Më 28 tetor kalendari kujton Apostujt Simon Kananeun dhe Juda Tadeun
R.SH. - Vatikan
Më 28 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Simon Zelotin dhe Shën Judë Tadeun, apostuj e martirë, dëshmitarë të dashurisë. Feja është dashuri, por është edhe luftë: është një zemër e aftë të mirëpresë Fjalën e Zotit - që është dashuri - por është gjithashtu edhe një shpirt i aftë të përballet me guxim me botën për të treguar fytyrën autentike të Atit Qiellor. Kjo mund të jetë një sintezë që bashkon trashëgiminë e dy apostujve të kujtuar nga Kisha sot: Simonit dhe Judës.
Shën Simoni që përkujtohet ditën e sotme është i dyti me këtë emër ndër dishepujt e Jezusit. I pari ishte Simoni, të cilit Jezusi vetë ia ndërroi emrin e ia bëri “Çefa”, domethënë Pjetër. Ndërsa Simoni që përkujtojmë sot quhej ndryshe "kananeu", ose zeloti. Emri i tij del në listat e apostujve, por Libri i Shenjtë nuk na jep ndonjë hollësi mbi të. E kështu që nuk dihet asgjë e sigurtë në lidhje me këtë apostull. Sipas traditës ka qenë misionar si gjithë apostujt e tjerë, madje disa janë të mendimit se pati arritur deri në Angli për ungjillëzim dhe se më pas u martirizua nga Persët.
Po ashtu edhe Shën Juda Tade, nuk duhet ngatërruar me Judë Iskariotin i cili e tradhëtoi Jezusin. Përkundrazi Shën Juda, i mbiquajtur “Tade” – nga fjala aramaike “Thad”, që do të thotë i ëmbël, i mëshirshëm, i dashur, zemërgjerë, ishte vëllai i Jakut, apostullit tjetër. Të dy këta ishin të bijtë e Alfeut dhe Marisë të Kleofës. Alfeu vetë ishte vëllai i Shën Jozefit, prindit e kujdestarit të Jezu Krishtit. Kështu që Juda Tade dhe Jaku mund të quhen kushërinj të Jezusit.
Judën Tade e njohim nga pyetja që i drejton Jezusit gjatë Darkës së Mbrame (Gjn, 14.24: “Zot, pse duhej që ti të na shfaqeshe ne e jo të gjithë botës?”, por edhe nga letra e tij ku qorton nxitësit e ngatërresave të cilët i quan “re pa shi që era i çon andej e këndej.” Sidoqoftë, Shën Juda Tade, ndonëse nderohet pak, është një nga shenjtërit me fuqi të jashtëzakonshme, dhe tradita e quan Pajtor të Pastrisë dhe të Çështjeve që duken të Pazgjidhshme. E në fakt tradita nuk gabon sepse vetë Jezusi, kur iu shfaq në vegim Shën Brigjidës, e cila gjendej në një hall të madh, i tha t’i drejtohej këtij Shenjti që të ndërhynte për të. Shën Brigjida iu lut Shën Judës Tade dhe sakaq problemi që e mundonte u zgjidh.
Apostujt Simon Kananeu e Juda Tadeu
"Zoti ynë Jezu Krishti caktoi udhëheqësit, mësuesit e botës dhe përhapësit e mistereve të tij hyjnore. Deshi që ata të shkëlqenin si pishtarë e të ndriçonin jo vetëm viset e Judenjve, por mbarë botën. Apostujt e Krishtit qenë shtyllat dhe themelet e së vërtetës”. Këtë bindje, që e kanë të gjithë të krishterët, e patën posaçërisht të krishterët e bashkësive të para, shumë prej të cilëve u pagëzuan drejtpërdrejtë nga apostujt. Apostuj ishin edhe Juda e Simoni, të cilët Kisha katolike i përkujton në të njëjtën ditë.
Simoni mbiquhej "kananeu" ose "zelota" do me thënë "zelltari", për të treguar se bënte pjesë në krahun më të skajshëm të grupimit fetar hebraik. Në listën e apostujve, hartuar nga Shën Mateu ungjilltar, ai zë vendin e dhjetë. Kisha përkujtoi sot edhe Judën. Natyrisht nuk është fjala as për Judën Makabe, të Testamentit të Vjetër e as për Judën Iskariot, të Testamentit të Ri, atë që tradhtoi Krishtin. Fjala është për Judën Apostull e Shenjtor. Emri Judë në kohën e Krishtit ishte shumë i përhapur ndër Judenj. Sipas historianit Niçefor Kalisti, Juda Apostull, pajtor i njerëzve që ndodhen në situata të dëshpëruara, ungjillëzues i Palestinës, Sirisë e ndoshta edhe i Mesopotamisë, u varros në Persi.
Në letrën e Judës Apostull, dënohen ashpër ata njerëz që shkaktojnë përçarje në gjirin e Kishës. Shkruan Juda: “Ju jap zemër të luftoni për fe që u është dhënë shenjtërve një herë e përgjithmonë. Sepse depërtuan me dredhi ndër ju disa njerëz të patenzonë, që hirin e Zotit e zëvendësojnë me ndyrësi dhe e mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin Zotërues e Zotin tonë". Këta njerëz që e gjejnë pretekstin në hirin e Hyjit për t’i bërë vëllezërit të dredhojnë rrugë, duke krijuar përçarje në gjirin e Kishës të shtyrë nga ëndrrat e tyre, Juda i krahason me ëngjëjt e dëbuar nga qielli dhe thekson se ndjekin rrugën e Kainit. Nga etja e ndyrë për fitim, jepen pas gabimeve e bëhen njolla në darkat e shenjta të të krishterëve. Janë re pa ujë që erërat i sjellin andej e këndej, janë lëndë vjeshtake pa fryt, dy herë të thata, pa rrënjë, valë të tërbuara deti, që përplasin në breg paturpësitë e veta, yje të këputura, endacake, për të cilat ruhet terri i përjetshëm. Janë njerëz që murmurojnë e ankohen, jetojnë sipas prirjeve të veta të pacipa, të ledhatuar nga disa, që duan vetëm të nxjerrin fitim prej tyre. Janë njerëz që nuk e kanë Shpirtin Shenjt!
Pra, Simon Kananeu e Juda Tadeu, apostuj, na kujtojnë se Jezu Krishti i zgjodhi nxënësit dhe bashkëpunëtorët e vet nga shtresa të ndryshme shoqërore e fetare, pas bërë asnjë përjashtim, sepse Atij i interesojnë njerëzit, jo kategoritë shoqërore apo etiketat. Ishte Jezusi që i bashkonte, që i bënte ta ndjenin veten si një njeri i vetëm. E ky është një mësim i vërtetë për ne, që shpesh kemi prirjen të nënvizojmë ndryshimet e ndoshta edhe kundërshtimet, duke harruar se në Jezu Krishtin na jepet forca për t’i zgjidhur konfliktet tona.