Portetet e të vrarëve Portetet e të vrarëve 

Gaza, gjinden trupat e gjashtë pengjeve. U vranë para arritjes së ushtrisë izraelite

Pesë nga gjashtë viktimat ishin djem dhe vajza rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmit në festivalin e muzikës në shkretëtirë, më 7 tetor. Trupat e tyre ishin në një tunel, në zonën Rafah. Forumi i familjeve të pengjeve nis thirrjen për një grevë të përgjithshme në Izrael.

R. SH. - Vatikan

Ushtria izraelite gjeti trupat e gjashtë pengjeve, mbajtur nga Hamasi në një tunel në zonën e Rafah, një kilometër larg vendit, ku mbahej i burgosur Farhan al Qadi, i liruar ditët e fundit. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) njoftojnë se i gjetën trupat të shtunën, në një tunel 20 metra nën tokë.

Identifikimi i trupave

Eshtrat e viktimave u kthyen në Izrael dhe u identifikuan zyrtarisht në orët e para të së dielës. Janë katër burra dhe dy gra, pesë prej të cilëve u rrëmbyen nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit gjatë festivalit të muzikës, në shkretëtirën izraelite. “Ushtria dhe Shin Bet gjetën trupat e pengjeve Carmel Gat, Eden Yerushalmi, Hersh Goldberg-Polin, Alexander Lobanov, Almog Sarusi dhe Ori Danino”, thuhet në një deklaratë nga IDF. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite shpjegoi, më vonë, se gjashtë pengjet "u vranë mizorisht nga terroristët e Hamasit pak para se t'i arrinim ata".

Reagimet e para

Presidenti izraelit Isaac Herzog i kujtoi me një shfrim të dhimbshëm: "Zemra e një kombi të tërë u copëtua". Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant pohoi se është pranë familjeve dhe kërkoi falje, ndërsa ish-ministri i mbrojtjes Benny Gantz i kërkoi kryeministrit Benjamin Netanyahu t’u telefonojë menjëherë familjeve të viktimave. Kryeministri, nga ana e tij, akuzoi Hamasin për refuzimin e negociatave, duke theksuar se "kush dëshiron të vrasë, nuk dëshiron marrëveshje".

Familjarët bëjnë thirrje për grevë

Dhimbje dhe indinjatë shpreh Forumi i familjeve të pengjeve dhe personave të zhdukur, që bën thirrje për një grevë të përgjithshme në Izrael për nesër, e hënë 2 shtator.

“Udhëheqja kombëtare ka braktisur pengjet dhe është koha që lidershipi social, ekonomik dhe vendor të ngrihet në këmbë për të mirën e familjeve të të rrëmbyerve, për të mirën e publikut dhe për të mirën e vlerës së solidaritetit dhe përgjegjësisë së ndërsjellë” - lexojmë në një shënim nga Forumi, i cili fton “të mbyllet ekonomia nesër”.

“Shtabi i familjeve të pengjeve u bën thirrje përgjegjësve të ekonomisë, Histadrutit dhe administratave vendore që nesër të mbyllin ekonominë dhe shtetin për të bërë presion kundër ekzekutivit dhe kryeministrit, që të ndalohet braktisja dhe të shpëtohen të gjallë pengjet”- vijojnë të bëjnë thirrje familjet e pengjeve ende ndër pranga!

 

01 shtator 2024, 11:28