Më 24 shtator kalendar kujton të Lumen Mari, Virgjër e ‘Mëshirës’
R.SH. - Vatikan
E lumja Mari Virgjër e njohur si ‘Nuestra Señora de las Mercedes o de la Merced’ – që në spanjisht do të thotë ‘Zoja e Mëshirës’, Mëshirë që çliron nga skllavëria. Ky titull Marian lidhet me shfaqjen legjendare të Virgjrës Mari në vitin 1218 Shën Pjetër Nolascos, të cilin e frymëzoi të themelonte një urdhër rregulltar, të Mercedarëve, kushtuar çlirimit të të krishterëve të burgosur nga myslimanët.
Të jetosh mëshirën, nga këndvështrimi i krishterë, do të thotë para së gjithash të bashkëndash, të bëhesh shoqërues udhëtimi, të ecësh së bashku me ata njerëz që luftojnë më shumë drejt lirisë autentike.
Sot liturgjia na ndihmon të shikojmë një familje të madhe rregulltare kushtuar pikërisht këtij misioni. Një aventurë shpirtërore e lindur në shekullin e 13-të dhe e vendosur nën mbrojtjen e Virgjrës së Bekuar të Mercedes,domethënë të Mëshirës.
Historia e rregulltarëve a murgjëve Mercedarë filloi nga një vegim: natën midis 1 dhe 2 gushtit të vitit 1218 Virgjëra Mari iu shfaq Shën Pjetër Nolaskos, duke e frymëzuar atë të themelonte një realitet rregulltarësh të përkushtuar për çlirimin e skllevërve. Rëndësia e asaj pune në atë kohë ishte e dukshme, për shkak të numrit të madh të të krishterëve të skllavëruar nga saraçenët. Sot ai angazhim fokusohet në një lloj tjetër skllavërie.
Kështu, ‘Zoja e Mëshirës’ njihet si frymëzuese për themelimin e Urdhrit të lashtë rregulltar të Mercedarëve, prandaj titulli me të cilin nderohet, lidhet ngushtë me këtë Urdhër, themeluar nga Shën Pjetër Nolasko (1180-1245). Pjetri lindi në Tuluzë të Francës rreth vitit 1180 e që në moshë të njomë u vendos, së bashku me familjen, në Barcelonë të Spanjës. Lajmi i parë mbi praninë e tij në Barcelonë është ai i viti 1203, kur thellësisht i hidhëruar për fatin e të krishterëve të kthyer në skllevër nga maurët, asokohe zotër të një pjese të mirë të Spanjës, nisi të paraqitej si tregtar, për të hyrë më lirisht ndërmjet muhamedanëve. I veshur kështu, mundi të hyjë në Valencia, ku çliroi me para më se 300 skllevër.
Si shpenzoi gjithë pasurinë, mblodhi rreth vetes të rinj të tjerë bujarë, me të cilët nisi të lypte lëmoshë për vijimin e çlirimit të skllevërve të krishterë, duke paguar një shumë në para ose në sende të tjera, në përkim me moshën, kushtet shoqërore, ekonomike e fizike të robërve.
I frymëzuar nga Virgjëra Mari, më 2 gusht 1218 themeloi Urdhrin e ri rregulltar, që do t’i kushtohej veprave të mëshirës e sidomos, çlirimit të skllevërve, edhe me flijimin e vetë jetës, duke zënë vendin e skllavit, kur nuk mund të paguhej për çlirimin e tij. Kështu rregulltarët, që nisën të njihen me emrin mercedarët, mundën të çlirojnë më se 52 mijë skllevër.
Urdhri, të cilit iu shtua edhe dega femërore e murgeshave mercedare, u miratua nga papa Gregori IX më 17 janar 1235. Kujtojmë se mercedarët ishin të pranishëm, si kapelanë, në shtegtimin e Kristofor Kolombit, kur u zbulua kontinenti i ri amerikan, ku themeluan kuvendin e tyre të parë në Santo Domingo.