San Germano, BAV Vat. lat. 3767, f. 57v San Germano, BAV Vat. lat. 3767, f. 57v

Më 30 tetor kalendari kishtar kujton Shën Gjermanin, ipeshkëv

Ipeshkëv i varfër, diplomat i urtë, dëshmia e Shën Gjermanit të Kapuas zgjon nostalgji për udhërrëfyes dhe administratorë karizmatikë të aftë për të përcaktuar rrugën në jetën publike falë thellësisë së dukshme njerëzore dhe shpirtërore. I lindur në shekullin e 5-të në një familje të pasur, ai vendosi t'u dhuronte pasuritë e tij të varfërve për t'u tërhequr në një jetë asketike.

R.SH. - Vatikan

Më 30 tetor kalendari kishtar kujton Shën Gjermanin, ipeshkëv i varfër, diplomat i urtë. Dëshmia e Shën Gjermanit të Kapuas zgjon nostalgji për udhërrëfyes dhe administratorë karizmatikë të aftë për të përcaktuar rrugën në jetën publike falë thellësisë së dukshme njerëzore dhe shpirtërore. I lindur në shekullin e 5-të në një familje të pasur, ai vendosi t'u dhuronte pasuritë e tij të varfërve për t'u tërhequr në një jetë asketike.

Kush dëshiron ta njohë më thellësisht shën Gjermanin, mund të shfrytëzojë një bibliografi të pasur, që flet për të e për veprimtarinë e tij, duke filluar nga libri me titull “Jeta e shën Gjermanit”. Vepra, shkruar tre shekuj pas vdekjes, jep njoftime të përgjithshme për jetën e ipeshkvit shenjt.

Gjermani lindi në Kapua, në shekullin V. Ishte bir i Amancios e Gjulianës, qytetarë të shquar të qytetit historik. Pas vdekjes së babait, Gjermani trashëgoi një pasuri të madhe. Me miratimin e së ëmës, shiti gjithçka kishte lënë i ati. Paratë e fituara nga shitja, ua ndau të varfërve. Kështu mundi t’i kushtohej plotësisht jetës shpirtërore, për të cilën ishte i thirrur dhe t’i kalonte ditët e jetës tokësore me lexime të shenjta, lutje e pendesë.

Në vitin 519, pas vdekjes së ipeshkvit të Kapuas, sipas zakonit të kohës, kleri dhe populli e zgjodhën Shenjtin në vendin e prelatit të vdekur. Jetoi në kohën e skizmës akaçiane, që mori emrin e patrikut të Kostandinopjës, Akaçio. Skizma zgjati 35 vjet dhe e ndau Kishën e Lindjes nga Roma.

Por që në ditët e para të zgjedhjes së Justinianit, perandori kërkoi nga papa të dërgonte një delegacion për të rivendosur paqen ndërmjet dy Kishave. E Papa e dërgoi menjëherë delegacionin, në krye të të cilit caktoi ipeshkvin e Kapuas, Gjermanin, gjë që tregon sa i urtë e i virtytshëm ishte Shenjti. Delegacioni, i pritur triumfalisht në Kostantinopojë, ia doli mbanësh t’i bindte kundërshtarët ta pranonin formulën e papës. Ishte e Enjtja e Madhe e vitit të largët 519.

Kështu u rivendos paqja e u kapërcye rreziku i thellimit të përçarjes. Delegatët e papës ndejën një vit të tërë në Bizanc, për ta përforcuar rezultatin e madh që ishte arritur, për ta përhapur edhe në Kishat e tjera Lindore e për të përballuar rrezikun e kundërshtimeve që mund të vinin nga murgjit shiitë. U kthyen në Romë më 10 korrik të viti 520, vit pas të cilit ipeshkvi shenjt vijoi veprimtarinë e gjithanshme në favor të bashkimit e të lulëzimit të Kishës.

Shën Benedikti tregon se, ndërsa po lutej në Montekasino, pa në vegim shpirtin e shën Gjermanit duke u ngjitur në qiell, i mbartur nga Engjëjt. Patriku shenjt dërgoi menjëherë njerëz të interesoheshin për shëndetin e shën Gjermanit. Mori përgjigjen se kishte dhënë shpirt pikërisht në çastin kur ai kishte pasur vegimin: ishte data 30 tetor e vitit 541.

30 tetor 2024, 10:06