Mbërritja e anijes Vlora në Bari Mbërritja e anijes Vlora në Bari

Si sot, më 8 gusht 1991, zbarkimi i 20 mijë shqiptarëve në Bari

Italia nuk është më Amerika e ëndërruar nga shqiptarët e sapo dalë nga komunizmi. Sot, 33 vjet pas zbarkimit të 20 mijë vetëve në Bari, janë italianët, që mendojnë të çojnë emigrantë në Shëngjin e Gjadër, duke e konsideruar Shqipërinë si vend të përshtatshëm për administrimin e flukseve migratore

R.SH. – Vatikan

         E kush nuk e mban mend atë 7 gusht të vitit 1991, kur, kush mundi e me kë mundi, u nis për në portin e Durrësit për të ikur jashtë shtetit. E kush nuk e kujton anijen Vlora, mbushur përplot me shqiptarë gati të të gjitha moshave, me këmbë varur nga parmakët, ulur majë direkëve e në vendet më të paimagjinueshme, që u derdhën si valë e rrëmbyeshme në portin e Barit. Rreth 20 mijë njerëz – ashtu siç u tha, por numri s’është i saktë – krejtësisht të paparë, që zgjuan edhe çudinë e policëve. Fotografia e asaj anijeje, që mbërriti në Bari të Italisë si sot, më 8 gushtin e atij viti, është bërë simbol i emigracionit të shqiptarëve pas komunizmit, i njerëzve që ishin gati të flijonin edhe jetën për të arritur në një çfarëdo tokë të premtuar, ashtu si emigrantët e të gjitha kohërave.

Vijimi i kësaj historie dihet. Shqiptarët u mbyllën në stadiumin Vittoria të Barit, ku u luajt një nga filmat më të turpshëm të administrimit italian të emigracionit. Iu tha se do t’i çonin nëpër qytete të tjera, por shumica e tyre u kthyen në atdhe. Operacioni përfundoi më 16 gusht e vetëm rreth 2 mijë vetë arritën të fshiheshin, të iknin e të mbeteshin në Itali. Ku natyrisht, janë integruar, duke ua lehtësuar rrugën edhe atyre, që nga Shqipëria, emigrojnë edhe sot e kësaj dite drejt një toke të premtuar, për më mirë, sidomos për fëmijët, kësaj here, “ligjërisht”. Tashmë, ekziston një diasporë prej më se 1.6 milionë shqiptarësh, kudo në botë, që mirëpret, filtron dhe i drejton emigrantët e rinj, të cilët ikin në heshtje. Çdo vit, për shembull, së paku 10 mijë të rinj ikin për arsye studimi. E ndokush edhe kthehet, por shpesh, për t’u nisur drejt veriut të Evropës.

Sot, Shqipëria nuk është më ajo e vitit 1991, pa dyshim, por ende shqiptarët ikin prej saj. Shkojnë italianët, megjithëse prania e tyre në vend mbivlerësohet. Numri i italianëve që jetojnë në Shqipëri është rreth 20 mijë vetë, por vetëm rreth 2.500 prej tyre kanë kërkuar lejen e qëndrimit. Shpesh, transferimi i firmave italiane bëhet për të shfrytëzuar krahun më të lirë të punës e taksat më të ulta, për të mos folur për ata, që e bëjnë këtë më synimin për të mos respektuar rregullat e normat e punës. Shtohet edhe turizmi nga Italia, edhe ai, pas tregimeve që nuk i përgjigjen së vërtetës.

Nga ana tjetër, Shqipëria, nga vend emigracioni është kthyer në vend imigracioni. E Italia po ndërton edhe dy qendra për administrimin e emigrantëve në Shëngjin e në Gjadër, për t’i larguar nga territori i vet. Një marrëveshje 5-vjeçare (që mund të rinovohet për 5 vite të tjera) për dy struktura, që do të kushtojnë 670 milionë euro e do të strehojnë jo më shumë se 3 mijë emigrantë, përveç 500 policëve dhe funksionarëve italianë, që do të administrojnë gjithçka, edhe me procese në internet. Nëse kjo duhet konsideruar një nga arritjet e Shqipërisë, pas 33 vitesh nga fillimi i emigracionit të saj, është ende për t’u parë.

08 gusht 2024, 09:41