Çmimi Nobel për Paqen i jepet Nihon Hidankyo për t’i thënë “jo” armëve atomike
R.SH. – Vatikan
“Të nderohen të gjithë të mbijetuarit, të cilët, pavarësisht nga vuajtjet fizike dhe kujtimet e dhimbshme, zgjodhën të përdorin përvojën e tyre të çmuar për të kultivuar shpresën dhe përkushtimin për paqen”. Me këtë motivacion, iu dha, sot në Oslo, Çmimi Nobel për Paqen organizatës japoneze Nihon Hidankyo, e cila bashkon ata që arritën të shpëtonin nga bombat atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit.
Kontribut i vlefshëm
Dëshmia e këtyre njerëzve - të cilët quhen Hibakusha në japonisht – është e vlefshme “për të kuptuar dhimbjen dhe vuajtjen e shkaktuar nga armët atomike", nënvizon Komiteti norvegjez për Çmimin Nobel. Vendimi për t'i dhënë këtë çmim të rëndësishëm Nihon Hidankyo-s u mor për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm e të vazhdueshëm të shoqatës japoneze në përhapjen e një kulture ndërkombëtare kundër armëve atomike, të cilat konsiderohen gjithnjë e më të papranueshme. Megjithëse, siç nënvizon Komiteti i Oslos, “fuqitë bërthamore po modernizohen dhe po i përmirësojnë arsenalet e tyre; vende të tjera duken gati të blejnë armë bërthamore, si edhe po bëhen kërcënime për përdorimin e armëve bërthamore në luftërat në vijim. Në këtë çast të historisë njerëzore ia vlen të kujtojmë se armët bërthamore janë më shkatërrimtaret, që ka parë ndonjëherë bota”.
E ardhmja në rrezik
Në motivacionin për dhënien e Çmimit shihet edhe shqetësimi për shkallëzimin e mundshëm atomik, që mund të sjellin luftërat në Ukrainë dhe në Tokën Shenjte: “Armët e sotme bërthamore kanë një fuqi shumë më të madhe shkatërrimtare. Ato mund të vrasin miliona njerëz dhe do të kishin një ndikim katastrofik në klimë. Një luftë bërthamore mund ta shkatërrojë qytetërimin tonë”, përfundon Komiteti për Çmimin Nobel.