Më 5 tetor kalendari kujton shën Faustinën Kowalska, rregulltare e mistike
R.SH. - Vatikan
Më 5 tetor, Kisha katolike përkujton Shën Maria Faustinën Kowalska, rregulltaren mistike, me të cilën lidhet ngushtë kulti i Mëshirës Hyjnore. Faustina lindi në fillim të shekullit të kaluar e vdiq në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot, përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e altarit në vitin 2000 nga Papa Shën Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës.
Mëshira Hyjnore për çdo njeri
Mëshira e Zotit bën atë që është e pamundur për forcat e njeriut. Përhapja e madhe e kultit të Mëshirës Hyjnore, që nga beatifikimi i motrës Faustina më 18 prill 1993, tek kanonizimi i saj më 30 prill 2000, buron nga nevoja që ka çdo njeri për Mëshirën Hyjnore, sepsè - siç tha Papa Shën Gjon Pali II - ku tjetër, përveçse në Mëshirën Hyjnore, mund të gjejnë strehë e shpresë njeriu e bota? E vërtet, nga mëshira Hyjnore, që pajton zemrat, rrjedh më pas paqja e vërtetë në botë, paqja ndërmjet popujve, kulturave dhe feve të ndryshme.
Misioni i motër Faustinës mbi Mëshirën Hyjnore
Misioni i motër Faustinës na kujton të vërtetën mbi Mëshirën Hyjnore, sepsè e dimë që ajo është një e vërtetë e zbuluar në Shkrimin Shenjt - Bibla. Motër Faustina na e kujton këtë të vërtetë në forma të reja, që i janë transmetuar nga vetë Jezusi gjatë dukjeve të tij. Kujtojmë sidomos nderimin e figurës së Mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. Pastaj orën e Mëshirës, që ia kërkoi vetë Jezusi, lutjen që Krishti ia mësoi motër Faustinës për t'ia drejtuar Mëshirës së tij Hyjnore. Kujtojmë, sidomos, festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II gjatë kanonizimit të Motrës Faustina, që Kisha e kremton si "E Diela e Mëshirës Hyjnore" në të dielën e dytë të Pashkëve. E së fundi, kujtojmë përhapjen e këtij kulti, që ende sot vijon përmes atyre që quhen "apostujt e Mëshirës Hyjnore".
Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore në Lagiewniki
Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore në Lagiewniki të Krakovit, u shugurua nga Papa Shën Gjon Pali II gjatë shtegtimit apostolik në Poloni nga 16 deri më 19 gusht 2002, për shtegtarët e shumtë që mblidhen atje nga të gjitha kontinentet. Ky tempull, siç ka thënë Papa Wojtila, është bërë qendër e rrezatimit të karizmës së Mëshirës Hyjnore në të gjithë Kishën. Festa e Mëshirës Hyjnor, po kujtojmë se u caktua pikërisht të dielën e dytë pas Pashkëve, nga Papa Shën Gjon Pali II, gjatë Jubileut të vitit 2000. Ishte dita e shenjtërimit të Apostulles së Mëshirës, shën Faustina Kovalska, prandaj edhe festa mori emrin e Mëshirës Hyjnore.
Kur Kishës i duhet të ripohojë një të vërtetë të keqinterpretuar, apo të tradhtuar, niset gjithnjë e shtyrë nga dashuria e mëshirshme, që njerëzit të kenë jetë e ta kenë me plotësi. Mëshira është vetë emri i Zotit, fytyra me të cilën Ai iu zbulua njerëzimit në Besëlidhjen e Vjetër e më pas, plotësisht, në Jezu Krishtin, mishërim i Dashurisë krijuese dhe shëlbuese.
Kjo dashuri e mëshirshme ndriçon edhe fytyrën e Kishës, e shfaqet si përmes Sakramenteve, në veçanti në atë të Pajtimit, ashtu edhe në veprat e bamirësisë, në ato të bashkësisë e individuale. Gjithçka thotë e bën Kisha tregon mëshirën dhe dashurinë e Zotit për njeriun. Prandaj nuk duhet të harrojmë se nga Mëshira Hyjnore, që pajton zemrat e njerëzve, rrjedh më pas paqja e vërtetë në botë, paqja në familje, paqja ndërmjet popujve, kulturave dhe feve të ndryshme.
LUTJA E SHËN FAUSTINËS KOWAŁSKA
O Zemra tejet e shenjtë e Jezusit, burim i mëshirës, nga i cili rrjedhin lumenjtë e paimagjinueshëm të hireve mbi mbarë njerëzimin, me gjithë zemër po Të lutem që t’i shndritësh mëkatarët e mjerë dhe të jesh i mëshirshëm ndaj tyre.
O Jezus, le të bjerë në mend Mundimi yt tejet i dhimbshëm dhe mos lejo që të humbin shpirtrat, të cilët i ke shpërblyer me Gjakun e Paçmueshëm dhe me Ujin e Zemrës sate.
O Jezus, duke menduar për çmimin tejet të lartë të Gjakut Tënd të Paçmueshëm, po më gëzon lartësia e tij, sepse edhe një pikë e vetme të tij mjafton për t’i shpëtuar të gjithë mëkatarët. Megjithëse mëkati është pafundësia e keqdashjes dhe e mosmirënjohjes, për ne është paguar çmimi i pakrahasueshëm. Për këtë arsye çdo shpirt le ta gjejë besimin në Mëshirën Tënde të pakufishme. Amen.