Lëvizjet popullore: dhjetë vjet histori dhe "poezi sociale"

Nga viti 2014 e deri më sot, Papa Françesku nuk ka munguar kurrë të bëjë të ndihet afërsia e tij me lëvizjet popullore, duke mbështetur dhe inkurajuar punën e tyre në emër të dinjitetit njerëzor, drejtësisë sociale, zhvillimit të më të varfërve dhe atyre që janë hedhur poshtë.

R. SH. – Vatikan

“Poetë socialë”, “mbjellës ndryshimi, nxitës të një procesi në të cilin miliona veprime të vogla dhe të mëdha bashkohen në një mënyrë krijuese, si në një poezi”: kështu, në enciklikën Fratelli tutti, Papa Françesku i përcakton lëvizjet popullore. Një lidhje e ndjerë thellë, ajo mes Papës dhe këtyre rrjeteve të grupeve dhe njerëzve që, përmes veprimeve kolektive kundër kushteve aktuale, synojnë të sjellin ndryshime shoqërore: që nga ditët kur ai ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, në fakt, Jorge Mario Bergoglio. kremtonte çdo vit një Meshë “për një atdhe pa skllevër e pa të përjashtuar”.

"E drejta e shenjtë" për tokë, shtëpi dhe punë

Pasi u ngjit në fronin e Pjetrit, Françesku vazhdoi të mbështeste lëvizjet popullore. Më 28 tetor 2014, me rastin e takimit të tyre të parë botëror, Ati i Shenjtë i priti ata në audiencë në sallën e vjetër të Sinodit, në Vatikan, dhe mbajti një fjalim që mund të përkufizohej si "programatik", duke treguar në tre T-të (tierra, techo y trabajo – toka, shtëpia dhe puna) pikat qendrore të veprimit të këtyre grupeve që veprojnë në emër të dinjitetit njerëzor, të drejtësisë sociale, të zhvillimit të më të varfërve dhe atyre që janë mënjanuar e hedhur poshtë nga shoqëria. Të tre T-të, thotë Papa, përfaqësojnë "një dëshirë të zjarrtë që duhet të jetë e realizueshme për të gjithë", janë "të drejta të shenjta" që kujtohen edhe nga Doktrina Sociale e Kishës. Prandaj, nxitja për t'u përballur me "skandalin e varfërisë" jo duke përdorur "strategji frenuese që qetësojnë dhe shndërrojnë të varfërit në qenie të zbutura dhe të padëmshme", por përkundrazi duke siguruar që vetë të varfrit të jenë aktorë të ndryshimit, në mënyrë që të bëjnë " të fyejë era e premtimit që ngjall shpresën për një botë më të mirë”.

Globalizoni shpresën, jo indiferencën

Shpresa dhe ndryshimi janë gjithashtu edhe temat kryesore të takimit të dytë botëror të lëvizjeve popullore mbajtur në korrik 2015 në Santa Cruz de la Sierra, në Bolivi. Në të njëjtat ditë, Papa Françesku është në udhëtimin apostolik në këtë vend dhe më 9 korrik ai shfrytëzoi rastin të marrë pjesë në ngjarje dhe të ripohoi: "Ne duam një ndryshim në jetën tonë, në lagjet tona, në pagën minimale, në realitetin tonë më të afërt; si dhe një ndryshim që prek mbarë botën, sepse sot ndërvarësia planetare kërkon përgjigje globale ndaj problemeve lokale”.“Globalizimi i shpresës që lind nga njerëzit dhe rritet mes të varfërve – nënvizon me forcë Papa Françesku në Bolivi – duhet të zëvendësojë këtë globalizim të përjashtimit dhe indiferencës!”.

Në të njëjtin kontekst, Papa Bergolio i propozon shoqërisë “tre detyra të mëdha që kërkojnë mbështetjen vendimtare të të gjitha lëvizjeve popullore”: vënien e ekonomisë në shërbim të njerëzve, bashkimin e tyre në rrugën e paqes e të drejtësisë dhe mbrojtjen e Tokës Nënë.

Rithemelimi i demokracive në krizë

Një vit më pas - është 5 nëntor 2016 - Papa u drejtohet përsëri, në Vatikan, lëvizjeve popullore të mbledhura për takimin e tyre të tretë botëror. Në fjalimin e tij të gjerë dhe të detajuar, Papa Françesku i kushton vëmendje të veçantë marrëdhënies midis lëvizjeve dhe politikës: "Ju, organizata të të përjashtuarve dhe shumë organizata nga sektorë të tjerë të shoqërisë - tha Ati i Shenjtë - jeni thirrur të rigjallëroni, të rivendosni demokracitë që po kalojnë një krizë të vërtetë. Mos bini në tundimin e kutisë që ju redukton në aktorë dytësorë ose, më keq, në administratorë të thjeshtë të mjerimit ekzistues. Në këto kohë paralize, çorientimi dhe propozimesh shkatërruese, pjesëmarrja protagoniste e popujve që kërkojnë të mirën e përbashkët mund të kapërcejë, me ndihmën e Zotit, profetët e rremë që shfrytëzojnë frikën dhe dëshpërimin e njerëzve, që shesin formula magjike të urrejtjes dhe mizorisë apo të mirëqenies egoiste dhe siguri iluzore”. Ndaj edhe një herë e bën të vetën “klithmën” e tre T-ve, duke vënë në pah të qenit një “projekt-urë i popullit përballë projektit të murit të parasë”.

Plagët e një ekonomie që përqendron vetëm te paraja

Paratë, ose më mirë "plagët e shkaktuara nga sistemi ekonomik që ka zotin para në qendër" janë në qendër të mesazhit që Papa i Romës i dërgoi, në shkurt 2017, lëvizjeve popullore të mbledhura në Modesto, Kaliforni. Konkretisht, Françesku shpreh keqardhjen për "mashtrimin moral" që jetohen në shoqërinë e globalizuar, ku "nën maskën e korrektësisë politike ose të modës ideologjike, ne shikojmë ata që vuajnë pa prekur mjerimin, e transmetojmë drejtpërdrejt, madje adoptojmë një ligjërim në dukje tolerant dhe dhe plot plot eufemizma, por në realitet nuk bëhet asgjë sistematike për t’i shëruar plagët sociale apo edhe për të orientuar strukturat që lënë kaq shumë njerëzore në rrugë”. "Ky qëndrim hipokrit, kaq i ndryshëm nga ai i samaritanit - është qortimi i Papës - tregon mungesën e konvertimit të vërtetë dhe angazhimit të vërtetë ndaj njerëzimit".

20 shtator 2024, 14:01