Kërko

Tutti i santi Tutti i santi

Shenjtorët e javës 8 - 15 shtator

E diel 8 shtator, Kisha katolike kremton të dielën e 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë 'B', gjithnjё mё 8 shtator bie edhe festa e të Lindurit të Virgjërës Mari.

R.SH. - Vatikan

E diel 8 shtator, Kisha katolike kremton të dielën e 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë 'B', gjithnjё mё 8 shtator bie edhe festa e të Lindurit të Virgjërës Mari.

Të hënën mё 9 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Pjetrin Klaver, meshtar jezuit, apostull ndër zezakë të internuar.  Shën Pjetër Klaver, meshtar i Shoqërisë së Jezusit, i cili, në Kartagjenë të Kolumbisë, punoi me përkushtim, zell e dashuri për dyzet vjet, në mbrojtje të skllevërve të zinj. Shoqëroi tek gurra e pagëzimit treqind mijë prej tyre të cilët i pagëzoi me dorën e vet.

Të martën me 10 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar agostinian.

Të mërkurën me 11 shtator, sipas kalendarit kishtar përkujtohen shenjtorët Proto e Gjaçinto, martirë dhe i lumi Bonaventura nga Barcelona, rregulltar françeskan.  

Të enjten me 12 shtator, kremtohet festa e Emrit të Shenjtë të Virgjërës Mari, si dhe përkujtohet shën Guido nga Brabanti e Shën Silvani i Veronës. Emri i Zojës Mari na kujton se nuk mund të quhemi ndjekës të Krishtit, në se nuk jemi edhe njerëz të uratës. Jezusi kalonte net të tëra në lutje, duke na mësuar të vërtetën se bota kthehet në rrugën e Zotit ‘me gjunjë’.

Të premten me 13 shtator, kalendari përkujton shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i Kishës, këndues i mrekullueshëm i lavdisë së Zotit.  

Të shtunën më 14 shtator, kalendari kishtar kremton festën e Naltimit të Kryqit të Shenjtë të Jezu Krishtit, siç njihet tek popullit shqiptar, festën e Shëna Kryqit, e po më 14 shtator përkujtohet edhe shën Albertin, patrik të Jerusalemit. Festa e Naltimit të Kryqit të Shenjtë kremton një fakt historik të epokës së perandorit Kostandinit e nënës së tij Helenes, kur qe zbuluar mbi Golgotë në Jerusalem, Kryqi, mjeti i vdekjes së Krishtit. Ky Kryq i Krishti gjendet në Bazilikën e Jerusalemit. Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe njerëzimin. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit të gjithëve na është dhuruar jeta e amshuar.  

Të dielën e ardhshme më 15 shtator, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 24-të gjatë vitit kishtare, ciklit të dytë 'B', e gjithnjё mё 15 shtator, kalendari kremton edhe festën e Zojës së Dhimbshme.

08 shtator 2024, 10:03