Kërko

Beato Padre Josif Papamihali, martire della Chiesa albanese Beato Padre Josif Papamihali, martire della Chiesa albanese

Mё 26 tetor Kisha katolike kujton të Lumin At Josif Papamihali, martir

Njё jetë kushtuar Zotit, ajo e të LumitAt Papamihali. 36 vjeç ishte në pranga si prift i akuzuar nga regjimi komunist për shumë gjëra të pavërteta. U dënua edhe pse krejt i pafajshëm, u dënua me vdekje “të ngadaltë” që do të zgjaste jo pesë minuta, por pesë vjet! Në të vërtetë ajo “zgjati” vetëm rreth një viti. Çdo ditë “vdiste” nga pak në luftë me ujin, torturat etj në “Kënetёn e Vdekjes” në Maliq, i varrosur i gjallë në kënetë ku kishte rënë, i sfilitur prej lodhjes, më 26.10.1948.

R.SH. - Vatikan

Mё 26 tetor Kisha kujton të Lumin At Josif Papamihali, meshtar katolik i ritit kishtar bizantin, martir i Krishtit dhe kremton e tij festën liturgjike të Kishës katolike.

I Lumi At Josif Papamihali (Elbasan, 23.09.1912-Maliq, 26.10.1948), prift katolik i ritit bizantin, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit. Meshtar katolik i ritit kishtar bizantin, Papà Josif Mihali u shpall i Lum, mё 5 nëntor 2016 në Shkodër, me  37 martirë tjerё tё Kishёs katolike nё Shqipëri.

Njё jetë kushtuar Zotit që në moshë të njomë, kur Arkimandriti Pietro Scarpelli, misionar i ardhur nga Heparkia arbёreshe e Lungros nё Kalabri, në Elbasan, e zgjodhi për ta dërguar në Seminarin ‘Benedikti XV’, pranë Abacisë së Grotta Ferratës, afёr Romёs. Që aty, vijoi rrugën e përgatitjes për meshtari në Kolegjin Papnor të Shën Athanasit, në Romë, ku përfundoi mësimet e filozofisë e të teologjisë. Më 1 dhjetor 1935 kremtoi Meshën e parë në Kishën e Shën Athanasit, në Romë. Pikërisht në Kishën, ku arbëreshë e shqiptarë vijojnë të mblidhen ditëve të diela, për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore në atë gjuhë, me të cilën e ndiqnin bashkëluftëtarët e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, para dhe pas betejave fitimtare kundër osmanlinjve. Në Kisha, që pastaj u rrafshuan, për t’u rindërtuar përsëri e përsëri...

Më 1936 Josif Papamihali  ishte në Elbasan. Bari i Kishës së Shën Pjetrit. Mbeti në kujtesë të besimtarëve si njeri, që dinte t’i drejtonte shpirtrat kah Zoti e me Zotin t’i zgjidhte edhe problemet më të mprehta të grigjës së vet të vogël.

Në vitin 1945, 36 vjeç, At Josif Papamihali ishte në pranga, si meshtar katolik, u akuzua nga regjimi komunist për shumë gjëra  të pavërteta si: “Me ardhjen e Fashizmit Italian në Shqipëri ka manifestuar e ka simpatizuar okupatorin dhe ka qenë i lidhur ngushtë me priftërinj të tjerë. Mbas Çlirimit të Shqipërisë ka vazhduar politikën reaksionare të Vatikanit" etj. Në lidhje me këto akuza At Josifi u pyet hollësisht e mes tjerash qe përgjigjur. “Qe dëshira ime dhe ideali im që të studioja mbi Fenë dhe të vishja këtë petk për t’u bërë një fetar sikundër jam”;  “Si ligj në fe është e ndaluar politika”, “Misioni im në Shqipëri është të zhvilloj popullin në fenë katolike” etj, pohoi martiri para akuzave tё rreme tё regjimit komunist siç dëshmojnë procesverbalet e shumta tё kohës

Ai u dënua edhe pse krejt i pafajshëm. Nuk u dënua me vdekje të menjëhershme siç është pushkatimi, por me vdekje “të ngadaltë” që do të zgjaste jo pesë minuta, por pesë vjet! Në të vërtetë ajo “zgjati” vetëm rreth një viti. Çdo ditë të vitit “vdiste” nga pak në luftë me ujin, shushunjat, llucën, baltën, udhëtimin e mundimshëm, mungesën e ushqimit, të veshjes dhe të gjumit, në atë që u njoh me emrin “Këneta e Vdekjes” siç e emërtoi bashkëvuajtësi i tij në Kënetë, shkrimtari elbasanas Makensen Bungo, që e ka edhe personazh real në librin e tij me titull “Këneta e Vdekjes”. Frymën e fundit nuk ia morën predhat e pushkëve vrastare, por “predhat vrastare” të duarve të kriminelëve që e mbytën të gjallë në baltën dhe llumin e Kënetës.

Nga elteri, në Kënetën e Maliqit. Nga Kisha, në baltëra, ag e muzg, zheg e cegëm. Në shoqëri të mushkonjave, zhabave, shushunjave, gjarpërinjve. Gjysmë i vdekur nga lodhja e nga uria. Në luftë të përditshme me baltën e zvarranikët e kënetës, derisa i shteruan fare forcat. Atëherë ra. E nisi të fundosej ngadalë në llucë. Të varrosej për së gjalli. Shokët e mjerimit, të llaftarisur nga kjo pamje, nuk guxonin t’ia zgjasnin dorën, të paralajmëruar se dora, që do të shtrihej atë ças, edhe do të pritej. Fundosej. I ndjekur nga dhjetëra sy. Sy të mbushur me tmerr e me lot, e sy të mbushur me mllef. Sy rojesh të armatosura deri në dhëmbë, që i jepnin shkelmin e fundit. U zhdukën dalëngadalë në baltë trupi, që pati Meshuar në elter; goja, që pati predikuar fjalën e Zotit, sytë, që patën ngushëlluar të mjeruarit, kur fjala e lirë ishte në pranga.  E mbeti aty, në baltë, si monument i gjallë, i përjetshëm i Krishtit, popullit te Zotit, i Kishës Katolike, që gjithashtu u detyrua të hynte nën dhe, në katakombe, pёr tё ngadhënjye mbi terrin e tmerrin e persekutimit komunist nё Shqipëri. Po At Josif Papamihali “kokrra e grurit  zhdukej në baltë, vdiste, për të dhënë shumë fryt…” (Sipas Gjn 12,24). 

26 tetor 2024, 11:35