Pregare, mani giunte, preghiera in Basilica Vaticana, San Pietro, cattolici dal mondo in preghiera Pregare, mani giunte, preghiera in Basilica Vaticana, San Pietro, cattolici dal mondo in preghiera

Fides: rritet numri i katolikëve në botë, duke shkuar në 1 miliard e 389 milionë

Organi i Veprave Misionare Papnore publikon, me rastin e Ditës Botërore Misionare, dosjen statistikore vjetore për situatën e Kishës Katolike në planet, e cila tregon një rritje prej 13.7 milionë besimtarësh që nga viti i kaluar. Po rritet edhe numri i diakonëve të përhershëm dhe të misionarëve laikë, ndërsa numri i katekistëve është në rënie. "Afrika mbetet një tokë e premtuar për thirrje të shenjta"

R.SH. - Vatikan

Më 31 dhjetor 2022, numri i katolikëve në botë ishte 1,389,573,000 persona me një rritje të përgjithshme prej 13,721,000 të katolikëve krahasuar me një vit më parë. Kështu del nga të dhënat e Raportit vjetor statistikor të publikuara nga Agjencia Fides me rastin e Ditës Botërore Misionare, e cila kremtohet më 20 tetor.

Rritja e katolikëve në botë prek katër nga pesë kontinentet: vetëm në Evropë ka një rënie të numrit të katolikëve: -474,000. Si në vitet e mëparshme, rritja e katolikëve është më e theksuar në Afrikë (+7,271,000) dhe në Amerikë (+5,912,000). E ndjekur nga Azia (+889,000) dhe Oqeania (+123,000) përqindja e katolikëve në popullsinë botërore ka shënuar një rritje të lehtë (+0,03) krahasuar me një vit më parë dhe është e barabartë me 17,7%.

Numri i përgjithshëm i ipeshkvijve në botë është rritur me 13 njësi krahasuar me sondazhin e një viti më parë. Numri i përgjithshëm i priftërinjve në botë ka rënë: Evropa (-2745), e ndjekur nga Amerika (-164), shënoi sërish një rënie të ndjeshme.

Ashtu si vitin e kaluar, rritje të konsiderueshme u regjistruan në Afrikë (+1,676) dhe Azi (+1,160). Oqeania, pas numrit në rritje të vitit të kaluar, tani është kthyer në rënie (-69). Numri i seminaristëve të mëdhenj, dioqezanë dhe rregulltarë, është zvogëluar edhe në sondazhin e fundit vjetor: në të gjithë planetin janë 108.481 (vitin e kaluar ishin 109.895). Rritjet regjistrohen vetëm në Afrikë (+726) dhe Oqeani (+12), ndërsa rëniet janë në Amerikë (-921), Azi (-375) dhe në Evropë (-859). Numri i përgjithshëm i seminaristëve të vegjël, dioqezanë dhe rregulltarë, është zvogëluar gjithashtu, duke arritur në 95.161 (-553).

Në fushën e arsimit dhe të edukimit, Kisha katolike mbështet 74,322 shkolla të para në mbarë botën, ku frekuentohen 7,622,480 nxënës; 102.189 shkolla fillore për 35.729.911; 50.851 shkolla të mesme dhe të larta për 20.566.902 nxënës. Më tej, në shkollat ​​e mesme studiojnë 2,460,993 studentë, ndërsa studentët universitarë janë 3.925,393.

Gjithsej janë102,409 institucione shëndetësore, bamirësie dhe ndihmëse të drejtuara nga Kisha katolike në botë dhe përfshijnë: 5,420 spitale dhe 14,205 ambulanca; 525 spitale të lebrozëve; 15.476 shtëpi për të moshuar, të sëmurë kronikë dhe invalidë; 10.589 çerdhe; 10.500 qendra këshillimi martesore; 3141 qendra edukative apo riedukimi social dhe 33677 institucione të tjera.

17 tetor 2024, 14:04