Më 23 tetor kalendari kujton Shën Gjon Kapestranin
R.SH. - Vatikan
Gjon Kapestrani, françeskan italian, një apostull i emrit të Jezusit, jetoi ndërmjet shekujve 14-15, shpalli pa u lodhur Ungjillin në Evropën Veriore e Lindore. Aty ku njerëzit luftojnë dhe sjellin ndarje, Fjala e Zotit dhe Kryqi i Krishtit mund të sjellin paqe dhe drejtësi të vërtetë. Me këtë bindje, Shën Gjoni i Kapestranos jetoi shërbesën e tij si prift në frontet më delikate të Evropës së shekullit të 14-të.
Zëri i drejtësisë së vërtetë në frontet më të nxehta
Në emër të Krishtit në zemër të historisë për të sjellë të vërtetën: misioni i Shën Gjonit të Capestranit tregon rëndësinë e plotë profetike të Ungjillit dhe mesazhit të Krishtit të Ngjallur. Ky prift françeskan, në fakt, u gjend në frontet "më të nxehta" të Evropës së shekullit të 14-të dhe në të gjitha situatat u bë zëdhënës i drejtësisë së Zotit.
Gjatë një homelie në Vjenë, tha: «Zakonisht unë fle dy orë ose vetëm një orë. Tani do të më pëlqente të flija e jo të predikoja, por nuk i përkas më vetvetes. Jam i juaji” . Me predikimin e tij synonte të përtërinte moralin e krishterë, të luftonte herezitë e të kundërshtonte kamatën në huadhënie
Gjon Kapestrani ishte 70 vjeç kur, më 1456, u ndodh para portave të Beogradit të kërcënuar nga ushtria turke. Ishte aty për t'u dhënë zemër trupave të krishtera, i armatosur vetëm me rruzaren shenjte e me zërin e tij bubullues: "Si duke ecur përpara, ashtu edhe duke u tërhequr, si duke sulmuar ashtu edhe kur t'ju sulmojnë - bërtiste - thirreni gjithnjë emrin e Jezusit!".
Ky ishte frymëzimi fetar i këtij luftëtari të fesë, sot Pajtor Qiellor i kapelanëve ushtarakë, i cili gjithnjë dha mësime me shembull më parë sesa me fjalë, edhe atëherë kur iu desh të vinte jetën në rrezik. Sypatrembur, ai luftoi me të njëjtin guxim kundër padrejtësive, herezive e kundër plagës së tmerrshme të fajdesë.
I lindur në Kapestran, ndërmjet maleve të Gurit të Madh në Itali, më 1386, djalë i një baroni gjerman e i një gruaje fisnike abruceze, Gjoni, bir i vërtetë i Evropës, do ta përshkonte kryq e tërthor Kontinentin për t'i shërbyer papës e për të çuar kudo mesazhin e tij të fesë: nga Italia, në Francë; nga Gjermania në Hungari, nga Polonia në Ballkan.
E sot, në përkujtim të vjetorit të vdekjes së Shenjtit, në Kapestran të Italisë e në Hungari u përkujtua solemnisht fitorja e ushtrive të krishtera, të udhëhequra nga Gjon Huniadi e të frymëzuara nga Shën Gjon Kapestrani në betejën e Beogradit, ku u ndal hovi i hordhive osmane drejt Evropës.