Më 28 shtator kalendari kujton shën Vençeslaun, martir
R.SH. - Vatikan
Shën Vençeslau, pajtor qiellor i kombit çek, martir e udhërrëfyes i urtë për tokën e tij, qe shenjë e vërtetë e një dashurie që nuk është e kësaj bote, la një trashëgimi të çmueshme shpirtërore. Vençeslau, Mbret që pati guximin të vinte përpara Mbretërinë e Qiellit, më tepër se pushtetin tokësor. Mbreti bohem e dha jetën për të ndjekur me besnikëri Krishtin, duke na kujtuar se lumturia e vërtetë është në Krishtin, pushteti i botës është, shpesh, i trishtë dhe jetëshkurtër.
Vençeslau, ishte princ i Bohemisë, jetoi në shekullin X. U rrit dhe u edukua nga e gjyshja, Shën Ludmilla, e cila u vra për shkak të fesë së saj nga e reja, Drahomira, nëna e Vençeslaut. Ishte tepër i ri e megjithatë tepër i kulturuar, kur zuri vendin e të atit në fron, pas një periudhe kundërshtimesh nga ana s’ëmës, që donte t’ia dorëzonte principatën djalit të dytë, Boleslaut. E ajo vijoi ta nxiste aq shumë urrejtjen e Boleslaut, sa ta bënte kain - vrastar.
Ndërkaq Shenjti, i rritur në oborrin mbretëror të vendlindjes e edhe vetë mbret, ëndërronte gjithnjë të bëhej murg. E jetoi si murg, edhe pse i ulur mbi një fron mbretëror. Bëri shumë për ungjillëzimin e vendit, duke thirrur për këtë qëllim edhe misionarë gjermanë e duke u përpjekur ta afronte sa më shumë Boheminë me Evropën perëndimore e me kulturën e saj, ndonëse nuk qenë të pakta vështirësitë që hasi në këtë rrugë. U bë kështu model i guximit fisnik.
Gjatë luftës me një nga dukët e Bohemisë, Vençeslau i propozoi t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet me duel ndërmjet tyre, në mënyrë që të mos rrezikonin jetën e ushtarëve. Armiku u pajtua me të e mosmarrëveshja u zgjidh bujarisht. Mosha e re e stili i sundimit e bënë model për shumicën e nënshtetasve, të cilët nisën ta nderonin e ta përkrahnin, sepse qe mjeshtër në ushtrimin e drejtësisë. Nën sundimin e tij çdo njeri, sado i varfër e i pambrojtur të ishte, gjente dikënd që ta dëgjonte e t’ia zgjidhte problemet. Ishte aq i mirë, sa për t’u dashur fort, por edhe për t’u urryer fort nga njerëzit e këqij, të cilët i tërbon mirësia.
Pikërisht popullariteti i madh bëri të ngrihej kundra tij – për shkaqe feje e sundimi – një pjesë e fisnikërisë, që ndoqi vëllain e dytë, Boleslaun, i cili vijonte të ëndërronte fronin mbretëror. Më 28 shtator të vitit 929, në sa ishte gjunjëzuar për të thënë uratët e mëngjesit në kështjellën Starà Boleslav, u sulmua nga të përbetuarit e mbledhur rreth Boleslaut. Iu desh të mbrohej nga shpata e të vëllait, të cilin do ta kishte vrarë, po t’ia lejonte shpirti i tij thellësisht i krishterë.
Në sa ia falte jetën e fajin, ra vetë nën teh të shpatës të të përbetuarve. E ky qe akti i fundit i madhështisë së tij shpirtërore. Trupi i Vençeslaut, që kishte filluar menjëherë të nderohej si shenjt, u mbart në Pragë e u varros në Kishën e Shën Vitos, ndërtuar prej vetë Princit. Shembulli i jetës së tij të krishterë, që përfundoi me martirizim, i dha një shtytje të re ungjillëzimit të nënshtetasve e ai vetë u bë simbol i shtetit bohem.