Myslimanët e Indonezisë: vizita e Papës e nderon vendin
R.SH. – Vatikan
Myslimanët e Indonezisë mirëpresin vizitën e Papës Françesku në vend. Kështu shkruhet në një notë të Këshillit Qendror të Muhammadiyah, një nga organizatat kryesore islame në Indonezi, sipas së cilës "vizita e Papës Françesku është nder dhe shenjë respekti për popullin indonezian". "Ka rëndësi – vërehet në të - që Indonezia ta përdorë vizitën dhe takimin me Papën si shtysë për të nisur e për të çuar përpara rolin e saj në paqen botërore në mënyrë më proaktive, duke kërkuar zgjidhje të përhershme për të ardhmen e Palestinës e duke përfshirë palë të ndryshme në nivel botëror".
Në mes të programit të tij të ngjeshur, "Papa Françesku është i lumtur të vizitojë Indonezinë, duke përdorur avionë të zakonshëm, duke udhëtuar në distanca të gjata dhe duke mos qëndruar në ndonjë hotel me pesë yje. Kjo tregon se shembulli mund të jetë frymëzim i rëndësishëm për krerët vendorë, në nivel kombëtar dhe global”, nënvizohet në notë.
Në kuadrin e marrëdhënieve ndërmjet bashkësive fetare, veçanërisht ndërmjet myslimanëve dhe katolikëve, vizita e Atit të Shenjtë "nënvizon rëndësinë e impenjimit të Indonezisë dhe të Papës Françesku për krijimin dhe forcimin e marrëdhënieve katolike me botën islame". Organizata Muhammadiyah kujton se "së bashku me Shehun e Madh të al-Azharit, Ahmad el-Thayeb, Papa Françesku nënshkroi Dokumentin e Abu Dabit mbi vëllazërimin njerëzor", dokument "i cili nënvizon të njëjtën frymë të mësimeve islame dhe impenjimin e katolicizmit në arritjen e dinjitetit njerëzor dhe të bashkëpunimit ndërmjet feve, në paqe”.
Takimi i nesërm (5 shtator) i Papës me grupet fetare "dëshmon hapje ndaj dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet feve, si edhe ia paraqet Indonezinë botës si vend pluralist me harmoni fetare dhe kulturore".
Sipas Muhammadiyah, "kombi indonezian, si zot shtëpie, duhet ta mirëpresë dhe ta respektojë vizitën e Papës Françesku me mirësjellje e kortezi, për të pasqyruar kulturën dhe qytetërimin fisnik indonezian". Qeveria indoneziane, shton ai, "mund ta përdorë takimin me Papën Françesku për të transmetuar e për të diskutuar çështje të ndryshme lidhur me paqen dhe pozitën e Indonezisë për paqen botërore, veçanërisht për çështjen palestineze".