Kërko

Sot është Dita evropiane e viktimave të të gjithë totalitarizmave

Dita e kujtimit të viktimave të të gjithë totalitarizmave, që festohet më 23 gusht të çdo viti, u krijua nga Parlamenti Evropian në vitin 2008 dhe u rekomandua nga Rezoluta historike e 19 shtatorit 2019.

R.SH. / Vatikan

Data 23 gusht u zgjodh sepse pikërisht në atë ditë të vitit 1939 u nënshkrua pakti Ribentrop-Molotov, d.m.th., marrëveshja fatkeqe e Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik, që çoi në pushtimin e Polonisë dhe tragjedinë e Luftës II Botërore, me pasojë, dhjetëra miliona vdekje.

Kështu, ndër mizoritë e historisë, është e pamundur të harrohet pakti i mossulmimit, nënshkruar në gusht 1939, ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Rusisë Sovjetike. Për vite me radhë, kjo marrëveshje solli terror në territoret e ndara në zona influence ndërmjet dy diktaturave. Në vitin 2009, Parlamenti Evropian zgjodhi pikërisht këtë datë, 23 gushtin, për të kujtuar viktimat e stalinizmit dhe të nazizmit. Synimi i kësaj Dite është të ruajë kujtimin e viktimave të internimit e të shfarosjes masive, duke promovuar, nga ana tjetër, vlerat demokratike që përforcojnë paqen dhe stabilitetin në Evropë.

Dita e Kujtimit të viktimave të stalinizmit e të nazizmit kremtohet zyrtarisht nga institucionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2009, veçanërisht nga Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, si dhe nga shumë vende të Bashkimit Evropian: Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Finlanda, Gjermania, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovenia dhe Suedia.

Kjo ditë shënohet edhe në Shqipëri, Kanada, Gjeorgji, në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ku është caktuar Dita e Shiritit të Zi (Black Ribbon Day) “për të njohur viktimat e regjimeve komuniste sovjetike dhe naziste”.

Një datë, pra, e festuar (e mbi të gjitha) nga kombet tashmë anëtare të Traktatit të Varshavës, të cilave në dekadat ndërmjet 1945 dhe 1990, iu desh të vuanin kalvarin e listave të ndalimit, varreve masive, zhdukjeve, burgimeve, kampeve të punës, heksodeve.

Një shembull i rezistencës anti-sovjetike është kryengritja e fundit të viteve 1980 në tre vendet balltike, në atë kohë pjesë e BRSS: Estonia, Letonia dhe Lituania. Në ato troje, mbi 100 mijë luftëtarë nisën luftën kundër pushtetit sovjetik në përputhje me vitet e Pjerestrojkës dhe, duke zgjedhur datën domethënëse të 50 vjetëve nga nënshkrimi i Paktit, 23 gusht 1989, ata vunë në praktikë Rrugën Baltike: nga Talini, duke kaluar nga Riga, deri në Vilnius, një zinxhir njerëzor shumë i gjatë dhe i pandërprerë shtrihej për 680 kilometra, më shumë se dy milionë njerëz u mbajtën dorë për dore (gjithsej as nëntë milionë banorë).

Në tre kryeqytetet u ngritën barrikada kundër pushtetit sovjetik: në shkurt të vitit 1991, ndërtesat institucionale dhe kullat e qendrave të radio-televizionit u rrethuan si mbrojtje me gurë dhe blloqe betoni të transportuara nga traktorë dhe vinça. Barrikadat zgjatën deri në gusht, kur më në fund u shpall Pavarësia. Dhe kjo pavarësi u themelua pikërisht me anulimin e paktit Hitler-Stalin, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të njihte se këtyre tre shteteve, ndryshe nga të tjerët, nuk u ishte rikthyer ende pavarësia pas Luftës II Botërore.

23 gusht 2024, 13:24