Më 19 shtator kalendari kujton shën Gjenarin, ipeshkëv
R.SH. - Vatikan
Shën Gjenaro, bari dhe dëshmitar, mik deri në martirizim. Ajo e Shën Genarit është historia e një martirizimi të lavdishëm, si për arsye se ishte një ipeshkëv që dha jetën për Krishtin, ashtu edhe sepse ishte një gjest miqësie që e çoi atë drejt sakrificës ekstreme me dhurimin e jetës me martirizim.
Historia e këtij ipeshkvi, në fakt, flet për një fe që jep kurajo, që forcon lidhjet njerëzore dhe që na shtyn të shikojmë lart. Ai i Shën Gjenaros ishte një gjest i përzemërt, i nxitur nga urgjenca e të qenit bari pranë atyre që janë në nevojë: kjo është arsyeja pse sot trashëgimia e tij shpirtërore është ende e gjallë në devocionin popullor.
I lindur në gjysmën e dytë të shekullit të III në Napoli, Gennaro ishte ipeshkëv i Beneventos, Itali, ku u vlerësua si një bari i mençur dhe i kujdesshëm. Në vitet e vështira për bashkësitë e krishtera, që iu nënshtruan persekutimit të rëndë, ai diti ta mbante shikimin të ngulur në misionin e tij, siç e tregoi kur vendosi të shkonte e të ngushëllonte një mik, diakonin Sosso (ose Sossio) të Miseno-s arrestuar nga gjyqtari Dragonio, prokonsull romak i Kampanisë. Një rrugëtim që i kushtoi jetën: i arrestuar me shokët e tij qe martirizuar për shkak të fesë në Krishtin Zot e Shëlbues në vitin 305.
Ndërmjet shenjtorëve të lashtësisë, Shën Gjenari është nga më të nderuarit prej besimtarëve, e kryesisht prej napoletanëve, në Itali. Kulti i Shenjtit, që arriti deri në ditët tona i shoqëruar nga mrekullia misterioze e shkrirjes së gjakut, është i përhapur kryesisht në krahinën italiane të Kampanies e në të gjithë Italinë Jugore.
Emri Gjenar vjen nga latinishtja ‘Ianuarius’, që rrjedh nga ‘Ianus’, hyjnia e lashtë, që ruante çelësat e qiellit, fillimet e vitit e kalimin e portave të shtëpive. Gjenar, pra, do të thotë ‘i kushtuar hyjit Ianus’.
Shtatë janë “aktet” që flasin për martirizimin e Gjenarit. Ndër to, vendin e parë e zënë “Aktet bolonjeze” dhe “Aktet vatikanase”. Nga këto dokumente mësojmë se Gjenari mund të ketë lindur në Napoli aty nga gjysma e shekullit III e se qe ipeshkëv i Beneventos, ku zhvilloi apostullimin e tij, i dashur dhe i nderuar nga e gjithë bashkësia e krishterë, madje edhe nga paganët, për shkak të kulturës së tij të thellë e të gjithanshme si dhe për bamirësinë, pa kurrfarë dallimi.
Ishte periudha e parë e perandorisë së Dioklecianit (243-313), kur nuk kishte nisur ende martirizimi e prandaj të krishterët gëzonin lirinë e kultit. Por kur ipeshkvi bamirës u plak, shpërtheu persekutimi. Burgjet nisën të mbusheshin me të krishterë, që shumë shpejt u dukën edhe në arenat e cirqeve. Ipeshkvi u arrestua në sa vizitonte dhe u jepte zemër besimtarëve të tij ndër pranga, në prag të martirizimit. Deshën të organizonin me të një shfaqje cirku, duke e vënë përballë arinjve të uritur. Por duke pasur frikë nga revolta e mundshme e popullit, që e nderonte, ndërruan mendim dhe vendosën t’i presin kokën.
U martirizua në Pocuoli, pranë Napolit, qytet ku nderohet në mënyrë të veçantë e ku ruhen reliket e tij. Gjenaro jetoi si një bari i urtë dhe vdiq si mik e martir. Një grua me emrin Euzebia, siç ishte zakon në këto kohë të errëta për të krishterët, ia doli mbanë ta mblidhte një pjesë të gjakut të ipeshkvit martir në dy lotore e ta ruante me nderim të madh. Është ky gjak që çdo vit, në të kremten e Shenjtit, shkrihet, duke i prekur thellë ndjenjat fetare të besimtarëve napoletanë e, në përgjithësi të të gjithë besimtarëve, që shikojnë në këtë shkrirje, një mrekulli të përvitshme të Shën Gjenarit.