Jerusalem Jerusalem

Irani sulmon Izraelin, At Faltas: lutuni për viktimat e kësaj lufte absurde

"Njerëzit kanë shumë frikë, kanë frikë se mund të ndodhë përsëri nëse Izraeli përgjigjet. Do të jetë një natë ankthi dhe lutjeje intensive për ne. Lutuni edhe ju për ne dhe për të gjithë njerëzit e pafajshëm që vuajnë këtë luftë absurde”

R.SH. / Vatikan

“Që në orën 17:00 kishim marrë urdhrin që të mos hapnim shkollat​​ nesër – tha për media të Vatikanit At Ibrahim Faltas, Vikar i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë – pastaj rreth orës 19:00 me të gjithë fretërit e Jeruzalemit ishim në Kishën e Shëlbuesit për lutjet mbrëmësore të treditëshit të festës së Shën Françeskut të Asizit, kur filluan të binin sirenat dhe dëgjuam shpërthime të forta.

Ne dolëm me nxitim jashtë dhe pamë gjurmët e dritës, si dhe raketat e kapura nga Iron dome dhe - shumica prej tyre - fluturonin mbi Jerusalem duke synuar në jug bazat ushtarake në Negev. Menjëherë pas kësaj, një valë e dytë sulmesh.

Tani ka një heshtje fantazmë mbi të gjithë qytetin. Njerëzit kanë shumë frikë, kanë frikë se mund të ndodhë përsëri nëse Izraeli përgjigjet. Do të jetë një natë ankthi dhe lutjeje intensive për ne. Lutuni edhe ju për ne dhe për të gjithë njerëzit e pafajshëm që vuajnë këtë luftë absurde”.

01 tetor 2024, 21:41