Kërko

Më 23 shtator kalendari kujton Shën Piun nga Pietrelçina, rregulltar kapuçinë

Shën Piu nga Pietrelçina, meshtar rregulltar kapuçin, shërbëtor i mëshirës së Zotit. Ishte ditë-natë në shërbim të apostullimit të dëgjimit. U bë përmes shërbesës së Rrëfimit, ledhatim i gjallë i Atit Hyjnor.

R.SH. - Vatikan

Më 23 shtator kalendari kishtar përkujton festën liturgjike të Shën Piut nga Pietrelçina, meshtar rregulltar kapuçin, shërbëtor i mëshirës së Zotit. Ishte ditë-natë në shërbim të apostullimit të dëgjimit. U bë përmes shërbesës së Rrëfimit, ledhatim i gjallë i Atit Hyjnor.  Atë Piu na fton të gjithë t’ia hapim zemrën mëshirës së Zotit, na nxit të jemi shenjtorë, dmth njerëz të sinqertë, miq të Jezusit.

Shën Piu lindi më 25 maj 1881 në Pietralçinë, në provincë të Beneventos. Vetëm 16 vjeç, hyri në kuvendin e Etërve rregulltarë kapuçinë më 22 janar 1903 duke marrë emrin si rregulltar, fra Piu nga Pietralçina. Shtatë vjet më vonë shugurohet meshtar, më 10 gusht 1910. Në vitin 1916 eprorët e transferojnë në San Giovanni Rotondo, mbi Garganë, në Pulje, e këtu në kuvendin e Shën Marisë së Hireve, nis historia e tij prej traumaturgu e apostulli të Sakramentit të Rrëfimit. Më 20 shtator 1918 Atë Piu kapuçin fiton varrët e Mundimeve të Jezu Krishtit që do të mbesin të hapura, me dhimbje e gjakderdhje për 50 vjet më radhë. Ndërroi jetë më 23 shtator 1968, 81 vjeç. U shpall i Lum më 1999; shenjt, më  16 qershor 2002 nga Papa Gjon Pali II.

Shën Piu nga Pietrelçina, meshtar i Urdhrit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, u impenjua shumë në udhëheqjen shpirtërore të besimtarëve e në pajtimin e mëkatarëve me Zotin përmes Sakramentit të Rrëfimit. Pati një kujdes të posaçëm ndaj nevojtarëve e të varfërve, për të cilët dhuroi gjithçka e ndërtoi edhe një shtëpi-spital “Lehtësimi i vuajtjeve”. Shtegtimi tij tokësor qe plotësisht në shëmbëllim të Krishtit të kryqëzuar.

Duke përshkruar figurën e Shën Piut, duhet të nënvizojmë dy aspekte themelore të fratit nga Pietrelçina: besnikërinë e tij ndaj Ungjillit dhe orientimin e vazhdueshëm drejt mbretërisë së Zotit. At Piu, që vazhdon të jetojë në misterin e Jezusit të vdekur e të ngjallur, ishte dishepull i Krishtit që nuk deshi tjetër veçse të donte e të vuante për Të. Ishte meshtar që nuk kërkoi gjë tjetër veçse të shkrihej nga dashuria për Zotin e për vëllezërit.

Shën Piu ishte bir i sinqertë i Kishës, i cili edhe në rastet më të dhimbshme preferoi të mos mbrohej, duke e mohuar vetveten, i varrosur nën heshtjen e butë të bindjes së mundimshme, por të frytshme.

Me dukjen e plagëve të Krishtit në trupin e tij, At Piu “riprodhonte dukshëm figurën e të Kryqëzuarit” dhe fizikisht, sa herë që jepte Sakramentin e faljes, dëshmonte për çmimin e gjakut të shenjtë, që i është dashur të paguajë Krishtit për shpëtimin e njerëzimit. Plagët e Krishtit u kujtonin të gjithë atyre, që kërkonin ndërmjetësim e mrekulli përmes Shën Piut, se sa kushtonin ato “hire”, që Zoti shpërndante me bujari e përdëllim.

Thelbi i jetës së At Piut përqendrohej në Meshën e Shenjtë, në kremtimin e përditshëm të Eukaristisë. Frati i Pietrelçinës i këshillonte të gjithë besimtarët e të gjithë njerëzit, t’i afroheshin Jezusit, në një takim pa rezerva, siç mund të kuptohet edhe nga një regjistrim i zërit të shenjtit, ku pohonte: Të duam pa asnjë rezervë, pavarësisht nga shpërblimi, që Zoti ka në mend për ne – ajo është rrjedhojë – duke e bërë tonën moton e Shën Palit Apostull: "S’ di tjetër, përveçse Jezu Krishtin, e ketë, të kryqëzuar".

23 shtator 2024, 10:20