohur sa herë që, në imazhin e vëllait tonë, do të na kërkojë ta duam e ta ndihmojmë.
Të hёnёn më 12 gusht, kalendari kujton shën Gjovanën Françeska e Shantalit, rregulltare, si dhe shën Inoçencin XI, papë. Ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.
Të martën më 13 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Poncianin, papë e shën Ipolitin, meshtar, të dy martirë, si edhe shën Gjonin Berkmans, jezuit. Fjalët e Jezusit jehojnë në Ungjill “Lërini fëmijët të vijnë tek unë”, duke na kujtuar se vetëm ata që bëhen vërtet të vegjël, pra që ia besojnë veten krejtësisht Hyjit, mund të hyjnë në portat e Mbretërisë së Qiellit.
Të mërkurën më 14 gusht, bie përkujtimi liturgjik i shën Maksimilian Kolbes, meshtar e martir, si edhe i shën Euzebit romak. Shën Masimilian Maria Kolbe, shenjt i kohëve të vështira të nazizmit. E ofroi veten në vend të një babai me familje e fëmijë, për të vdekur me mundime në bunkerin e urisë, ku e hodhën nazistët në Aushvic.
Tё enjten mё 15 gusht, Kisha katolike kremton festën e Tё Ngjiturit tё Virgjrës Mari nё Qiell, apo Pashkët e Zojës, siç njihen nga tradita të shumta të krishtera, festa e Zojës së Madhe, siç njihet e quhet nga populli shqiptar. Kёtё ditё kremtojmë shën Marinë Virgjёr, atë që i tha “po” Zotit e bëri të lindë Shëlbuesi i njerëzimit. Të këndojmë me të “Shpirti im madhëron Zotin”. Gjithçka admirojmë në Marinë Virgjër është fryt i fesë së saj dhe i veprës së Shpirtit Shenjt Zot, që përmes pranimit të plotë të Marisë në veprën hyjnore të shpëtimit, ka sjellë fryte shëlbimi për mbarë njerëzimin
Tё premten mё 16 gusht, kalendari kishtar përkujton shёn Shtjefnin, mbret i Hungarisë, e shën Rrokun shtegtar. Shenjtin e njohin mirë dhe kremtojnë shirokasit, pranë Shkodrës dhe besimtarët e famullisë kishtare të fshatit Novosellë, Gjakovë, me meshë e procesione. Liturgjia e ditës na fton të përpiqemi të hyjmë në mbretërinë e Zotit “nga porta e vogël dhe e ngushtë” për të cilën flet Jezu Krishti.
Tё shtunën mё 17 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Eusebin, papë e martir, dhe shën Kjarën e Montefalkos, abateshë augustiniane. Kjo ditë na sjell ndërmend thirrjen e psalmistit: Shpëtona o Zot, e dhurona jetën e vërtetë. A jemi duke vepruar për ato të mira që prishen e kalojnë, apo punojmë për të shpëtuar atë që është e pavdekshme në ne? Fjala e Zotit na fton t’i përmbahemi udhës ungjillore, udhës që na shpie në plotësinë e jetës.
Më 18 gusht, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 20-të gjatë liturgjik e, gjithnjё mё 18 gusht, kalendari kishtar pёrkujton shën Agapitin, papë, shën Helenën, perandoreshë, nënën e shën Kostandinit, që solli Kryqin e Vërtetë, ku u kryqëzua Jezu Krishti, nga shtegtimi i saj në Jeruzalem, dhe martirët e Ulpianës së Dardanisë, jo larg Prishtinës, shën Florin e shën Laurin, martirë.
Tradita mbi dy mijëvjeçare e krishterimit ndër shqiptarë, nuk mund tё mos i falte banorёve të këtyre trevave në shekuj edhe shenjtorët vendas. E kështu,martirët dardanë të Ulpianës, shën Flori e shën Lauri e dhuruan jetën duke i shërbyer të afërmit, e duke dëshmuar Ungjillin e Krishtit me vepra të mira e të drejta. Shembulli i tyre na mëson se, dashuria nuk ka nevojë të programohet por vetëm të mishërohet në jetën e përditshme.