Më 3 shtator kalendari kujton shën Gregorin e Madh, Papë
R.SH. - Vatikan
Kalendari kishtar më 3 shtator,përkujton shën Gregorin e Madh, Papë e Doktor i Kishës, shembull për të gjithë, si për barinjtë poashtu dhe për nëpunësit e autoritetet e administratës civile. Me një largëpamësi profetike, kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga trashëgimia romake dhe të ashtuquajturit “barbarë”, falë forcës bashkuese dhe ngritjes morale të Krishterimit.
Vepra e tij, themelore për kujdesin baritor dhe liturgjinë
Kujdesi baritor, misioni dhe liturgjia: asnjë nga këto tre dimensione nuk mund të ekzistojë i ndarë nga të tjerët në jetën e Kishës, sepse Ungjilli kërkon të shndërrohet në veprime konkrete, t'i shpallet botës dhe të kremtohet çdo ditë. Këta tre fenerë për të gjithë besimtarët ishin shtyllat mbi të cilat u bazua e gjithë vepra e Shën Gregorit të Madh, Papë dhe doktor i Kishës. Puna e tij baritore, teologjike, misionare dhe bamirëse i ka dhënë formë Kishës, duke e bërë atë të aftë të dialogojë me kohën e vet në çdo epokë
Shën Gregori Madh lindi në vitin 540, ndërroi jetë në vitin 604. Figura e tij e veçantë, mund të themi unike, është shembull për të gjithë, si për barinjtë poashtu dhe për nëpunësit e autoritetet e administratës civile, sepse shën Gregori Papë e jetoi autoritetin si shërbim, në një sintezë kundrimi dhe veprimi.
Shën Gregori Madh, që jetoi prej vitit 540 deri në 604 mbas K., në fillim qe Prefekt i Romës, kur ishte vetëm 30 vjeç, pastaj murg e në fund ipeshkëv e Papë. Si funksionar perandorak shën Gregori u dallua për aftësi administrative edhe dinjitet moral”, si murg u zgjodh nga Papa si përfaqësues i tij pranë Perandorit të Lindjes, duke mbajtur gjithmonë “një stil jete mungare, me thjeshtësi dhe varfëri. Në fund, i shpallur si mëkëmbës i Krishtit, pra Papë, shën Gregori kërkoi me çdo mënyrë t’i ikte atij emërimi, por iu desht të dorëzohej në fund dhe, pasi la kuvendin murgar, iu kushtua bashkësisë kishtare, i vetëdijshëm se po përmbushte një mision e detyrë dhe se ishte thjeshtë “një shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit.
“Nuk është me të vërtetë i përvuajtur — shkruante shën Gregori — ai që kupton se duhet të jetë në udhëheqje të tjerëve në saje të vullnetit Hyjnor dhe megjithatë e përçmon këtë punë të dorës së parë, këtë epërsi. Por përkundrazi, nëse u nënshtrohet udhëzimeve hyjnore dhe heqë dorë nga këmbëngulja e vet dhe është i pajisur me ato dhanti me të cilat mund të ndihmojë të tjerët, kur i caktohet dhe imponohet posti më i lartë i qeverisjes së shpirtrave, ai edhe pse me zemër duhet t’i shmanget pushtetit, por edhe pse është kundër dëshirës personale, duhet t’i bindet, pra të jetë i dëgjueshëm kur pushteti është për të mirët e tjerëve dhe të përbashkët.” (Rregulli baritor, I, 6)
Shën Gregori i pa pushtimet barbare të kohës së tij me besim. Me një largëpamësi profetike, Gregori kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga trashëgimia romake dhe të ashtuquajturit “barbarë”, falë forcës bashkuese dhe ngritjes morale të Krishterimit. Jeta murgare po shfaqej si një pasuri jo vetëm për Kishën por edhe për mbarë shoqërinë.
Shën Gregori i Madh Papë, ishte i ligësht nga shëndeti por i fortë nga bindjet morale, zhvilloi një veprimtari të gjerë baritore dhe qytetare. Është edhe autor i shumë ligjeve e kanuneve kishtare në fushën e liturgjisë, të këngës e muzikës së shenjtë, e në këtë fushë është e famshme reforma e tij e këngës liturgjike, që prej emrit të tij u quajt “kënga gregoriane”, përuroi Sakramentarin që bartë gjithnjë emrin e tij e që përbënë pjesën themelore të Mesharit Romak. La shumë shkrime me karakter baritor, shpirtëror, moral e predikime që formuan brezni të tëra të krishtera e posaçërisht në Mesjetë.
Shën Gregori Madh, Papë u dallua për shenjtëri jete dhe mësime të mëdha doktrinore. Ai mëson se jeta e një bariu shpirtrash duhet të jetë një sintezë e drejtpeshuar e kundrimit dhe veprimit, e gjallëruar nga dashuria që “prek maja shumë të larta kur përkulet me mëshirë mbi të këqijat e rënda të të tjerëve. Aftësia e tij për t’u përkulur mbi mjerimin e njerëzve tjerë është masa e forcës së vrullit drejtuar nga lart”, nga Hyji. (II, 5), shkruan Shën Gregori.