il creato il creato

Më 1 shtator kremtohet Dita e 9-të botërore e lutjes për kujdesin ndaj krijimit

“Shpreso dhe vepro me krijimin”: kjo është tema e Ditës Botërore të lutjes për kujdesin e krijimit e 1 shtatorit 2024. E zgjodhi Papa, nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve.

R.SH. / Vatikan

“Shpreso dhe vepro me krijimin”: kjo është tema e Ditës së Lutjes për Kujdesin e Krijimit e 1 shtatorit 2024. Tema e zgjedhur nga Papa është shkëputur nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve (Rom 8,19-25), ku Apostulli sqaron se çfarë do të thotë të jetosh sipas Shpirtit e përqendrohet në shpresën e sigurt të shpëtimit përmes fesë, që është jetë e re në Krishtin. Ekologjia e njeriut dhe mbrojtja e krijimit

Shumë kohë më parë, Zoti shkroi simfoninë e bukur të krijimit; lulet, kafshët dhe produktet e tjera ishin dhuratë e njeriut; pasionet udhëhiqeshin nga arsyeja dhe njeriu donte Dashurinë, që është Zoti. Kështu e përshkroi Fulton Sheen harmoninë primordiale, ku ajo që krijon Ati është e bukur dhe e mirë, e rregullt, plot me urti e me dashuri. Në Librin e Zanafillës, për secilin nga gjashtë aktet krijuese përsëritet: “Zoti e pa se ishte e mirë”, për të përfunduar, në aktin e shtatë, me krijimin e njeriut: “Zoti e pa atë që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë e mirë”. Njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë (Zanafilla 1.3-31). Ky, themeli, e edhe arsyeja e shenjtërisë së jetës njerëzore kundër çdo tundimi, për të vlerësuar njeriun sipas kritereve utilitare dhe të pushtetit. Mëkati origjinal e zhduk harmoninë ndërmjet njeriut dhe Zotit, e edhe ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke bërë dy gabime krejtësisht të kundërta: hyjnizimin e krijimit dhe shfrytëzimin e tij pa dallim.

Zbulesa e krishterë na mëson se natyra nuk është Zot, por rruga për të na çuar tek Ai dhe se toka është e ndërtuar në mënyrë inteligjente nga Zoti dhe i është besuar përgjegjësisë së njeriut, majës së krijimit ("Ju vleni më tepër se shumë harabela", Mt 10:24). Njeriu është thirrur ta ruajë me përgjegjësi krijimin, bukuria e të cilit, pasqyrim i bukurisë së pafundme të Krijuesit, duhet të na frymëzojë të gjithëve respekt dhe nënshtrim të inteligjencës dhe të vullnetit. Zoti krijoi larminë, mirësinë, ndërvarësinë, rendin e krijesave të tij dhe i paracaktoi për të mirën e gjinisë njerëzore; krijoi edhe njeriun – e, nëpërmjet tij, gjithë krijimin - për lavdi të Perëndisë.

Të respektosh ligjet e shkruara nga Zoti në krijim, është parim i urtisë dhe themel i moralit (krh. KKK 341,353,354): për këtë arsye Kisha i konsideron çështjet që lidhen me mjedisin dhe mbrojtjen e tij të lidhura ngushtë me temën e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. Kisha duhet ta vlerësojë përgjegjësinë e saj për krijimin edhe në publik (krh. Benedikti XVI), duke mbrojtur jo vetëm tokën, ujin dhe ajrin si dhurata të krijimit që i përkasin të gjithëve, por mbi të gjitha, njeriun, kundër shkatërrimit të vetvetes. Ekologjia e njeriut është e nevojshme, e kuptuar si kundërhelm i degradimit të natyrës; është kulturë, në të cilën bashkëjetesa njerëzore është modeluar në përputhje me ligjin hyjnor. Kur ekologjia njerëzore respektohet në shoqëri, përfiton edhe ekologjia ambientale. "Sistemi ekologjik" mund të qëndrojë vetëm nga respekti për një projekt, që ka të bëjë si me bashkëjetesën e shëndetshme në shoqërinë njerëzore, ashtu edhe me marrëdhënien e mirë me natyrën (krh. Caritas in veritate, 51).

(Marrë nga La Domenica, 1 shtator 2024, Maria Pamela Barsotti)

01 shtator 2024, 09:07