Kërko

Don Simon Filipaj, sacerdote albanese, ha tradotto la Bibbia in lingua albanese Don Simon Filipaj, sacerdote albanese, ha tradotto la Bibbia in lingua albanese

Mons Simon Filipaj, përkthyesi i Biblës shqip, nё 25-vjetorin e vdekjes

Figurë poliedrike, dom Simon Filipaj me veprimtarinë e tij në fushën biblike e teologjike, ka lënë në gjuhën shqipe kryeveprën botërore, Librin e Shenjtë, Biblën. "Me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe – iu drejtua me 24 tetorit të vitit 1994 Papa Gjon Pali II dom Simon Filipajt – e keni radhitur popullin e juaj shqiptar ndër popujt e mëdhenj, duke ripohuar edhe një herë traditën e lashtë të krishterë e fisnikërinë me të cilën është dalluar përherë populli shqiptar”.

R.SH. - Vatikan
Më 2 shtator kujtojmë  dom Simon Filipajn, meshtarin e parë që përktheu Biblën e plotë në gjuhën shqipe, në  25-vjetorin e kalimit të tij në amshim.

Për këtë përvjetor, Arqipeshkvia e Tivarit, në Mal të Zi, ka organizuar një akademi përkujtimore me rastin e 25 vjetorit të kalimit në amshim, të don Simon Filipaj që do të mbahet në Shën Gjergj më 31 Gusht dhe në Kllezën më 1 Shtator 2024.

Dom Simon Filipaj, është figurë e madhe e Kishës katolike dhe e Kombit shqiptar. Lindi në fshatin Kllezën, afër Ulqinit, në Mal të Zi. Studimet filozofike e teologjike i kreu në Shkodër dhe në Zagreb. Tërë jetën meshtarake e intelektuale ia kushtoi misionit të apostolik nëpër famullitë kishtare të kryedioqezës së lashtë të Tivarit, e posaçërisht në bashkësinë kishtare të Shën Gjergjit dhe asaj të Klleznës.

Krahas misionit e veprimtarisë së tij meshtarake ungjillëzuese, dom Simon Filipaj të gjitha energjitë njerëzore, shpirtërore, intelektuale e fizike ia kushtoi studimit, meditimit e përkthimit të Fjalës së Zotit, Biblës në gjuhën shqipe, duke e përkthyer për herë parë në versionin e plotë.

Dihet se Shkrimi Shenjtë (Bibla) është dhe kuptohet si “Fjalë e vërtetë e Hyjit”, si njё “libër i zjarrtë”, një libër në të cilin Zoti flet, por Bibla ёshtё edhe monumenti më i madh botëror i kulturës, pra është kryevepra kultura dhe vepra më e përkthyer në gjuhët e ndryshme të popujve të mbarë botës. Kështu, me përkthimin në gjuhën shqipe, apo më mirë të themi me shqipërimin e Biblës, por edhe me vepra tjera siç janë librat e ndryshёm tё liturgjisё si: Meshari Romak, ritualet e ndryshme, Leksionarёt dhe shkrimet e shumta teologjike e katekistike, dom Simon Filipajt dha një kontribut të jashtëzakonshëm pёr kulturën në përgjithësi e letërsinë shqipe në veçanti.

Dom Simon Filipaj, në rend të parë, qe njeri i Zotit dhe i kombit. Lëvrues dhe mbrojtës i vlerave shpirtërore, kulturore, kombëtare e shoqërore tё popullit shqiptar. Ai qe njohës i thellë i shpirtit dhe thesarit kulturor shqiptar e botëror, që nga antikiteti e deri në ditët tona. Njeri i thjesht me virtyte të larta, i urtë e i mençur, i përzemërt e bujar, i drejtë dhe i vendosur, largpamës e i thellë, i dashuruar në Zotin e në popullin e vet, i butë e i afër me çdo kënd që takonte. Bari i mirë, vëlla i sinqertë, meshtar i zellshëm, intelektual i shquar, biblist i madh, me një pasion e dashuri të paskajshme për të vërtetën, të bukurën, lirinë e dashurinë. Jetën e tij e kaloi duke punuar në shërbim të Zotit, kishës e popullit dhe vendit të tij shqiptar.

Me përkthimin e Librit të Librave, Biblës në gjuhën shqipe, si dhe përkthimin e shtjellimin e shumë librave liturgjike në gjuhën shqipe si Meshari Romak, Leksionarët biblikë, ritualet etj, dom Simon Filipaj ka krijuar një gjini e rrymë tjetër të letërsisë shqipe të natyrës biblike e teologjike, pra asaj fetare.

Thamë se dom Simon Filipaj qe meshtar i thjeshtë, i përvujtë, e me gjithë punën kolosale që bëri duke përkthyer Biblën e plotë në gjuhën shqipe, ai ishte i ndërgjegjshëm se përkundra të gjitha përpjekjeve, përthimi i Biblës në gjuhën shqipe kishte prapë nevojë për një rishikim e përmirësim. Ja si shprehet dom Simon Filipaj në mikrofonin e Radio Vatikanit mbi përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe:

Dom Simon Filipaj

Duam të kujtojmë edhe njërën prej ditëve të lumtura e më të bukura të jetës së tij, atë të 24 tetorit të vitit 1994, kur në Vatikan i shoqëruar nga kryeipeshkvi, asokohe i Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirdita dhe dom David Gjugja, pёrgjegjёs i redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit, dom Simon Filipaj ia dorëzoi personalisht Papës Gjon Palit II kopjen e Biblës së plotë në gjuhën shqipe. "Me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe – iu drejtua me atë rast Papa Gjon Pali II dom Simon Filipajt – e keni radhitur popullin e juaj shqiptar ndër popujt e mëdhenj, duke ripohuar edhe një herë traditën e lashtë të krishterë e fisnikërinë me të cilën është dalluar përherë populli shqiptar”. Ja dëshmia e dom Simonit në mikrofonin e Radio Vatikanit menjëherë pas audiencës së pat te Papa Wojtila me 1994.:

Dom Simonit në mikrofonin e Radio Vatikanit menjëherë pas audiencës së pat te Papa Wojtila me 1994

Sot duke kujtuar figurën e tij në përvjetorin e kalimit në Jetën e Amshuar, në Mbretërinë e Hyjit, në Ngjalljen e Jezu Krishtit Shpëtimtar, çka dom Simoni besoi gjithmonë me plot bindje e fe të gjallë dhe të fortë si graniti, duam të ju propozojmë disa fragmente marrë nga arkivi jonë radiofonik, duke u ndalur te shpjegimi që dom Simon Filipaj jep mbi Fjalën e Zotin, Biblën. Si duhet lexuar e çka mund të gjemë në këtë libër që është Fjala Hyjnore?! Ta dëgjojmë:

dom Simon Filipaj: Si duhet lexuar

 

02 shtator 2024, 11:06