Kërko

Më 26 shtator kalendari kujton shenjtorët martirë, Kozma e Damian

Shenjtorët Kozma e Damian, mjekë binjakë qё kujdeseshin falas pёr shёrbimin e nevojtarëve. Të njohur edhe si Shenjtorё Mjekё, ata ishin anàrgiri (d.m.th., ata qё shërbenin falas). Sipas një tradite të lashtë, ata pësuan martirizim në Kiro (Çiro) në Siri gjatë sundimit të Dioklecianit dhe kulti i tyre u përhap në të gjithë Kishën që nga shekulli i IV. Festa tyre kremtohet më 26 shtator, sepse kjo është data e mundshme e kushtimit të bazilikës që mban emrin e tyre në Romë, e ndërtuar nga Felix IV

R.SH. - Vatikan

Më 26 shtator kalendari kishtar përkujton shenjtorët martirë, Kozma e Damiani, nga Azia e vogël,  binjakë mjekë qё kujdeseshin falas pёr shёrbimin e nevojtarëve dhe ndihmonin dhe u shërbenin shumë njerëzve të cilit kishin nevojë.

Kozma e Damiani lindën në Egjea, e pikërisht në Cilicí, studiuan mjekësi në Siri dhe u martirizuan në Çiro nën perandorin Dioklecian. Gjithë jetën ia kushtuan mjekimit të të sëmurëve, pa kërkuar asnjë shpërblim. Prej këndej u quajtën anàgiri, fjalë greke që do të thotë të punosh pa shpërblim. E përdorën mjekimin e të sëmurëve si mjet të rëndësishëm të apostullimit të krishterë. E pikërisht gjatë këtij apostullimi, në vitin 303 u kapën, u torturuan dhe u martirizuan, së bashku me shumë të krishterë, të cilëve u kishin shëruar korpin e shpirtin. Iu pre koka në Çiro, ku edhe u varrosën. 

Për nder të tyre qyteti i Çiros pati ngritur që në shekullin IV një bazilikë madhështore, së cilës iu shtua tempulli i ndërtuar nga perandori Justinian, si shenjë mirënjohjeje për shërimin nga një sëmundje vdekjeprurëse me ndërmjetësinë e dy martirëve. Me sa duket 26 shtatori, dita e përkujtimit të shenjtorëve, përkon me shugurimin e bazilikës romake që mban emrin e tyre, ngritur nga Feliçi IV (525-530).

Kulti i Shenjtorëve u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme në të gjitha qytetet kryesore të perandorisë, ku nisën të kalojnë nga goja në gojë mrekullitë që kishin bërë. E kudo: që nga Kostandinopoja, në Bullgari, Greqi, Jeruzalem e më pas në gjithë botën perëndimore, duke filluar nga Roma – u ngritën Kisha e kuvende të njohura me emrin e vëllezërve mjekë e martirë.

Kështu historia e vërtetë e jetës së tyre nisi të merrte më shumë karakterin e gojëdhënës. Një gjë e dimë me siguri: Shën Kozma e Damiani donin t'i përngjisnin Jezusit: prandaj edhe u martirizuan e prandaj shëruan trupin e njerëzve që u drejtoheshin për ndërmjetësim, për t'u kthyer atyre dinjitetin e bijve të Hyjit! Ikonografia e tyre është jashtëzakonisht e pasur, sidomos në Itali, Francë e Gjermani, ku jetën e dy shenjtorëve e ilustruan artistë si i Lumi Anxheliko, Filipo Lipi e Sandro Botiçeli. Ndër figure paraqiten me palmë e me instrumentat e kirurgut.

26 shtator 2024, 10:34