Më 11 tetor kalendari kujton shën Gjonin XXIII, Papë
R.SH. - Vatikan
Shën Gjoni XXIII, Papa Anxhelo Ronkali, lindi në Sotto il Monte, qytezë pranë Bergamos, më 25 nëntor 1881. Ishte bir i një familjeje gjysmatarësh. Si u bë prift, vijoi të jetonte për 15 vjet në Bergamo, ku shërbeu si sekretar i ipeshkvit e mësues në seminar. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore, u thirr nën armë si kapelan ushtarak. Në përfundim të luftës, jeta e tij mori një kthesë të ndjeshme. Nisi veprimtarinë diplomatike në shërbim të Selisë së Shenjtë, si vizitator apostolik në Bullgari e në Turqi. Më 1994 qe Nunc në Paris, për t’u bërë, më 1953, Patriark i Venedikut.
Më 28 tetor 1958 u ul në fronin e Shën Pjetrit, si pasardhës i Piut XII, duke marrë emrin Gjoni XXIII. Papnoi nga 4. 11. 1958 deri më 03. 06. 1963. Kjo figurë vigane e shekullit të kaluar, e njohur nga të gjithë, jo vetëm nga bota katolike, pati një jetë kuptimplote. Ditën e zgjedhjes së tij në Papni, si doli në lozhën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit – ishte ora gjashtë e mbrëmjes - dritat e prozhektorëve dhe kinoaparatet e verbuan, e ai, që ishte kureshtar, që donte të shikonte fytyrat e vëllezërve e të motrave, nuk mundi të shohë asgjë. Pakëz i zhgënjyer që nuk pa gjë prej gjëje, tha: “U ktheva për të hyrë rishtas nga ballkoni, në Sallën e Bekimeve. Më printe i Kryqëzuari, kthyer nga unë, e m’u duk se Jezusi më foli: “Angjelin! Ndërrove emër e petka, por mos harro se, po ndërrove edhe zakone e harrove se duhet të jesh zemërbutë e i përvujtë, si unë, nuk do të shikosh asgjë nga jeta e Kishës, e as nga jeta e botës. Do të mbetesh i verbër!”. “Zemërbutë e i përvujtë” ishte shprehja e parë që përdori Anxhelo Ronkali, kur bota nisi ta quante Gjoni XXIII.
Më 11 tetor 1962, Gjoni XXIII kumtonte hapjen e Koncilit të Vatikanit II. Me të Kisha do të niste një rrugë ndryshimesh: do të zbriste në botë, duke thyer skemat shekullore; do të bashkohej me mbarë familjen njerëzore, duke jetuar së bashku me të frikën e shpresën, gëzimet e ankthet. Hapje kilometrike e revolucionare, fiksuar në mënyrë të pashlyeshme në faqet e njohura të Kushtetutës baritore "Gaudium et Spes". Shërbëtori i mirë e besnik i Zotit, Papa Shën Gjoni XXIII, vdiq më 3 qershor 1963.
Bota pati ndaluar frymëmarrjen atë çast, në sa turmat e njerëzve prisnin lajme nën dritaret e Pallatit Apostolik: një njeri jepte shpirtin në duart e Zotit, pasi i kishte shërbyer besnikërisht Kishës së tij. Quhej nga të gjithë "Papa i Mirë", kishte fituar simpatinë e miqve e të armiqve si njeri i paqes, që shmangu rrezikun e konfliktit bërthamor ndërmjet Bashkimit Sovjetik e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në festën e sotme liturgjike, po e kujtojmë me fjalët e tij: "Dita ime tokësore po mbaron, por Krishti jeton e Kisha vijon misionin e Saj në kohë e në hapësirë". Vijon të na porosisë ta presim me fe e ngazëllim Krishtin, Mbretin tonë: mbret i vërtetësisë, i lirisë, i drejtësisë dhe i dashurisë. Janë këto katër shtyllat mbi të cilat mund të ngrihet ndërtesa e vërtetë e paqes, ashtu si shkruante i Lumi papa Gjoni XXIII në enciklikën "Pacem in Terris”, Dokument historik, më aktual se kurrë që, sipas porosisë së të Lumit, duhet ta lexojmë, ta meditojmë, ta vëmë në jetë. Do të jemi, atëherë "të lumtur, sepse bij të vërtetë të Zotit e të paqes".
Në Martirologun Romak për Gjonin XXIII shkruhet: “Njeri i pajisur me humanizëm të jashtëzakonshëm, me jetën, veprat e zellin e tij të zjarrtë baritor u përpoq të përhapte kudo begatinë e dashurisë së krishterë e të promovonte bashkimin vëllazëror ndërmjet popujve. Posaçërisht i vetëdijshëm për misionin e frytshëm të Kishës së Krishtit në botën mbarë, thirri Koncilin II të Vatikanit.
Biseda e tij me Zotin ishte e përnjëhershme, spontane, e qetë. I lutej Zotit, si fëmija nënës. Kishte fenë e njerëzve të vegjël e të varfër. E pohon këtë në një letër mahnitëse, drejtuar prindërve. Ishte përfaqësues i Papës në Bullgari e, ditën e Krishtlindjes u përmallua, duke kujtuar shtëpizën atërore në fshat. I përfytyroi të tijtë rreth sofrës së varfër, të thjeshtë e, plot mall, shkroi: “Krishtlindja është festa e familjeve, posaçërisht atyre, që kanë shumë fëmijë, si familja jonë”. E shtoi “E dini se kam studiuar, kam marrë diploma e kam harruar shumë gjëra, nga ato që i mësova në shkollë. Por nuk harrova asnjë mësim, që më dhatë ju, baba i dashur e nënë e shtrenjtë: e as çka mësova nga famullitari, që më pagëzoi. E kjo është drita më e mirë, e cila ma ndriçon mendjen në jetë: forca për të vijuar t’i bindem urdhërit, që më jep Zoti, përmes Atit të Shenjtë.