Kërko

Më 4 tetor kalendari kishtar kujton Shën Françeskun e Asizit

Shën Françesku i dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit dhe të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave.

R.SH. - Vatikan

Më 4 tetor, kalendari përkujton shën Françeskun e Asizit, themeluesin e Urdhrit të françeskanëve, i mirënjohur dhe i nderuar edhe në trevat shqiptare. Festa e shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet dhe njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.

Nga një rini e shkujdesur e plot dëfrime, Françesku posa ndjeu mëshirë për të gërbulurit, u kthye në rrugën e Ungjillit dhe e jetoi pa asnjë lëkundje, në varfëri e në gëzim, duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur, të varfër e të pastër, sipas shpirtit të lumnive. Së bashku me vëllezërit e parë që e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të tij, predikoi kudo dashurinë e Zotit, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në përtëritjen e Kishës.

I dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave. Qe frymëzues e Atë i familjeve rregulltare mashkullore e femërore që morën prej tij emrin “françeskane”. Piu XII e shpalli Pajtor të Italisë më 18 qershor 1939.

Urdhri françeskan nisi së pari në Asizi të Italisë, por shumë shpejt u përhap në vise të tjera të botës, e kështu edhe në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare si në Kosovë e Mal të Zi.

E sot, ndër të gjitha Kishat françeskane të botës u kremtua festa e Shën Françeskut, që me shembullin e vet vijon të tërheqë mijëra njerëz të kombësive të ndryshme në rrugën e Krishtit Zot e Shpëtimtar. Shën Françesku i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore, na mësoi, kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë Ungjillin.

04 tetor 2024, 09:51