Mё 6 shtator kalendari kujton Shёn Zakarinё profet
R.SH. - Vatikan
Shёn Zakaria profet ( shek. VI para K.), ishte një profet i "rindërtimit", qe thirrur për të punuar në mesin e popullit të Zotit pas kthimit të tyre nga mërgimi në Babiloni, i cili e kishte çrrënjosur Izraelin nga toka e tij.
Zakaria u thirr në shërbesën profetike në vitin 520 para Krishtit, dy muaj pas predikimit tё parё tё Agjeut. Përmes vegimeve dhe shëmbëlltyrave, Zakaria e shpall thirrjen e Hyjit për pendim, një kusht ky që premtimet e Zotit të mund tё realizohen. Profecitë e tij kanë të bëjnë me të ardhmen e Izraelit të rilindur, të ardhmen e afërt dhe të ardhmen mesianike. Zakaria nxjerr në pah karakterin shpirtëror të Izraelit të rilindur, shenjtërinë e tij.
Veprimi i Hyjit në këtë vepër shenjtërimi do të arrijë plotësinë me mbretërinë e Mesisë. Kjo rilindje është fryti ekskluziv i dashurisë së Zotit dhe plotfuqisë së Tij. Besëlidhja e konkretizuar në premtimin mesianik bërë Davidit e rifillon rrugën e saj në Jeruzalem. Profecia u realizua fjalë për fjalë në hyrjen solemne të Jezusit në qytetin e shenjtë
Kështu, së bashku me një dashuri të pakufishme për popullin e tij, Zoti i bashkon tё gjithё popujt, të cilët, të pastruar, do të bëhen pjesë e mbretërisë hyjnore. Zakaria i përket fisit të Levit, i lindur në Galaad, në pleqëri u kthye nga Kaldea në Palestinë, thuhet se kishte bërë shumë mrekulli, duke i shoqëruar me profeci me përmbajtje apokaliptike, siç është fundi i botës dhe gjykimi i dyfishtë hyjnor. E tij është profecia e Mesisë hipur mbi një gomar, shëmbëlltyra e një fuqie, ajo e Zotit, që e vë veten në shërbim të njeriut. Vdiq në moshё tё shtyrё e qe varrosur pranë varrit të Agjeut profet.