Shën Kalisti I, Papë Shën Kalisti I, Papë

Më 14 tetor kalendari kishtar kujton Shën Kalistin I, Papë

Papa Kalisti vdiq si martir. U hodh në një pus të Trasteverit, gjatë një kryengritjeje kundër të krishterëve, në vitin 222. Trupi i tij u varros përtej Lumit, gjatë rrugës Aurelia, larg nga katakombet, që i pati hapur në rrugën Apia e që ruajnë emrin e Shën Kalistit, por jo reliket e tij

R.SH. - Vatikan

Në Romë janë të njohura katakombet e Shën Kalistit I, gjatë rrugës Apia. Ndërmjet shumë varreve të nëndheshme të Qytetit të Amshuar, këto të Shën Kalistit janë më të vizituarat, të famshme posaçërisht për ‘Kriptën e Papëve’.  Por ndërmjet shumë martirëve e papëve, që pushojnë në paqe në këtë vend, shtegtari e kërkon më kot varrin e Kalistit I. Ai, që i dha emrin këtyre katakombeve, që shënohet sot në kalendarin e Kishës katolike e që nderohet si martir, nuk është aty.

Fati i këtij Shenjti, Papë në fillimet e shekullit III, është vërtetë i çuditshëm. Në kohën e vet pati shumë kundërshtarë ndërmjet disidentëve të Romës, e pikërisht nga një shkrim i kryetarit të këtyre të krishterëve të përçarë, dmth nga një antipapë, i kemi pothuajse të gjitha të dhënat për Shën Kalistin. Natyrisht, duhen lexuar përmbys, sepse e paraqesin shenjtin si njeri plot me gabime, gati-gati të denjë për t’u urryer. Shkruhet se para se të bëhej papë, qe skllav e mashtrues. I ikur në Portugali, u arrestua e u mbart në Romë, ku u dënua të bënte punë të detyruar në minierat e Sardenjës.

Si u kthye në Romë, duke përfituar nga një amnisti, u dërgua në Ancio. Ndërkaq Papa Zefirini e thirri në Romë e i besoi kujdesin e varrezave të Kishës. Nisi kështu gërmimin e varrezës së madhe poshtë rrugës Apia, që mban edhe sot e kësaj dite emrin e tij. E, pas vdekjes së Zefirinit, u zgjodh papë e vijoi të kujdeset jo vetëm për shpirtrat e të vdekurve, por edhe për ato të të gjallëve.

Gjithsesi papnia e tij u pa me sy armiqësor nga një krah i bashkësisë së krishterë të Romës, e cila e akuzoi, pa të drejtë, për herezi. Qortohej për zell të paktë, ndërsa në një periudhë begatie, vendosi të agjërohet në Kohën e Katërt. Përflitej për mungesë ashpërsie disiplinore, sepse pranonte në Kishë mëkatarët e penduar e të krishterët që ishin ligështuar në kohë rreziku.

Por çfarëdo lloj reje e zezë që të jetë shtrirë mbi jetën e Shën Kalistit, u davarit me vdekjen e tij. Papa Kalisti vdiq si martir. U hodh në një pus të Trasteverit, gjatë një kryengritjeje kundër të krishterëve, në vitin 222. Trupi i tij u varros përtej Lumit, gjatë rrugës Aurelia, larg nga katakombet, që i pati hapur në rrugën Apia e që ruajnë emrin e Shën Kalistit, por jo reliket e tij.

14 tetor 2024, 10:10