Më 20 shtator kalendari kujton shën Andreun Kim Taegon me shokë, martirë

Më 20 shtator, kalendari kishtar përkujton martirë koreanë, Shën Andreun Kim Taegon, Pal Chong Hasang me 101 shokë. Feja e krishterë u duk në Kore në fillim të viteve 1600. Kisha koreane ka një karakteristikë ndoshta të pashembullt: u themelua dhe u mbajt gjallë nga laikët.

R.SH. - Vatikan

Më 20 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Andreun Kim Taegon me 101 shokë, martirë koreanë. Kisha koreane ka një karakteristikë ndoshta të pashembullt: u themelua dhe u mbajt gjallë nga laikët. Feja e krishterë u duk në Kore në fillim të viteve 1600 përmes një delegacioni që çdo vit vizitonte Pekinin në Kinë, për shkëmbime kulturore me këtë komb, i cili vlerësohej shumë në të gjithë Lindjen e largët. 

Në Kinë koreanët u njohën me fenë e krishterë. Prej andej sollën në atdhe librin “Doktrina e vërtetë e Zotit”, shkruar nga jezuiti Atë Mateo Riçi. E një laik, Li Bieok, mendimtar i madh, duke u frymëzuar nga libri i misionarit të famshëm jezuit, themeloi të parën bashkësi të krishterë në Kore. Më pas pjesëmarrësit në delegacionet e përvitshme në Kinë, sollën në Kore jo vetëm gjithë literaturën e nevojshme për bashkësinë katolike, por edhe meshtarin e parë, don Çu-Mun–Mo, ardhja e të cilit bëri që bashkësisë t’i shtoheshin me mijëra besimtarë.

Për fat të keq edhe në Kore që në vitin 1785 shpërtheu persekutimi, gjatë të cilit u martirizuan 10 mijë vetë, nga të cilët janë shpallur të lum 103 në dy grupe: grupi i parë më 1925, i dyti më 1968. Pastaj të gjithë u shpallën shenjtorë në Seul të Koresë nga Papa Gjon Pali II më 6 maj 1984, me rastin e kremtimeve të dyqind vjetorit të ungjillëzimit të Vendit aziatik. 

Prej tyre, vetëm 10: 3 ipeshkvij e 7 meshtarë, ishin të huaj; të tjerët - të gjithë koreanë, katekistë e besimtarë laikë. Ndër ta edhe Shën Andreu Kim Taegon. Andreu Kim Taegon lindi më 1821 në gjirin e një familjeje të krishterë koreane. I ati, për të shpëtuar nga persekutimi, la Seulin dhe së bashku me gruan, fëmijët, nënën e vëllezërit, të gjithë të krishterë, u fsheh në një zonë të humbur ndërmjet maleve. Me të edhe Andreu. Megjithatë djaloshi nuk mundi të shpëtonte nga burgu. U kap dhe u flak në qeli, ku iu nënshtrua torturave më mizore me qëllim që të mohonte Krishtin. Po ai qëndroi deri në frymën e fundit, derisa i prenë kokën. Ishte data 16 shtator e vitit 1846. Kështu Kisha koreane merrte pagëzimin e gjakut!

Ja lutja e Kishës së Koresë hartuar në gushtin e vitit 2014:  

“O Zot, o Atë, Ty që je dashuri,

të falënderojmë që na ke dhënë Kishën Katolike në Kore

pa ndihmën e misionarëve, por vetëm me hirin tënd.

Kisha jonë nderohet nga lumnimi i martirëve, në Kore.

Na ndihmo që, duke marrë shembull nga martirët, ta përtërijmë fenë 

e Kishën tonë e, përmes saj, ta ungjillëzojmë shoqërinë.

Na ndihmo të bëhemi një bashkësi, që di të kujdeset për të vuajturit, 

për të mënjanuarit e të varfrit, di t’u transmetojë të gjithë njerëzve

dritën e fesë e të promovojë kulturën e dashurisë, të paqes, të jetës.

Të lutemi që populli ynë të pajtohet përmes Ungjillit e të realizojë paqen 

e bashkimin e gadishullit. 

Përmes kësaj, bëj t’u shpallim Ungjillin të gjithë popujve të Azisë e bëj

që drita e lavdia jote ta shndrisin gjithë botën.

Nëpër Krishtin, Zotin tonë”.

 

20 shtator 2024, 09:52