Më 2 tetor kalendari kujton festën e Engjëjve të Rojës
R.SH. - Vatikan
Më 2 tetor Kisha katolike kremton festën e Engjëjve të Rojës. Kjo e kremte na kujton se Zoti dërgon Engjëjt e Tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj. Përkujtimi i Engjëjve të Shenjtë, sot të përmendur në mënyrë të qartë në ‘Martirologun Romak’ të Kishës Katolike, si Engjëjt e Rojës, kremtohet që nga viti 1670 më 2 tetor, datë e caktuar nga Papa Klementi X (1670-1676); Kisha Ortodokse e kremton këtë festë më 11 janar.
Në historinë e shëlbimit, Hyji ia beson Engjëjve misionin për t’i mbrojtur patriarkët, shërbëtorët e tij e tërë popullin e zgjedhur. Shën Pjetri në burg lirohet nga Engjëlli i tij. Jezusi në mbrojtje të të vegjëlve thotë se Engjëjt e tyre e shohim gjithmonë fytyrën e Atit që rri në Qiell.
Pra, prania e padukshme e këtyre shpirtrave të lum, e Engjëjve të Rojës na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast. Shumë shenjtorë kishin me Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste të veçanta: “Engjëjt dërgohen nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra drejtuar Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut qiellor”.
Engjëjt e Rojës , pra, janë figura qiellore të pranishme në universin fetar e kulturor të Biblës, si dhe në shumë besime të lashta. Engjëjt e Rojës paraqiten gjithnjë si qenie me krahë, simbol i forcës ndërmjetësuese të Zotit tek njeriu.
Fjala engjëll vjen nga greqishtja e lashtë "anghelos - lajmëtar". Nuk është, prandaj, aspak e rastit që në gjuhën biblike termi engjëll tregon një person të dërguar prej Zotit për të kryer një mision. Me këtë kuptim kjo fjalë përdoret 175 herë në Besëlidhjen e Re e 300 herë në Besëlidhjen e Vjetër, ku flitet edhe për funksionin e ushtrisë qiellore, të ndarë në nëntë shkallë hierarkike: Kerubinët, Serafinët, Fronet, Sundimet, Autoritetet, Virtytet qiellore, Principatat, Kryeengjëjt, Engjëjt.
Sot figurat e Engjëjve vijojnë të kujtohen në predikimet liturgjike, madje përdoren shpesh si simbole edhe nga mjetet e komunikimit. Gjithsesi çdo i krishterë e di se ka një engjëll të rojës, i cili e shoqëron në çdo hap të jetës e të cilit i lutet çdo mëngjes e mbrëmje ta shndrisë, ta ruajë, ta mbrojë, ta sundojë. Ta kërkojmë me besim ndihmën dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës.