Më 3 tetor kalendari kujton Shën Dionisin Areopagit
R.SH. - Vatikan
Dionis Aeropagiti ishte një fisnik e filozof nga Athina që jetoi në shekullin e parë. Për urtinë e tij të jashtëzakonshme zgjidhet gjyqtar në Athinë e merr vendin në Aeropag, në asamblenë e dijetarëve. Dionisi mbeti i mahnitur nga predikimi i Palit apostull, i ftuar në Athinë për të shpalosur doktrinën e tij para Aeropagut. Pasi mori Pagëzimin, Dionisi u bë propagandues i madh i Ungjillit dhe krishterimit, aq sa të shugurohet për ipeshkëv të Athinës nga vet apostulli Pal.
Dionis Areopagiti. Përtej dyshimeve të arsyes me guximin e fesë
Është ringjallja nga të vdekurit që përfaqëson “shkandullin” më të madh për arsyen e njeriut, misterin më të vështirë për ta pranuar në zemër. Një e vërtetë kjo që kërkon guximin e fesë, guximin e besimit për të shkuar përtej dyshimeve, për të hequr dorë nga siguritë personale njerëzore dhe për të kundërshtuar mendësitë e kulturës "dominuese". Kështu bëri Shën Dionisi Areopagiti, i cili takoi Krishtin e Ngjallur falë predikimit të Shën Palit në Athinë.
Sipas kapitullit 17 të Veprave të Apostujve, në fakt, apostulli pati folur përpara njerëzve të mençur në Areopag. Në fillim fjalimi i tij i pati magjepsur të pranishmit, eksponentë të një kulture që ka qenë gjithmonë sinonim i përkushtimit për kërkimin e së vërtetës me mjetet e arsyes dhe të prirur mirë ndaj traditave të ndryshme fetare, por më pas, kur foli për Ringjalljen, Pali u tall nga dijetarët e Athinës.
Dionisi, megjithatë, ishte ndër ata që iu bashkuan Apostullit të popujve, apostullit të johebrenjve dhe sipas traditës ai ishte ipeshkvi i parë i Athinës. Për disa të tjerë, shenjti që kremtohet sot ishte një teolog i shekullit të pestë që përdorte emrin Dionisi si pseudonim.