Çmimi Zayed për Vëllazërinë Njerëzore 2025: në juri, edhe Kardinali Turkson
R.SH. / Vatikan
Kardinali ganez Peter Kodwo Appiah Turkson, kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe Akademisë Papnore të Shkencave Sociale, do të përfaqësojë Selinë e Shenjtë në jurinë e Çmimit Zayed për Vëllazërinë Njerëzore 2025. Të enjten u njoftuan emrat e anëtarëve të komisionit gjykues për edicionin e gjashtë të çmimit ndërkombëtar humanitar, themeluar në vitin 2019 pas nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore nga Papa Françesku dhe Ahmed Al-Tayeb, Imami i Madh i Al-Azharit, në Abu Dhabi.
Çmim, për ata që punojnë në solidaritet dhe bashkëjetesë
Anëtarët e komisionit të ri të gjykimit, të koordinuar nga sekretari i përgjithshëm, gjyqtari egjiptian Mohamed Abdelsalam, përfaqësojnë gjashtë vende dhe vijnë nga sektorë të ndryshëm, duke përfshirë diplomacinë, ekonominë, shkencën, ndërtimin e paqes dhe ligjin. Së bashku do të shqyrtojnë emrat për çmimin Zayed, i cili synon të nxjerrë në pah në botë njerëz dhe organizata, të çdo origjine dhe feje, "të cilët punojnë pa u lodhur për të promovuar solidaritetin, integritetin, barazinë dhe optimizmin e për të krijuar udhë të reja të bashkëjetesës paqësore". Çmimi mban emrin e të ndjerit Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, për të festuar trashëgiminë, udhëheqjen dhe angazhimin e tij humanitar që ka efektet e veta edhe në botën e sotme.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, në shkurt 2025
Në pesë edicionet e mëparshme, vlerësimi, i cili përfshin një çmim prej 1 milion dollarësh, u është dorëzuar njerëzve dhe organizatave nga njëmbëdhjetë vende, si vlerësim i përpjekjeve të tyre humanitare në fusha të ndryshme, duke përfshirë shëndetin, arsimin, zhvillimin e komunitetit, zhvendosjen e refugjatëve, mbështetjen e grave dhe të rinisë.
Juria do të zgjedhë fituesin ose fituesit, të cilët do të shpërblehen në shkurt gjatë një ceremonie, që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërisë Njerëzore, të njohur nga Kombet e Bashkuara dhe shënon përvjetorin e nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore nga Papa Françesku dhe Imami i Madh Al-Tajeb. Emrat e fituesve të çmimit mund të dorëzohen deri më 31 tetor 2024, nëpërmjet faqes zyrtare të Zayed Award for Human Fraternity: www.zayedaward.org