Kërko

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen

Aspiratat evropiane të Ballkanit Perëndimor

Vizita e kryetares së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen në rajon i jep hov të ri procesit të integrimit të vendeve të zonës me BE-në. Plani i zhvillimit për Ballkanin arrin në 6 miliardë euro. Intervistë me Antonio Stango, analist ndërkombëtar dhe kryetar i Federatës Italiane të të Drejtave të Njeriut

R.SH. – Vatikan

Një analizë gjeopolitike për Ballkanin Perëndimor në tërësi është detyrë e vështirë, për shkak të dallimeve të shumta ndërmjet shteteve të zonës. Gjithsesi, udhëtimi i kryetares së Komisionit Evropian Ursula Von del Leyen, që më 27 tetor, përfundoi vizitën e saj në Shqipëri, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Bosnjë-Hercegovinë, në Serbi, në Kosovë dhe së fundi në Mal të Zi, jep një kuadër të vlefshëm për të parë se drejt ç’lloj ardhmërie po ecën rajoni. Nga gjashtë shtetet e vizituara, vetëm Kosova, e pavarur që nga viti 2008, ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për integrimin evropian.

Reformat e nevojshme

Nga pikëpamja formale, pengesat e hasura dhe pjesërisht të zgjidhura në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, kanë të bëjnë me reformat e sistemeve kombëtare në lidhje me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, shumë më e ndërlikuar është çështja, që lidhet me pozicionet e ndryshme në politikën e jashtme dhe me ekuilibrin delikat rajonal, siç shpjegon Antonio Stango, analist ndërkombëtar dhe kryetar i Federatës Italiane të të Drejtave të Njeriut, për mediat e Vatikanit. “Ka ende shumë plagë të hapura, që paraqesin pengesë në rrugën e këtyre shteteve drejt anëtarësimit në BE. Mjafton të mendohet - pohon ai - për dështimin e Serbisë në njohjen e Kosovës, ose për kërkesat separatiste të Republikës Srpska të Bosnjë-Hercegovinës, si edhe për çështjet e pazgjidhura ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë lidhur me mbrojtjen kushtetuese të pakicave.

Problemet e politikës së jashtme

Një problem tjetër është çështja e respektimit të parimeve të politikës së jashtme të përbashkët dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, i cili në kuadrin aktual gjeopolitik, e konsideron modelin perëndimor në konkurrencë të plotë me atë lindor në krijimin e një partneriteti strategjik në zonë. “Edhe në këtë fushë, qëndrimet e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndryshme, dhe disa – në veçanti Serbia – duhet të vendosin nëse do të shikojnë më shumë drejt Bashkimit Evropian apo drejt lindjes, drejt Moskës e Pekinit”. Pastaj, ka subjekte të tjera politike jashtë rajonit, përfundon Stango, "të cilët mund të kenë një ndikim të veçantë, për shembull në Bosnjë-Hercegovinë, ose në Kosovë".

Impenjimi financiar i BE-së

Komisioni Evropian ka caktuar 6 miliardë euro për Planin e Zhvillimit në favor të ekonomive të vendeve kandidate dhe një nga objektivat e misionit të Ursula Von der Leyen në rajon ishte pikërisht ilustrimi i avantazheve, për t’i dhënë një hov të ri procesit të zgjerimit. “Këshilli Evropian ka caktuar vitin 2030 si objektiv të mundshëm për anëtarësimin e kandidatëve nga zona e Ballkanit”, kujton Antonio Stango, i cili vëren, megjithatë, se kjo hipotezë mund të jetë tepër optimiste. “Të marrim rastin e Shqipërisë – nënvizon ai - një vend, që shpesh lavdërohet për formimin e një prokurorie të veçantë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por që ende nuk arrin t'i zhdukë këto fenomene”.

Dritëhijet

Megjithëse rruga drejt zgjerimit të Bashkimit Evropian në zonën e Ballkanit mbetet ende e pasigurt, kryetarja e Komisionit, Ursula Von del Leyen, u tregua optimiste, duke e quajtur rrugën e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit përparësi, në krye të agjendës politike të ekzekutivit. “Është bilanc dritëhijesh ai, që mund të bëhet tani për tani, për zhvillimet në nivel rajonal”, komenton Antonio Stango. “Sigurisht, drita më e madhe ka të bëjë me faktin se vitet e fundit nuk ka pasur përleshje të armatosura, pavarësisht nga tensionet, që nuk janë shuar kurrë. Një element tjetër pozitiv është një lloj integrimi, me dialog të vazhdueshëm dhe me një sërë platformash diplomatike, në të cilat përfshihen këto shtete, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera perëndimore”.

28 tetor 2024, 13:15