Me 17 tetor kalendari kujton shën Injacin e Antiokisë, martir

Asnjë nga Etërit e Kishës nuk e shpreh me thellësinë e Shën Injacit dëshirën e zjarrtë të bashkimit me Krishtin e me jetën në Të. Në të vërtetë, tek Shën Injaci shkrihen dy rryma shpirtërore: ajo e Palit, e prirur plotësisht drejt bashkimit me Krishtin e ajo e Gjonit, e përqendruar mbi jetën në Jezusin, dy rryma që të çojnë në përpjekjen për t’i përngjarë Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Me 17 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir, mjeshtër i unitetit.

Nga mund të vijë guximi i një njeriu që e di se po shkon drejt një vdekjeje mizore, por që gjen energjinë për t'i folur botës për unitetin, harmoninë, besnikërinë dhe dashurinë? Kjo është pyetja magjepsëse që nxit historia e Shën Injacit, ipeshkvit të Antiokisë, metropolit të Perandorisë Romake ku feja e krishterë u përhap me shpejtësi që në dekadat e para pas ngjalljes së Jezusit.

Me shkrimet dhe gjestet e tij shën Injaci i Antiokisë qe dëshmitar i besnikërinë ndaj Jezu Krishtit. Një bari shpirtëror tërësisht i dhënë për komunitetin, një udhërrëfyes që nuk pushoi së qeni një pikë referimi edhe kur u përball me perspektivën e martirizimit: ky është profili i Shën Injacit të Antiokisë, i cili sot ofron një model që është ende i rëndësishëm për ata që kanë rolet e përgjegjësisë në Kishë.

Pra, 17 tetori është data e martirizimit të Shën Injacit, ipeshkvit të tretë të Antiokisë, qyteti më i rëndësishëm në Siri e në mbarë botën e lashtë, pas Romës dhe Aleksandrisë. Mjafton të kujtojmë se ipeshkvi i parë i këtij vendi ishte vetë Shën Pjetri. E Injaci qe pasardhësi i tij i denjë, një nga shtyllat e Kishës, ashtu siç ishte edhe Antiokia shtyllë e botës së lashtë.

Nuk qe shtetas romak e me sa duket, nuk kishte lindur i krishterë. Madje të dhënat dëshmojnë se ishte në moshë të pjekur, kur u kthye në fenë e krishterë. Por kjo nuk e pengoi të bëhej bari tepër i zellshëm.  Ndërsa ishte ipeshkëv i Antiokisë, perandori Trajan nisi ta persekutonte Kishën, duke mbytur njëri pas tjetrit njerëzit më të shquar për urti e shenjtëri në hierarkinë e saj. I arrestuar e i caktuar për t’u flakur në mes të bishave të egra, Injaci arriti në Romë i lidhur me vargonj, pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm. Në kryeqytetin e Perandorisë bëheshin përgatitje të ethshme për festime të mëdha në nder të perandorit, fitimtar në Dakí, e martirët e krishterë do të shërbenin për shfaqjet e cirkut, ku do të shqyheshin nga bishat.

Gjatë shtegtimit të tij nga Antiokia në Romë, Injaci Ipeshkëv shkroi shtatë letra, që konsiderohen jo më pak të rëndësishme se letrat e Shën Palit. Në këto letra, ipeshkvi që po shkonte drejt një vdekjeje të tmerrshme, i porosiste besimtarët të largoheshin nga mëkati, të ruheshin nga Gnostikët e sidomos, të çelikosnin unitetin e Kishës. Kërkonte edhe një gjë tjetër, duke iu drejtuar posaçërisht të krishterëve të Romës: të mos ndërhynin për ta shpëtuar nga martirizimi.

“Ju nuk humbisni asgjë – u shkruante - ndërsa unë humbas Zotin, në se shpëtoj nga dhëmbët e bishave. Nuk do të kem kurrë më një fat të tillë për t’u bashkuar me Të. Më lini, prandaj, të flijohem tani, që elteri është gati. Të bashkuar të gjithë në një kor të vetëm, këndoni: “Zoti u denjua ta çojë nga Lindja në Perëndim Ipeshkvin e Sirisë”. Në përfundim shpërthente, duke krijuar një nga figurat më të famshme në historinë e Martirëve: “Më lini të jem ushqim për bishat, të cilat do të më bëjnë të shijoj Hyjin. Jam grurë i Hyjit. Duhet të bluhem nga dhëmbët e egërsirave, që të bëhem bukë e Krishtit”.

E, si arriti në Romë në vitin 107, ipeshkvi i Antiokisë u blua vërtetë nga dhëmbët e bishave të pafajshme të cirkut, për të cilat Martiri gjeti shprehje poetike të pazakonshme: “Përkëdhelini – shkruante – që të jenë varri im; të mos lënë gjë prej gjëje nga trupi im e të mos trazohet askush për të më varrosur!”.  Vdiq martir në vitin 107 pas Krishtit.

Asnjë nga Etërit e Kishës nuk e shpreh me thellësinë e Shën Injacit dëshirën e zjarrtë të bashkimit me Krishtin e me jetën në Të. Në të vërtetë, tek Shën Injaci shkrihen dy rryma shpirtërore: ajo e Palit, e prirur plotësisht drejt bashkimit me Krishtin e ajo e Gjonit, e përqendruar mbi jetën në Jezusin, dy rryma që të çojnë në përpjekjen për t’i përngjarë Krishtit. Ky tension i papërballueshëm i Injacit për t’u bërë një me Krishtin themelon mistikën e mirëfilltë të bashkimit. Por bashkimi “në gjendje të pastër” gjendet vetëm në Zotin, prandaj ajo që mund të realizojnë njerëzit nuk është tjetër veçse përpjekja për t’i përngjarë, mundësisht sa më shumë, modelit. Shën Injaci i Antiokisë ngul këmbë, me mësime e figura, mbi vlerën e bashkimit themelor që i lidh ndërmjet tyre të gjithë besimtarët në Krishtin.

17 tetor 2024, 08:35