Kërko

Zoja e Çestokovës. Ai vështrim i Zotit që kërkon njerëzit

E vjetër me shekuj, imazhi a fugurja e mrekullueshëm tregon nё fytyrën e Zojёs sё Zeshkët "shenjat e dhunës", që përfaqësojnë brishtësitë dhe vuajtjet tona njerёzore. Shenjtërorja e Zojёs sё Bekuar ndërtuar në kodrat e Jasna Gora – qё do tё thotё "Mal i Ndritshëm"–, tregon lidhjen e pazgjidhshme të Polonisë me Zojën e Zeshkët të Çestokovës.

R.SH. / Vatikan

Quhet Jasna Gòra, Mali i Ndritshëm, vendi ku gjendet shenjtërorja më e dashur për polakët, qendra shpirtërore Mariane e të gjithë kombit. Në këtë shenjtërore të Zojës Mari në Jasna Gora, polakët nderojnë “Zojën e zeshkët”, festa liturgjike e së cilës kremtohet më 26 gusht. Ajo ndodhet në Czestochowa dhe ruan imazhin a fuguren e Zojës Mari që i përket jo vetëm identitetit fetar, por edhe kulturor e social të Polonisë.

Sipas traditës kjo pikturë e Zojës së Zeshkët ka si autor Shën Lukën, i cili krijoi dy prej tyre (e dyta ruhet në Bolonja) dhe kjo e bën ikonën a fugurën e Zojёs sё Zeshkët një relike të çmuar që afron edhe sot miliona besimtarë te mesazhi i Krishtit. Sipas kritikëve të artit ajo është me origjinë bizantine, e tipit “Odigjitria” (ajo që tregon rrugën dhe udhëheq në të), pikturuar ndërmjet shekujve VI e IX.

E vjetër me shekuj, imazhi a fugurja e mrekullueshëm tregon nё fytyrën e Zojёs sё Zeshkët "shenjat e dhunës", që përfaqësojnë brishtësitë dhe vuajtjet tona njerёzore. Gjithmonë, monarkët, papёt, njerëzit e zakonshëm i drejtohen Virgjërës Mari, e cila me dorë na tregon Jezusin tek i cili Ajo na drejton dhe na udhëheq.

Ajo që padyshim të prekë në zemër nga fugurja e "Zojës së Zeshkët" është shikimi që përshkon gjithmonë atë person që e kundron atë, ashtu si dashuria e Zotit kërkon vazhdimisht zemrat e qenieve njerëzore. Këtu qëndron mesazhi i kësaj Zoje të Bekuar të Çestokovës në Poloni: ata që kanë përulësinë për ta vënë veten përpara Zotit, do të zbulojnë se në të vërtetë është Zoti që i ka kërkuar i pari.

Festa e Zojës së Çestokovës në Shenjtëroren e Jasna Gorës, u themelua nga Papa Piu X, në vitin 1904. Në vitin 1931, Papa Piu XI e caktoi datën 26 gusht për kremtimin e festës. Katër vjet më pas u miratuan edhe tesktet liturgjike të Zojës së Çestokovës, që flasin për Mbrojtjen e Polonisë nga Maria Virgjër. Që nga viti 1956, Solemniteti kremtohet jo vetëm në Shenjtëroren e Zojës së Zeshkët në Jasna Gora, por në të gjitha Kishat e Polonisë! Është festë Kombëtare e, sidomos popullore, e një vendi, që i është kushtuar i tëri Zojës!

26 gusht 2024, 14:41