Më 25 shtator kalendari kujton Shën Firminin, ipeshkëv i Amiens
R.SH. - Vatikan
Së pari po kujtojmë se në kalendarin e Kishës katolike shënohen tre shenjtorë me emrin Firmini i Amiensit: një abat, që kremtohet më 11 mars, një tjetër ipeshkëv i qytetit, festa e të cilit bie më 1 shtator, dhe i treti, ipeshkëv i Amiensit e martir, që festohet sot me 25 shtator. Të dhënat e para që flasin për shenjtin, vërtetësia historike e të cilave është e diskutueshme, vijnë në kohët tona që nga shekulli V ose VI. Pavarësisht nga elementet legjendare, ato duhen treguar, sepse shërbyen si burim frymëzimi për artistët e kohës, që realizuan skulpturat, të cilat e zbukurojnë edhe sot katedralen e Amiensit.
Sipas gojëdhënave, Firmini duhet të ketë qenë bir i një familjeje fisnike nga Pamplona e Spanjës. Prindërit e tij, Fermi dhe Eugjenia, ishin paganë, që u kthyen në fenë e krishterë në kohën kur i biri shugurohej ipeshkëv. Firmini, që ishte djali më i madh i familjes, u la nën kujdesin e Onestit meshtar, që e pagëzoi dhe e edukoi në fenë e krishterë. U shugurua meshtar nga ipeshkvi i Tuluzës, Onorati e më pas edhe ipeshkëv. Me sa duket, në fillim shërbeu në Pamplonë, ku sipas traditës vendase, njihet si ipeshkvi i parë i qytetit. Pastaj u nis për të ungjillëzuar disa zona të Francës, si Akuitania, Alvernia, Anzhu e vise të tjera në veri- lindje të vendit. Pavarësisht nga pengesat që i krijuan priftërinjtë paganë, rezultatet e veprimtarisë së tij ungjillëzuese qenë të jashtëzakonshme. Aktet e martirizimit të tij shënojnë se gjatë kësaj veprimtarie ungjillëzuese, u arrestua nga qeveritari romak Valeri, u rrah mizorisht e më pas u lirua.
Në vijim të shtegtimit, u ndal në Amiens, që në lashtësi njihej me emrin Samobriva Ambianorum, ku vijoi me sukses edhe më të madh veprimtarinë e tij ipeshkvnore. Ktheu në fenë e krishterë shumë fisnikë; ndërmjet tyre edhe senatorin Faustian, i biri i të cilit, Firmini i Amiensit, do të bëhej më pas ipeshkëv e shenjt, që kremtohet nga Kisha më 1 shtator.
Në fillim të shekullit IV gjyqtarët Longulo e Sebastiani e arrestuan sërisht ipeshkvin guximtar. E torturuan mizorisht, duke i kërkuar ta mohonte fenë e krishterë. Po ai u bëri ballë heroikisht të gjitha mundimeve. Atëherë gjykatësit, për të shmangur rrezikun e reagimit popullor, vendosën t’ia presin kokën në burg. Ishte data 25 shtator e një viti të papërcaktuar, ndërmjet 290-tës e 303-së. Shenjti u varros në një vend të fshehtë, të panjohur deri në shekullin VII kur, me ndihmën e një vegimi të mrekullueshëm, varri i tij u zbulua nga ipeshkvi i Amiensit, Shën Salvi. Reliket e Shën Firminit nderohen në kisha të ndryshme të Francës, sepse kulti i shenjtit u përhap me shpejtësi të madhe si në Francë, ashtu edhe në Spanjë e, sidomos në Pamplonë, ku më 1217 u ngrit një elter në nderim të martirit, për të vendosur aty disa nga reliket e tij.
Më 1657 papa Aleksandri VII i shpalli Shën Firminin ipeshkëv e shën Françesk Saverin, Pajtorë kryesorë të qytetit të Pamplonës. Tani në vendlindjen e Martirit janë ngritur dy kapela kushtuar Shën Firminit: një në katedrale e një tjetër në Kishën e Shën Lorencit e cila, sipas traditës, u ndërtua pikërisht mbi themelet e shtëpisë ku lindi shenjti. Festa e tij në Pamplonë është bërë shumë e njohur në gjithë botën edhe për shkak të vrapimit të demave, apo ‘enkierros’, që zhvillohet nëpër rrugët e qytetit në një gjatësi prej 850 metrash e që përfundon shpesh me plagosjen e njerëzve, të cilët vrapojnë lirisht njëherësh me demat, në praninë e një numri të madh turistësh kureshtarë.