Kërko

San Giovanni Paolo II in Ungheria 1991 San Giovanni Paolo II in Ungheria 1991

Më 22 tetor, kalendari kishtar kujton Shën Gjon Palit II

Ndër Papët më të dashur të historisë, Karol Wojtila ka qenë, mund të themi në një mënyrë të veçantë, “Papa i familjes” dhe “Papa i të rinjve”, për të cilët krijoi Ditën e tyre Botërore të Rinisë. Pastaj nuk mund të harrojmë devocionin e madh të Shën Gjon Palit II për Mëshirën Hyjnore. Papa i parё qё vizitoi Shqipërinë me 1993

R.SH. - Vatikan

Më 22 tetor, kalendari kishtar përkujton Papёn Shën Gjon Palin II, kanonizuar nga Papa Françesku më 27 prill të vitit 2014 së bashku me Shën Gjonin XXIII. Ndër Papët më të dashur të historisë, Karol Wojtila ka qenë, mund të themi në një mënyrë të veçantë, “Papa i familjes” dhe “Papa i të rinjve”, për të cilët krijoi Ditën e tyre Botërore të Rinisë. Pastaj nuk mund të harrojmë devocionin e madh të Shën Gjon Palit II për Mëshirën Hyjnore. Është Papa i dytë që ka qëndruar më shumë në krye të Kishës Katolike (27 vite) pas Papa Piu IX (32 vite). Gjon Pali II është rritur në Poloni, u bë Papa i parë jo italian pas Papa Adriani VI, që ishte gjerman.  Është Papa i parё qё vizitoi Shqipёrinё mё 25 prill 1993.

Kisha katolike e përkujton sot liturgjikisht një person, të cilin e kujtojmë dhe ndjejmë të pranishëm e afër nesh, sepse për sa e sa vite Gjon Pali II qe një inkurajim për besimtarët dhe për Kishën, për të vazhduar ecjen në udhën e shenjtërimit, të besnikërisë, të thirrjes e të misionit të krishterë. Më 22 tetor, në festën e shenjtit, nuk mund të harrohen fjalët e famshme të Papa Shën Gjon Palit II: “Mos keni frikë, hapjani portat Krishtit”. Në një farë mënyre, kjo thirrje projektohet drejt së ardhmes, megjithëse t’u thuash njerëzve të mos kenë frikë për ta kumtuar Krishtin është diçka jo aq e lehtë për kohët e sotme.

Ky është funksioni profetik i Kishës e ky është edhe guximi i jashtëzakonshëm që tregoi Gjon Pali II gjatë gjithë papnisë së tij. Kundërshtarët ia ndjenë mirë forcën, por edhe populli i Zotit: ai vendosi Krishtin në qendër të Magjisterit të papnisë së vet, të fjalëve të tij, të mesazhit që i la Kishës. Prandaj, fjalët “mos kini frikë” vërtet, ende sot frymëzojnë shumë e shumë njerëz që të marrin udhë e vendime kundër rrymës, vendime profetike.

 “Mos keni frikë, hapjani portat Krishtit” është shprehja që përmbledh tërë jetën e Karol Wojtilës. E vërtet, “Mos keni frikë” është një fjalë, mund të themi, gati si një testament që Shën Gjon Pali II na ka lënë. Është një fjalë e cila, përsëri sot, na mundëson të jetojmë momentin e tanishëm si një moment në të cilin duhet të dalim e të shkojmë larg, “Duc in altum!”, në thellësi, ta jetojmë, pra, me bujari jetën tonë, të mos mjaftohemi me mediokritetin e realitetit, por të kemi përherë guximin për të bërë zgjedhje e marr vendime të rëndësishme e impenjative, të ndërgjegjshëm se Zoti është me ne e se na ndihmon në udhë tonë të përditshme. Prandaj emri i Shën Gjon Palit II zgjon përherë në zemrat e besimtarëve ndjenja mirënjohjeje, gëzimi e dashurie.

Edhe sot, shumë njerëz në Kishë  e vende të ndryshme të botës, i lutën Zotit, duke ia besuar njerëzimit të Shën Gjon Palit II ndjetet e tyre, shqetësimet, shpresat dhe gëzimet e tyre. E kjo është vërtet detyra e shenjtorëve dhe jeta e Shën Gjon Pali II vazhdon duke i inkurajuar njerëzit në jetën e përditshme, të orientohen drejt masës më të lartë - Zotit. Fjalët që pati thënë Gjon Pali II gati në fund të papnisë, duke e futur Kishën në mijëvjeçarin e tretë – “Duc in altum!”, dilni në det të hapur – vërtet, kanë mbetur në zemrat e njerëzve. Shenjtëria inkurajon, shenjtëria është ngjitëse, shenjtëria tërheq e me gjithë mend mund të ndikojë mbi vendimet konkrete të jetës.

Ishe e mbeti Papa i ditëve tona, sepse kujtimi i tij është gjithnjë i freskët, gjithnjë i gjallë: buzëqeshja, fjalët e tij, qëndrimi i tij atëror, i rreptë, por edhe mirëdashës, i sigurt në fjalë, në doktrinë e në afërsinë me njerëzit, që kishin nevojë për dashuri e mëshirë.

Papa Gjon Pali u shenjtërua së bashkë me Papën Gjoni XXIII më 27 prill 2014 në sheshin Shën Pjetrit, në Vatikan, nga Papa Françesku, i cili më datёn 11 shtator 2014 e shtoi festën e Shën Gjon Pali II në Kalendarin e Kishës Katolike. Sipas traditës shenjtërit festohen në datën e lindjes apo të vdekjes, por ajo e Shën Gjon Palit II (22 tetor) festohet në përvjetorin e emërimit Papë.

Lutje Shën Gjon Palit II

O Shën Gjon Pal, nga dritarja e qiellit, na e jep një bekim! Bekoje Kishën, që ti e deshe, i shërbeve e i prive, duke e nxjerrë guximshëm nëpër rrugët e botës, për ta çuar Jezusin tek të gjithë, e të gjithë, tek Jezusi. Bekoi të rinjtë, që qenë pasioni yt! Priju në udhët e ëndrrave të bukura, drejt lartësish, për të gjetur dritën, që ndriçon shtigjet e jetës tokësore.

Bekoi familjet! Bekoje çdo familje! Ti e paralajmërove sulmin e shejtanit kundër kësaj shkëndije të çmuar e të domosdoshme të Qiellit, që Zoti vetë e ndezi mbi dhe. O Shën Gjon Pal, me lutjen tënde, mbroje familjen e çdo jetë, që çel gonxhen në djepin e saj.

Lutu për botën mbarë, që vijon të tronditet nga tensionet, luftërat, padrejtësitë. Ti e luftove luftën duke kërkuar dialog e duke mbjellë dashuri: lutu për ne, që të hedhim kudo farën e mirë të paqes.

O Shën Gjon Pal, nga dritarja e qiellit, ku të shikojmë pranë Marisë, premto të zbresin mbi ne, të gjitha bekimet e Zotit! Amen!

(Shkruar nga kardinali Angelo Comastri)

22 tetor 2024, 09:31